Nesër do ta dorëzojë dorëheqjen kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçveski për t’i hapur rrugë kryeministrit të parë shqiptar. Gjatë ditës së nesërme poashtu do të jap dorëheqje edhe kryeparlamentari, Talat Xhaferi, pasiqë ky i fundit është kandidati i propozuar për ta drejtuar qeverinë e re teknike.
Sot për mediat, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi sqaroi se pas një takimi konsultativ që ka zhvilluar me kryeministrin Kovaçveski, kanë përcaktuar terminët për zbatimin e kësaj procedure së zgjedhjes së qeverisë teknike.
“Vendimi ishte që gjatë ditës së nesërme të fillojë procedura me dhënien e dorëheqjes së Qeverisë, raportimi deri te kryetari i shtetit se qeveria është në dorëheqje, pason dorëheqja e Kryetarit të Kuvendit nga detyra, me çka hapet rruga që në seancën e parë të radhës e cila është konvokuar për më 26 janar, të mund të konstatohet dorëheqja e qeverisë aktuale, të konstatohet dorëheqja e kryetarit të parlamentit”, tha Xhaferi.
“Supozoj se i 27-ti është koha kur mandatari duhet të dorëzojë propozim-programin dhe propozim-përbërjen e qeverisë deri te Parlamenti dhe me atë hapet rruga që me 28 janar, që korrespondon me ditën e 100-të para ditës së zgjedhjeve, të mbajmë dy seanca parlamentare, e para në të cilën do të zgjidhet qeveria dhe e dyta në të cilën, në bazë të asaj që me zgjedhjen e qeverisë ndërpritet mandati i deputetit gjegjësisht mandatarit ose kryeministrit teknik të zgjedhur në atë seancë, informohet KSHZ-ja se deputetit i është ndërprerë mandati, KSHZ-ja deri në parlament raporton për pranimin e kandidatit e ardhshëm”, tha Xhaferi.
Kronologjia
Alsat M ka njoftuar se cila është kronologjia e ngjarjeve që do ta paraprijnë votimin e e Talat Xhaferit për kryeministër teknik.
Të enjten dorëhiqet kryeministri, gjegjësisht qeveria.
Njoftohet Presidenti për dorëheqjen.
Dorëhiqet edhe kreu i Kuvendit.
Të premten, në seancë parlamentare konstatohen dorëheqjet, e qeverisë dhe më pas edhe e kreut të Kuvendit. Në të njëjtën seancë zgjidhet edhe kryetari i ri i Kuvendit.
Po të enjten, Talat Xhaferi merr mandatin nga Presidenti për formimin e qeverisë së re.
Të dielën votohet përbërja e qeverisë. Në seancë të dytë, zgjidhen edhe zv/ministrat dhe zv/ministrat plotësues.
Propozimi i BDI-së
Një muaj më parë, kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim, ka vendosur që për kryeministër teknik ta propozojë kryeparlamentarin aktual Talat Xhaferi.
“BDI propozon Talat Xhaferin si kryeministër i Qeverisë e cila do të jetë në fuqi nga fundi i janarit e deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”, kishte njoftuar Bujar Osmani, Zëdhënës i BDI-së.
LSDM- BDI në vitin 2020 kishin arritur një marrëveshje, e cila parashihte kryeministër shqiptar për 100 ditët e fundit të qeverisjes.