Sport

Historike për boksin shqiptar: Alban Beqiri në gjysmëfinale, synon medalje

Boksieri shqiptar Alban Beqiri ka siguruar gjysmëfinalet e Kampionatit Botëror të Boksit, në peshën 71 kg, turne që po zhvillohet në Beograd.

Ai ka triumfuar sot në mbrëmje ndaj jordanezit Zeyad Eashash me rezultatin 4-1, duke shkruar historinë e boksit shqiptar, pasi bëhet boksieri i parë kuqezi që arrin të shkojë mes 4 më të mirëve në botë dhe të duelojë për medalje.

Katër gjyqtarë i dhanë fitoren Beqirit (30-27, 30-27, 29-28, 29-28), ndërsa njëri ia dha pikët për rivalin nga Jordania (28-29). Beqiri vijon të mahnisë në ring me paraqitjen e tij, duke dueluar në mënyrë të jashtëzakonshme.

Kjo është fitorja e katërt e tij në këtë botëror, duke treguar gjithnjë aftësi të mrekullueshme: Mbron mjaft mirë dhe godet fort kundërshtarin në trup e kokë. Në këtë botëror, në turin e parë, Beqiri fitoi ndaj kenianit Boniface Maine dhe më pas eliminoi lituanezin Saimonas Banys (turi i dytë).

 

Në sfidën e tretë ai mundi Eduardo Beckford të Panamasë, ndërsa sot triumfoi ndaj jordanezit Zeyad Eashash në çerekfinale. Falë këtij suksesi, Beqiri hyn mes 4 boksierëve më të mirë në botë në peshën 71kg dhe tashmë është në zonën e medaljeve.