Vështrim/Analizë

Historiani që punoi në hartimin e aktakuzës për Milosheviçin: UÇK-ja u mbrojt nga gjenocidi, lufta e saj tani rrezikon të delegjitimohet

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një ndër guerilet më të suksesshme të shekullit të kaluar, duke marrë parasysh se ajo e mbrojti veten nga fushata gjenocidiale e Serbisë dhe arriti të realizojë projektin e shtetit të pavarur të Kosovës, porse me nisjen e gjyqit ndaj ish-krerëve UÇK-së në Hagë, lufta e saj tashmë rrezikon të delegjitimohet dhe, për më tepër, pretendimet e Prokurorisë Speciale – nëse vërtetohen – do të ndryshojnë perceptimin publik për luftën çlirimtare të Kosovës.

Kështu thotë në një intervistë për Albanian Post, një ndër komentatorët kryesor të çështjeve ballkanike, studiuesi dhe historiani britanik, Marko Attila Hoare, i cili përveç se autor i disa librave mbi Ballkanin Perëndimor, punoi edhe si hulumtues në Tribunalin Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në Jugosllavi (ICTY) dhe kontribuoi në hartimin e aktakuzës ndaj udhëheqësit fashist të Serbisë, Sllobodan Millosheviç, procesi gjyqësor i të cilit mbeti i papërfunduar.

Megjithatë, ndonëse konsideron se përpjekjet e Prokurorisë Speciale për të shpallur Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së një “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale” mund të dështojnë krejtësisht, nuk do të ishte diçka e paimagjinueshme edhe nëse Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi shpallen fajtorë, ngase sipas tij, shtetet perëndimore po zmbrapsen nga politika progresive, duke infektuar edhe punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës.