Nga krijimtaria e heronjve dhe dëshmorëve të LANÇ
Nga Margarita Tutulani
Pse duhet t’u jemi mirënjohës Dëshmorëve të Atdheut
Atdhe!… Atdhe!… Sa e ëmbël, e bukur e tingëlluese është kjo fjale! Vallë a do të mundet njeri të mos mbushet plot kënaqësi, mburrje e lavdi kur dëgjon këto fjalë? “ E pse e duam Atdheun?” – më pyet vëllai i im i vogel. “E duam, – i them, – se ky është vendi i lindjes sonë, se këtu kanë lindur e banuar prindërit tanë e se ky është vendi ku jetuan dhe u varrosën stërgjyshërit shqiptarë. Të kesh Atdhe do të thotë të jesh i lirë. Por ti je i vogël dhe nuk mund të kuptosh fjalën liri. Liria është gjëja më e shenjtë për çdo njeri. Për këtë shumë shkrimtarë kanë thurur himne lavdie. Liri domethëne të rrosh i lirë, i rrethuar prej atdhetarëve të tu, të flasësh gjuhën e të jetosh pa vuajtje, plaçkitje. Por populli shqiptar s’ka patur fatin e mirë të jetojë i lirë përgjithmonë. Që prej vdekjes të Heroit tonë Skënderbeut, Shqiperia vdiq, liria u zhduk. Mijë e mijë turqër shkelën e sunduan për një kohë të gjatë Lulen Arbëri. Ti nuk i di vuajtjet e stërgjyshërve tonë kur ishin nën thundrën e barbarit turk. Plaçkitjet e vuajtjet e tyre s’kishin fund. Ditë për ditë sytë e tyre dedhnin lot nga dramat e mallëngjyeshme, që u dilnin përpara. Mos kujton se ne Atdheun na i falën? Se Turqisë i erdhi keq për ne? Oh!… jo kurrë… Ti e di mire se shqiptari eshte lindur per te jetuar i lire. A ishte e mundur qe shqiptari trim, guximtare, i fortë prej natyre, të jetonte kryeulur e duke iu bindur armikut? A ishte e mundur që shqiptari kryelartë prej natyre të bënte ashtu si e urdhëronin? Jo. Kurrë!. Ai do të preferonte një mijë herë më mirë vdekjen se sa robërinë. Pra, o vella i im, shqiptari nuk zgjati shumë e u ndez. Zemra filloi t’i rrihte me forcë dhe shkëndijat e atdhedashurisë u bënë një zjarr i pashueshëm, dora e tij e hekurt, mendja e mprehët e guximi i pashoq i premtonin shumë. Shqipëria nën sundim i përvëlonte shpirtin. Kujtimi i Skënderbeut i mallengjente dhe i turpëronte. Ja! Sikur i kam përpara, dalloj atje larg, larg, qytetit, larg barbarizmës, keqsjelljes, plaçkitjes në ndonjë shpellë të largët ose në ndonjë vend të fshehtë Çeta shqiptarësh që bënin plane për shpëtimin e Atdheut. Si në një film kinematografik me dalin përpara shqiptarët që duke pasur për moto Atdheun mbi të gjitha, duke mos marrë në sy as vdekjen mundoheshin pa pushim për të shpurë Shqipërinë në pragun e lumturisë. Por a e di ti ç’fund i priste, në se barbari i dallonte? Vdekja e tyre ishte e shpejtë dhe e tmerrshme dhe pse vallë? Vetëm e vetëm pse kryenin një vepër të shenjtë, vetëm e vetëm pse donin të jetonin të lirë. Por ata s’i trëmbëshin kurrë vdekjes. Ata ishin të atillë trimash që s’dinin ç’ishte frika dhe vdekja e merrnin si lindje nëse i kushtohej Atdheut. Pra, këta burra, duke pasur për emblemë “ Ja vdekje ja liri”, pak nga pak po hapnin propagandën lumturiprurëse. Por sunduesi i kishte sytë e mprehtë e duart e gjata; nuk zgjati shumë, e shumë prej fatosave u zunë robër e u syrgjynosen larg… larg Atdheut nëpër vendet më të thella të Azisë e të Afrikës. Shumë prej tyre gjetën vdekjen në fund të detit. Por a nuk është mekat, nuk të preket shpirti e nuk të qajnë sytë kur mendon se shpirti i tyre i kulluar si kristal të gjente folenë e perjetshme në fundin e detit. Kujtimi i familjes, i dashamirëve e malli i vendlindjes i prekte deri në kockë.
Ju, o dëshmorë, qetë ata që na dhuruat Lirinë. Ju qetë që na betë të numrohemi nder shtete të lirë! Qetë ju ata që me sakrifikimin tuaj na shputë drejt dyerve lumturiprurëse. Edhe tashti vetvetiu del fraza: A do të mundet ndonjë shqiptar t’ju harrojë? Jo kurrë! E si mund t’ju harrojmë?! Ju që na dhuruat lumturinë?… Ju o dëshmorë jeni mburrja e Kombit Shqiptar. Vetëm me ju Shqipëria mburret dhe barazohet me kombet e mëdhenj. Emrat tuaj në Historinë e Kombit janë të nënvizuara.
Pra, flini e prehuni të qetë o shqiptarë se ju kujtojmë gjithmonë me mirënjohje, dashuri e nderim, por edhe me zemër të copetuar.
Flini të qetë se rinia ju ka në mendje e në zemër. (Gazeta “Kushtrim Brezash”)
add a comment