-80 vjetori i rënies
Emin Duraku, Heroi i Popullit
A jeni ju komunist?
-Po, jam dhe do të jem sa të jem gjallë.
Ky djalosh, me fytyrë burrnore, me vështrim të rreptë shqiponje, që qëndronte para armikut pa i përpëlitur qepallat, ishte komunisti Emin Duraku. Në atë kohë ende s’i pat mbushur të njëzet e dy pranverat.
Ende i vogël, ai u detyrua ta lërë Gjakovën, vendlindjen e tij. U largua andej bashkë me mijëra kosovarë të tjerë nga vuajtjet dhe uria, nga shtypja dhe sundimi gjakatar i serbomëdhenjve. Hyri këtu në shkollën fillore dhe, më vonë, në gjimnazin e Shkodrës. Qe nxënës i zgjuar dhe punëtor. Por mbi të gjitha, ai shquhej për patriotizmin e tij të flaktë, për dashurinë e thellë që ushqente ndaj Atdheut të tij; shquhej për shpirtin e tij revolucionar. Me këto ndjenja u edukua edhe nga pjesëtarët e lëvizjes komuniste, që zhvillonin aktivitetin e tyre në Shkodër.
Duke qenë një nga anëtarët më aktivë të Grupit Komunist të Shkodrës, duke punuar së bashku me Nazmi Rushitin, Tom Kolën etj., bashkë me shokët komunistë të Shkodrës e shohim atë në ballë të demonstratës së 28 Nentorit të vitit 1939. Pas asaj demonstrate, ai arrestohet. Mbahet 50 ditë në burgun e Tiranës dhe prej andej e internojnë në ishullin Ventotene, në Itali.
Edhe pse i sëmurë, u tregua gjithnjë i papërkulur dhe i gatshëm për të shkuar atje ku e kërkonte interesi i Atdheut. Bashkë me disa shokë la shkollën dhe u hodh në Kosovë për të punuar në atë krahinë si komunist. Komanda fashiste në Gjakovë, më tetor 1942, shkruante: “Emin Duraku, sekretar i odës së tregtisë në
Gjakovë, është kryengritës dhe frymëzues i tërë aktivitetit lokal dhe në rreth”. Një muaj e gjysëm më vonë, më 28 nëntor, ndërsa zhvillonte një mbledhje në Lipjanë të Prishtinës, rrethohet nga fashistët. Në përpjekje e sipër, Emini plagoset rëndë. Armiku u përpoq me të gjitha mjetet të thyente vullnetin e komunistit, por nuk ia doli. Më 7 dhjetor 1942 Emini vdiq në spitalin e Prizrenit. Edhe i vdekur, ai u kallte datën fashistëve. Kuestura dha urdhër që varrimi t’i bëhej fshehurazi, pasi mund të organizohej ndonjë demonstratë, mund të krijoheshin trazira.
Në çastet e fundit të jetës, pranë shtratit të trimit komunist, qëndronte e ëma, nënë Zelihaja. E rendë, e vështirë është për nënën kur shikon se i biri po vdes në lulen e rinisë i lidhur duarsh. Por nëna shqiptare mbahej e fortë, krenare. Fjalët e të birit ia rritën krenarinë: “Nanë e dashtun, ashtu të due unë, të mbahesh e fortë. Yt bir po vdes si komunist, por shokët e mij do ta vazhdojnë luftën, do të na e marrin hakun. Falja birit tand dhimbjen që po të shkakton, nanë, se na po luftojmë për një çështje të madhe, për lirinë e Shqipnisë sonë, për lirinë e popullit tonë. Fashistët e tradhtarët do të shporren e Shqipnia do të çlirohet”!
Marrë nga “ Yje të pashuar”
add a comment