GOLGOTA E SHQIPËRISË
Aktaakuzat kundër shfarrosësve të popullit shqiptar
Nga publicisti austriak me prejardhje hebraike
LEO ALEXANDËR FREUNDLICH (1873-1953)
Vienë 1913; në shqip: Tiranë 2020.
Përkthyer nga orgjinali: Frida Vokopola Gjoka & Alber Gjoka
Në bregdetin lindor të Adriatikut, as tre ditë udhëtim nga Viena, jeton një popull autokton, i cili për shekuj me rradhë ka luftuar për liri dhe pavarësi kundër armiqëve dhe shtypësve të të gjitha llojeve: KËTA JANË SHQIPTARËT. Ky popull ka ruajtur prejardhjen e tij gjatë gjithë luftrave dhe ndryshimeve historike; as emigrimi i popujve dhe as luftrat me serbët, turqit dhe pushtuesit e shtypësit e tjerë nuk mundën t’i pengonin shqiptarët të ruanin të pastër racën, gjuhën, zakonet dhe traditat e veçanta të tyre.
Historia e këtij kombi është një zinxhir i pandërprerë betejash të përgjakshme kundër pushtuesve gjakatarë. Por edhe me mizoritë e tyre më të tmerrshme armiqt nuk mundën ta shfarrosnin këtë racë të fortë. Edhe pse pushtuesit u përpoqën ta zhduknin që në embrion çdo përpjekje për zhvillimin e kulturës në Shqipëri; ajo zhvillohet fuqishëm falë forcës së tyre shpirtërore. Ky popull i dha perandorisë osmane gjeneralët dhe burrat e shtetit më të shquar. Gjykatësit më të mirë të perandorisë osmane janë shqiptarë, si dhe veprat më të njohura të letërsisë turke janë shkruar nga shqiptarët. Thuajse të gjithë tregëtarët në Malin e Zi, si dhe tregëtarët më të aftë në shumë qytete të mëdha të Rumanisë kanë prejardhje nga ky komb. Në Itali shqiptarët luajnë rol të rëndësishëm në të gjitha fushat. Ndër ta mund të përmendim Krispin. Ushtarët më trima të Greqisë janë me prejardhje shqiptare.
Në shndërrimet e mëdha të shkaktuara nga Lufta Ballaknike, ëndrra e lashtë e këtij populli për liri e pavarësi tanimë më në fund duhet të bëhet realitet: fuqitë e mëdha të Evropës kanë vendosur t’i japin Shqipërisë autonominë shtetërore.
Por përpjekja SERBE për pushtim ka gjetur një metodë që ta shkatërrojë këtë ëndërr të bukur të popullit trim e liridashës pak përpara se ajo të kthehej në realitet. Trupat serbe depërtuan në Shqipëri, duke vrarë e djegur kudo. Në qoftë se nuk arrijnë ta pushtojnë Shqipërinë, ata duhet medoemos të shfarrosin shqiptarët – kjo është zgjidhja.
Më 18 tetor 1912 mbreti Petar i Serbisë publikoi manifestin e tij të titulluar “Për popullin serb”, në të cilin, ndër të tjera ai thotë: “Qeveritë turke nuk kanë treguar kurrë interes për detyrimet e tyre ndaj qytetarëve dhe madje kanë qenë të shurdhër ndaj të gjitha ankesave dhe kërkesave të tyre. Situata arriti deri atje saqë asnjë popull nuk ishte më i kënaqur me gjendjen e krijuar në Turqinë Evropiane. Ata janë bërë të padurueshëm si për serbët, grekët, por po ashtu edhe për shqiptarët.”
“Prandaj, në emër të Zotit, unë i kam dhënë urdhër ushtrisë sonë trime për të shkuar në luftën e shenjtë për lirinë e vëllezërve tanë dhe për një jetë më të mirë.”
“Në Serbinë e vjetër ushtria ime do të gjendet pranë serbëve të krishterë dhe atyre muhamedanë, të cilët janë po aq të shtrenjtë për ne dhe tok me ta do të jenë edhe shqiptarët e krishterë dhe muhamedanë, me të cilët populli ynë ka ndarë për 13 shekuj vite vuajtjeje dhe gëzimi. Ne do t’u sjellim atyre të gjithëve lirinë, vëllazërinë dhe barazinë”.
Po, si e mbajtën serbët premtimin e mbretit të tyre pa kaluar as gjysmë viti pas daljes së këtij manifesti solemn?
Mijëra e mijëra burra, gra, pleq dhe fëmijë të vrarë e të torturuar për vdekje, fshatra të djegura e të plaçkitura, gra dhe vajza të përdhunuara, pra, një vend i shkatërruar, i plaçkitur, i përdhunuar e i larë në gjak është përgjigjia e vetme e kësaj pyetjeje.
Serbët erdhën në Shqipëri jo si çlirimtarë, por si vrasës të shqipatërëve. Në mbledhjen e ambasadorëve në Londër u bë propozimi që kufijt e Shqipërisë të përcaktoheshin sipas një statistike etnike apo fetare, e cila do të bëhej atje në vend nga një komision. Serbët nxituan t’i përgatisnin këto statistika me mitraloza, armë gjahu dhe bajoneta. Ata kryen mizori të papërshkrueshme; por edhe më i madh se zemërimi dhe tmerri i shkaktuar nga këto mizori ishte trishtimi për faktin që krime të tilla rrënqethëse janë të mundura edhe në shekullin e njëzetë në Evropë, jo larg qendrave të mëdha të kulturës perëndimore!
Dhe trishtimi bëhet edhe më i madh për faktin se, megjithse për muaj me rradhë gazetarët e të gjitha kombeve tregojnë për këto krime të llahtarshme, megjithëse Pierre Loti bën akuzën e tij të fortë në botë, asgjë nuk ndodhi për t’i dhënë fund këtij gjenocidi të tmerrshëm.
Një popull trim dhe me karakter të fortë po kryqëzohet përpara gjithë botës dhe Evropa e krishterë, Evropa e civilizuar hesht!
Janë dhjetra mijëra njerëz të pambrojtur që po masakrohen, pleq e fëmijë që po mbyten, me qindar fshatra që po digjen dhe priftërinj që po therren.
DHE EVROPA HESHT!
Serbia dhe Mali i Zi kanë hyrë në tokë të huaj për ta pushtuar, por në këto troje jeton një popull trim e liridashës, një popull që nuk pranoi kurrë të mbante mbi shpatulla zgjedhën e huaj megjithëse lëngoi për shekuj e shekuj në robëri, prandaj zgjidhja është fare e qartë: SHQIPTARËT DUHET TË SHFARROSEN!
Dhe një ushtri e egër dhe mizore e bëri atë realitet në mënyrën më të tmerrshme.
Fshatra të panumurta u bënë rrafsh me tokën, njërz të panumërt u therrën me egërsi kafshërore, atje ku brezat e shqiptarëve të varfër krijuan atdheun e tyre, shtëpitë u dogjën e u kthyen në rrënoja, një popull i tërë u gjakos e u kryqëzua.
DHE EVROPA HESHT!
Qëllimi i këtij shkrimi është të zgjoi ndërgjegjen e publikut evropian. Të dhënat e mbledhura këtu janë vetëm një pjesë e materialeve ekzistuese. Më shumë sesa përmbajnë ato, u janë bërë të njohura qeverive evropiane përmes raporteve zyrtare të konsullatave dhe artikujve të botuar në gazetat më të njohura.
DHE DERI TANI QEVERITË KANË HESHTUR!
Por tani e tutje heshtja e mëtejshme do të thotë bashkfajësi. Fuqitë e mëdha duhet t’i ndalojnë në mënyrë katëgorike barbaritë e tërbuara. Fushatës së shfarrosjes mizore në Shqipëri duhet t’i jepet fund sa më shpejt që të jetë e mundur dhe duhet të ngrihet një komision ndërkombëtar për të bërë hetime në lidhje me akuzat e tmerrshme të ngritura kundër qeverisë serbe.
Por mbi të gjitha trupat pushtuese serbo-malazeze duhet të largohen menjëherë nga trojet shqiptare dhe duhet të hiqet bllokada greke që ka ndërprerë çdo lloj furnizimi me ushqime në Shqipëri.
Në emër të njerëzimit, në emër të botës së civilizuar, në emër të popullit fatkeq shqiptar, u bëj thirrje qeverive të fuqive të mëdha, i bëj thirrje mbarë opinionit publik evropian.
I derjtohem popullit anglez, kombit që ngriti burrërisht zërin e tij në periudhën e mizorive kundër popullit armen.
I drejtoj thirrjen time shtypit francez dhe Francës, vendit që shpesh ka treguar se di t’i mbrojë njerëzimin dhe të drejtat e njeriut.
Një popull fatkeq, një popull që ka duruar fatin e tij të tmerrshëm, kërkon ndihmë nga vendi i tij i kryqëzimit.
Por, a do e dëgjojë vallë Evropa thirrjen e tij?
Vienë, të dielën e Pashkve 1913
Leo Freundlich
——— . ———
P.S. Kjo histori makabre kundër shqiptarëve u përsërit “fije e për pé”, si nga Serbia, ashtu dhe nga Evropa, në vitet 1998-1999; por ishin SHBA të cilat, edhe pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB, i detyruan disa shtete të mëdha të Evropës t’i bashkangjiteshin aviacionit amerikan në mbështetje të Ushtrisë Çlrimtare të Kosovës; nga 34 mijë avjofluturime, vetëm 20 % u kryen nga aviacioni evropian.
Por ka edhe më keq akoma: Organizata e Veteranëve të LANÇ-it nuk i njeh për veteranë luftëtarët vullnetarë nga Republika e Shqipërisë, të cilët kanë luftuar për çlirimin e Kosovës, si dhe për të drejtat kombëtare në luftrat e tjera etnike të zhvilluara në Ballkan në vitet 1998-2001, [Shih: Ligji nr.7874, dt.17.11.1994, “Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar”, (ndryshuar me ligjin nr. 67/2019)]!
Ndërkohë që LIGJI Nr. 109/2018, për Statusin e Dëshmorit të Atdheut, [Neni 5, pika “h”], i njeh për dëshmorë shtetasit shqiptarë që kanë rënë në ato luftra për të drejtat kombëtare!