NË SHENJË KUJTIMI E NDERIMI
Për “NDERIN E KOMBIT” arvanitasin e ndritshëm Aristidh Kola
Shkrim nga Genci Dautaj Tiranë
Ne Pervjetorin e 23-te te ndarjes nga jeta te Arvanitasit Aristidh Kola! R. I. P. !
Aristidh Kola pati kurajon qytetare, që në një mjedis filoserb siç ishte Greqia, të mbronte luftën e drejtë çlirimtare të UÇK-së në dhjetra emisione televizive, si dhe kudo në masmediat greke, duke iu kundërvënë asaj propagande histerike kundër vëllezërve tanë kosovarë gjatë masakrave të barbarive serbe në Kosovë dhe bombardimeve të NATO-s mbi mbeturinat e të ashtuquajturës Jugosllavi.
Aristidh Kola, si kryetar i Shoqatës së Arvanitasve të Greqisë “Marko Boçari”, do të akuzohej vazhdimisht nga forcat ultrashoviniste ortodokse greke për të vërtetën e ngjarjeve të Kosovës, (“Edhe unë jam kosovar – shkruhej në revistën e tij “Arvanon”), si dhe për të vërtetën e shqiptarëve emigrantë në Greqi, të cilët edhe i mbronte nëpërmjet revistës së vet. Ishte ajo atmosferë që, një bisedë televizive për konfliktet në Ballkan të drejtuar nga komentatorja e televizionit grek “Skaj”, Liana Kaneli, e ktheu në një sulm të pacipë jo vetëm nga ana e saj por edhe të diskutantëve të tjerë fanatikë e mediokër mbi shkrimtarin e ftuar Aristidh Kola, sikur ky të ishte armik i Greqisë.
“Çfarë kërkon ti, Aristidh Kola – ulërinte drejtuesja në gjendje histerie shoviniste – të na sjellësh alvanosët këtu, të na shkatërrosh Greqinë?”
Gjithashtu, Aristidh Kola ndiqej në heshtje, përgjohej në përpjekje për t’ia bërë jetën ferr sepse ishte njeriu që ringjalli në qindra – mijëra arvanitas anë e mbanë Greqisë dinjitetin e nëpërkëmbur, që nocionin e asaj popullsie të përbuzuar e të përbaltur e ktheu në dinjitet e krenari. Ishte Aristidh Kola, shkrimtari arvanitas që në librat e fjalën e tij tha se arvanitasit duhej të ishin krenarë pasi 90 përqind e heronjve të revolucionit e pavarësisë së Greqisë ishin arvanitas për nga gjaku dhe gjuha e folur.
Falë aftësive të tij për kërkime në histori, për të cilën braktisi profesionin e juristit, ai solli fakte se jo vetëm që bijtë e arvanitasve ishin heronjtë kombëtarë të Greqisë, por edhe se kultura e arti arvanitas tashmë ishin bërë pjesë e traditës dhe e kulturës kombëtare greke duke përfshirë këngët e veshjet. Ai shkoi deri atje sa të shpjegojë nëpërmjet gjuhës se arvanitasve mitologjinë e lashtë greke, emrat e perëndive të Olimpit, çka nuk mund të bëhej kurrsesi nëpërmjet greqishtes së re apo të vjetër.
(foto nga interneti)
add a comment