Botë

Xhevat Gjini: Franca njeh dhe pranon krimet që ka kryer në Algjeri

Mediet franceze dhe ato alegjeriane njoftojnë se Kryetari i Francës, Makroni, në emër të Francës, ka njohur dhe pranuar se udhëheqësi i Lëvizjes Kombëtare në Algjeri, avokati Ali Bumedieni, ishte kapur në vitin 1957, ishte torturuar dhe ishte vrarë nga francezët gjatë luftës në Algjeri. Ky është një gjest historik. Deri tash Franca kishte mohuar se kishte vrarë Ali Bumedienin. Ishte thënë se ai kishte bër vetëvrasje. Kryetari i Republikës së Francës, Makroni (i lindur pas luftës me Algjerinë) ka thënë se vrasja e Ali Bumedienit nuk është rast i izoluar. Janë bërë edhe krime e tmerre tjera në Algjeri. Të gjitha duhet të hetohen dhe ndriçohen. Vetëm kështu mund të pajtohen dy popujt dhe dy vendet tona. Arkivat duhet të hapen dhe të dihet edhe fati i të zhdukurve gjatë asaj lufte. Kryetari i Francës, Makroni, ka pritur në Pallatin Champ Elise nipat e Ali Bumedienit dhe ua ka thënë të vërtetën për gjyshin e tyre…

Franca, që pas 64 vitesh ka “hapur zemrën” dhe ka thënë të vërtetën për Ali Bumedienin dhe për krimet e tmerret e shumta që ka kryer në Algjeri, do të duhej të përdorte gjithë ndikimin e saj dhe ta detyronte Serbinë t’i njihte dhe pranonte krimet, masakrat dhe gjenocidin që ka kryer në Kosovë e në viset e saj ndaj shqiptarëve. Kemi bindjen se Franca ka informata, incizime dhe dokumente të shumta që provojnë krimet dhe gjenocidin që ka kryer Serbia ndaj shqiptarëve. Me këtë do të ndihmohej edhe e vërteta dhe drejtësia për viktimat e dhunës, terrorit, krimit dhe gjenocidit të kryer nga forcat serbe – Serbia. Kështu do të liroheshin edhe shqiptarët e akuzuar padrejtësisht nga Gjykata speciale “për krime lufte dhe ndërmarrje të përbashkët kriminale”!!??… Ky do të ishte kontribut edhe për zhbërjen e Gjykatës speciale dhe dënimin e shtetit serb dhe te atyre serbëve që kanë planifikuar, urdhëruar dhe kryer krime e gjenocid në Kosovë e në vise të saj…