TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Panairi i 24-t i Librit tërhoqi këtë edicion lexues të shumtë në ditët e kësaj “feste” të të lexuarit dhe letërsisë, ndërsa shkon drejt fundit mbrëmjen e sotme.
Pas një mungese njëvjeçare për shkak të pandemisë, Panairi i 24-t i Librit u çel në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, me pjesëmarrjen e 95 shtëpive botuese.
I organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë ky panair erdhi pas një periudhe shumë të vështirë si për lexuesit, ashtu edhe për botuesit.
Çmimin si autori më i mirë shqiptar i vitit 2021 e mori shkrimtari Virgjil Muçi me vëllimin me tregime “Fajin ma ka gjuha”.
Ndërkohë për çmimin e përkthimit më të mirë për këtë vit triumfatore u shpall Flavia Kaba, me përkthimin e vëllimit me tregime “Qyteti i avullit” nga Carlos Ruiz Zafon, autor i rëndësishëm i letërsisë spanjolle që u nda nga jeta vetëm 2 vite më parë.
Panairi i 24-t i Librit këtë vit u organizua me mbështetjen e bashkisë së Tiranës dhe të Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit.