Lëvizja\UÇK

Fjala e Agim Sylejmanit në Akademinë e mbajtur në Gjakovë për 40 – vjetorin e krijimit të LPK – së

Të dashur vëllezër e motra

Të nderuar pjesëmarrës, veteranë e invalidë të luftës së lavdishme të UÇK-së, veprimtarë të çështjes kombëtare dhe përfaqësues të pushtetit vendor

Kam nderin që në emër të Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës të përshëndes këtë tubim nderimi e mirënjohjeje për veprimtarët e hershëm të çështjes kombëtare nga Gjakova, nga Gjakova e Sylejman Vokshit. Gjakova e njohur e tolerancës ndërfetare, aty ku gërshetohen tri besime, dhe tri kulte fetare, katolike, muslimane dhe të tarikatit. Gjakova e arsimit dhe kulturës e traditës së ruajtur shqiptare. Gjakova e zejtarëve të njohur gjithandej, përfshirë edhe mjeshtërinë e prodhimit të armëve, siç ishte në shekullit të 18-të prodhues i njohur i armëve, Tush Dyfektxhija, i cili arriti të krijojë edhe “shkollën popullore” të kësaj mjeshtërie. Pra, tradita e atdhedashurisë edhe në Gjakovë është përcjellur brez pas brezi, duke i dhënë kombit e atdheut figura të shquara të historisë, por edhe të arsimit, kulturës, artit dhe letërsisë shqipe.

Sot ne po frymojmë shqip falë mundit, sakrificës dhe gjakut të derdhur të brezave të tërë të veprimtarëve të çështjes kombëtare, të cilët çështjen e kombit dhe atdheut e kishin mbi çdo gjë dhe para çdo gjëje tjetër. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, si kudo në trojet e pushtuara të atdheut tonë nga ish-Jugosllavia titiste, edhe në Gjakovë nuk u shua asnjëherë zjarri i luftës për çlirim e bashkim kombëtar. Një plejadë e tërë veprimtarësh atdhedashës dhe liridashës, edhe pranë persekutimit, arrestimit, torturave çnjerëzore të UDB-së titiste dhe dënimeve drakonike, nuk e pushuan kurrë veprimtarinë e tyre për kauzën tonë të shenjtë kombëtare. Prandaj, Shoqëria “Lëvizja”, me rastin e 40 vjetorit të bashkimit të grupeve dhe organizatave kryesore patriotike e revolucionare, të cilat në fillimvitin 1982 themeluan LRSSHJ-së, e njohur më vonë si LPRK, e së fundmi si LPK, këtë vit pra, Shoqëria “Lëvizja” e ka shpallur si vit të Lëvizjes Kombëtare, me çrast po i nderon me mirënjohje të veçantë veprimtarët e hershëm të çështjes kombëtare, veprimtarë që kemi fatin t’i kemi edhe sot e kësaj dite në mesin tonë, duke na i kujtuar ato kohëra të vështira por edhe të dinjitetshme që ata kaluan, kohëra për të cilat na bëjnë edhe sot të ndjehemi krenarë se ishim, jemi e do të mbetemi shqiptarë në trojet tona stërgjyshore.

Gjakova ka pasur shumë veprimtarë të çështjes kombëtare, shumë të burgosur politikë, por kësaj radhe është menduar të nderohen ata më të hershmit, ani se të shtyrë në moshë, por që janë akoma në mesin tonë, duke u shprehur një mirënjohje morale për gjithë çka bënë për kombin dhe çështjen tonë kombëtare, duke mos e lënë për asnjë çast të shuhet zjarri i atdhedashurisë dhe patriotizmit.

Më lejoni që edhe njëherë t’ju përshëndes vëllazërisht dhe nga zemra në emër të Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës gjithë pjesëmarrësit e këtij takimi dhe të përkulem thellë e me një respekt të veçantë për të gjithë ata veprimtarë të çështjes sonë kombëtare që u bën sot shkas që ne të takohemi këtu për t’i nderuar dhe për t’ju shpreh mirënjohje për veprimtarinë e tyre në të mirë të kombit dhe kauzës së shenjtë të bashkimit kombëtar.