Balta e hedhur mbi Enver Hoxhën për tri dekada dëshmon për situatën antidemokratike që sundon në Shqipëri për shkak të presionit të forcave të djathta dhe degjenerimit ideologjik të së majtës shqiptare, të komanduara nga qarqe të huaja. Nëse në Shqipëri do të kishte një situatë demokratike, jo vetëm populli shqiptar do të shkonte përditë për t’i vënë Enver Hoxhës lule tek varri, por edhe ata drejtues, politikanë, dhe intelektualë që u shkolluan e u formuan në shtetin e Enver Hoxhës, do të shkonin pranë tij, për t’i shprehur mirënjohjen e shkollimit, formimit dhe besimit, që i vuri në krye të shtetit për ta çuar popullin shqiptar drejt progresit.
Kjo nuk ndodh, ndonëse ishin edhe votat e Enver Hoxhës dhe të partizanëve të Luftës Nacionalçlirimtare, që i dhanë Partisë Socialiste pushtetin për të tretën herë. Populli historikisht ka votuar dhe do të votojë edhe në të ardhmen për PS (pavarësisht se si i bëjnë pazaret partitë dhe e ndajnë pushtetin në katër dhe tetëvjeçar). Ai do të votojë për PS, që të jetë më i qetë nga barbaria e forcave të djathta, që shkatërruan djersën 40 vjeçare të një populli dhe e terrorizuan atë për 30 vjet. Populli ka ndjesinë, se edhe në të ardhmen, e djathta do ta terrorizojë me presione e mitingje të ndryshme, për të marrë pushtetin, sa herë do t’i ndërsejnë të huajt, kur atyre u preket influenca në këtë pjesë të Europës.
I vetmi kriter i drejtë për vlerësimin e një udhëheqësi, nuk janë mllefet e disa mercenarëve apo të dënuarve politikë të shprehura nëpër gazeta apo emisione televizive që u ngjajnë çinganeve, por rezultatet praktike të veprimtarisë së tij në periudhën kur ai jetoi, krahasuar edhe me paraardhësin. Rezultatet e drejtimit të Enver Hoxhës, nuk mund t’i fshijë asnjë transformim kundërrevolucionar, asnjë shpifje e demagogji, sepse ato ekzistojnë ende sot tek dashuria e popullit, të frikësuar nga dhuna psikologjike dhe pastrimet politike në vendet e punës.
Enver Hoxha ishte një prijës popullor heroik, një patriot i flaktë, që udhëhoqi trimërisht Luftën Nacionalçlirimtare, i solli Shqipërisë lirinë dhe i dha popullit pushtetin popullor. Vetëm Enver Hoxha e bëri Shqipërinë zonjë në vendin e vet, krejtësisht të pavarur, me një popull plot dinjitet. Fakti që në skenën politike shqiptare të Luftës së Dytë Botërore, populli shqiptar nuk u mashtrua nga forcat politike të djathta e kolaboracioniste, por shkoi pas Frontit Nacionalçlirimtar të udhëhequr nga Enver Hoxha, tregon për programin që i dha Ai popullit, për perspektivën që i çeli, dhe rrugën e nderit që ndoqi. Urdhri i Enver Hoxhës për kalimin e brigadave partizane në Veri të Shqipërisë në 1944, për shpartallimin e forcave të reaksionit atje, e shpëtoi Shqipërinë nga planet e të huajve për ta ndarë Shqipërinë përfundimisht në dy pjesë: Veri-Jug.
Këtë nuk mund t’ia harrojnë Enver Hoxhës qarqet e huaja që kishin projektuar ndarjen e Shqipërisë, as ballisto-zogistët, për shpartallimin e reaksionit dhe bandave diversive pas çlirimit të vendit. Drejtimi politik i Enver Hoxhës, çoi në dëbimin e pushtuesve të huaj dhe në përmbysjen e regjimit të vjetër, në garantimin e tërësisë territoriale të Shqipërisë, që u rrezikua në Konferencën e Parisit në 1946. Për këtë mbrojtje, Historia e Shqipërisë do t’i jetë mirënjohëse nëpër shekuj birit të saj të lavdishëm Enver Hoxhës, por pikërisht për këtë, reaksioni ndërkombëtar nuk do t’ia falte kurrë prishjen e planeve gjeostrategjike për përdorimin e Shqipërisë si bazë ushtarake në sulmet kundër rivalëve të tyre imperialistë.
Shqipëria ishte vendi më i varfër i Europës, që trashëgoi një prapambetje shekullore si askush tjetër, ajo doli nga lufta e shkatërruar deri në palcë, ishte pa industri, pa kuadro, teknikë e specialistë. Enver Hoxha projektoi epokën e shndërrimeve të mëdha e të thella ekonomike me karakter demokratik e socialist, që çuan në zhdukjen e marrëdhënieve feudale dhe varësinë ekonomike të vendit nga kapitali i huaj. U krye transformimi rrënjësor i krejt strukturës shoqërore, likuidimi i bazës ekonomike të kapitalizmit, duke zhdukur për herë të parë shfrytëzimin e njeriut prej njeriut.
Entuziazmi i luftës ishte një fuqi e madhe lëvizëse, në 40 vjet, Shqipëria u shndërrua në një vend të përparuar me industri shumëdegëshe, bujqësi moderne, me një ekonomi të zhvilluar dhe të pavarur, që zhvillohej me ritme të larta dhe me nivel jetese vazhdimisht në rritje për masat e gjera punonjëse. Krijimi dhe fuqizimi i industrisë shumëdegëshe, mbështetur në burimet e brendshme, veçanërisht industria e rendë metalurgjike, minerare dhe e energjetikës, ishin vepër monumentale me rëndësi kombëtare dhe historike për brezat. Në të kundërt Shqipëria sot, e ka likuiduar tërë atë industri moderne përveç hidroenergjetikes, ndërkohë që termocentralet u zhdukën.
Nga një vend i prapambetur bujqësor, Enver Hoxha e ktheu Shqipërinë në një vend bujqësor-industrial, me synimin për ta shndërruar në një vend industrial –bujqësor. Bujqësia intensive me rendimentet e larta, që barazoheshin me ato europiane, siguroi drithërat e bukës, ushqimin e popullit dhe plotësonte nevojat e industrisë së lehtë dhe ushqimore. Në të kundërt Shqipëria sot, ka një bujqësi primitive me përdorime të pesticideve të dëmshme për shëndetin e njerëzve, që nuk plotëson as 10% të nevojave të popullit..
Në epokën e Enver Hoxhës, prodhimi kishte karakter të drejtpërdrejt shoqëror dhe udhëhiqej nga synimi i plotësimit të nevojave materiale dhe kulturore të punonjësve. Në zhvillimin e ekonomisë u siguruan ritme të larta në rritjen e prodhimit shoqëror, duke u mbështetur në lëndët e para e pasurinë e vendit. Enver Hoxha siguroi një shpërndarje e drejtë të forcave prodhuese në të gjithë territorin e vendit, duke vendosur drejtë përparësitë në zhvillimin e degëve të ndryshme të ekonomisë, me qëllim që të kapërcehej sa më parë prapambetja e trashëguar, të forcohej pavarësia ekonomike e politike e vendit. Sa ishte Enver Hoxha, Shqipëria nuk njohu papunësi e krizë, borxhe skllavëruese e shtrenjtim të jetesës. Enver Hoxha nuk i shtriu dorën për lëmoshë askujt, gjithçka e përballoi me punën dhe djersën e popullit.
Marrëdhëniet ekonomike e shoqërore socialiste, i hapën rrugë të gjerë pjesëmarrjes aktive të masave si në të gjithë jetën e vendit, edhe në drejtim të ekonomisë. Prandaj centralizmi ishte thellësisht demokratik, kombinonte drejtimin unik shtetëror me iniciativën e organizuar të masave. Këtu qëndronte fuqia e pamposhtur dhe burimi i frymëzimit për zhvillimin në rrugë të drejtë të shtetit socialist.
Në epokën e Enverit, vendi i analfabetizmit masiv u bë vendi i arsimit dhe kulturës masive, ku lulëzoi arti i shëndoshë, ku shkencës iu hapën perspektiva. Në Shqipëri në epokën e Enverit, kishte një jetë shpirtërore të pasur, ndërsa sot arsimi është degraduar, antikultura, vulgariteti dhe degjenerimi sundon në propagandën e përditshme. Në epokën e Enverit kishim një sport që spikati në Europë me djemtë dhe vajzat shqiptare, ndërsa sot, populli paguan miliona, për të parë se si luajnë dhe si drejtojnë sportistët e huaj në Shqipëri, ndonëse “drang e drug këmborë e madhe, qumështi gjysmë okare”!
Askush si në Shqipëri, nuk ishte i çliruar nga vargonjtë me të cilët injoranca e varfëria, agallarët e bejlerët, e shtypnin dhe e shfrytëzonin popullin. Enver Hoxha i shembi kanunet që skllavëronin gruan, u flakën zakonet e vjetra dhe obskurantizmi fetar. Në mendjet dhe zemrat e njerëzve depërtoi botëkuptimi materialist, normat e reja socialiste, humanizmi, kolektiviteti, solidariteti, dashuria për njeriun dhe punën. Përkundër kësaj, sot gruaja dhunohet dhe poshtërohet, jo vetëm në familje, por edhe nga trajtimi i qeverive që venë e vinë, duke i lënë rrugëve pa punë, pa mbrojtje. Fëmijët ngujohen nga gjakmarrja, plagë shekullore të cilën Enver Hoxha e zhduku që në vitet e para të çlirimit.
Enver Hoxha e kishte theksuar vazhdimisht, se çështja e fitores së socializmit mund të quhet e zgjidhur përfundimisht, vetëm atëherë kur të jetë zhdukur rreziku i rivendosjes së kapitalizmit, i cili vjen jo vetëm nga klasat e vjetra shfrytëzuese, apo nga sistemi i jashtëm, por edhe nga degjenerimi i brendshëm borgjezo-revizionist. Ky rrezik do ekzistonte derisa të ekzistonin bazat e tij që janë gjurmët e kapitalizmit brenda vendit dhe ndikimi e presioni i botës kapitaliste nga jashtë. Pararoja e kundërrevolucionit revizionist ishte përhapja e ideologjisë borgjeze, e maskuar me frazeologji socialiste.
Për të eliminuar rivendosjen e kapitalizmit, që dëshironin klasat e përmbysura dhe elementët e degjeneruar në gjirin e Partisë, ishte domosdoshmëri lufta e klasave kundër mbeturinave të vjetra dhe armiqve të rinj që lindnin në këtë periudhë, si rezultat i presionit të jashtëm. Nëse ka patur teprime në zbatimin e luftës së klasave, kjo duhet kërkuar tek elementët armiq dhe të degjeneruar në gjirin e Partisë, sikundër ishin edhe të katër ministrat e brendshëm. Prandaj Enver Hoxha theksonte se lufta e klasave shtrihet edhe në gjirin e Partisë, dhe duhej diktatura e proletariatit për ta çuar deri në fund revolucionin socialist, diktaturë, për të cilën Marksi ka shkruar: “Luftën e klasave nuk e shpika unë, atë e shpikën ideologët borgjezë, atë që bëra unë ishte se luftën e klasave e shtriva deri në diktaturën e proletariatit”. Te varri i Marksit në Londër, ka përherë lule…
Është merita e Enver Hoxhës për luftën kundër burokratizmit e liberalizmit, intelektualizmit e teknokratizmit, zakoneve e traditave feudo-borgjeze, rreziqe që i kanoseshin shtetit socialist. Vendosja e raportit të drejtë mes diktaturës e demokracisë solli demokracinë e vërtetë për masat e gjera punonjëse.
Gjithçka që u arit në Shqipëri në epokën e socializmit, është e lidhur me emrin dhe veprën e Enver Hoxhës. Në telegramin e ngushëllimit të presidentit francez Fransua Miteran, dërguar Ramiz Alisë, shkruhet: “Me rastin e vdekjes së zotit Enver Hoxha, sekretar i parë i Partisë së Punës të Shqipërisë, personaliteti i fortë i të cilit la gjurmë në historinë bashkëkohore shqiptare, ju përcjellë ngushëllimet e mija si dhe urimet për marrëdhëniet franko-shqiptare”.
Megjithëse antikomunist dhe përfaqësues i borgjezisë së lartë, Miterani, sikundër edhe shumë udhëheqës shtetesh dhe intelektualë ndërkombëtarë, e vlerëson për gjurmët që la në historinë e Shqipërisë, ndërsa disa laro që kërkojnë të përfitojnë nga situata e sotme, vazhdojnë akoma ta konsiderojnë “diktator”, “kriminel”, madje edhe disa trashëgimtarë të prindërve, që kanë punuar fare afër me Enver Hoxhën. Enver Hoxha nuk ishte diktatorë, por ishte parimor. Ai nuk lejoi t’i merrej Shqipërisë as një pëllëmbë tokë, përkundër Ahmet Zogut dhe politikanëve të sotëm. Ishte diktator se mposhti veprimtarinë titiste, e cila e rrezikonte për ta vënë Shqipërinë nën një skllavëri të re! Ishte diktator se përballoi revizionizmin hrushovian, i cili kërkonte ta kthente Shqipërinë në bazë ushtarake për të ngritur agresione kundër popujve! Ishte diktatorë se nuk pranoi propozimin e udhëheqësve kinezë ta bashkonte Shqipërinë me Jugosllavinë dhe Rumaninë në një aleancë ushtarake kundër BS! Ishte diktator se mbrojti politikën e pavarësisë dhe të sovranitetit të plotë kombëtar! Ishte diktator se demaskoi me guxim politikën neokolonialiste dhe agresionet e të dy superfuqive imperialiste, prirjet fashiste, natyrën shfrytëzuese dhe luftënxitëse të tyre!
Ishte diktator se zhduku krimet, përkundër një Shqipërie të kriminalizuar sot, ku krimet dhe vrasjet janë qindfishuar! Ishte diktator se zhduku malarjen, tuberkulozin, dhe sëmundje të tjera, duke siguruar një shëndetësi falas dhe të sigurtë! Ishte diktator se zhduku papunësinë, ndërkohë që sot, edhe atje ku disa janë punësuar, i flakin në rrugë për t’i zëvendësuar me militantë partiakë, duke zbatuar një luftë të egër kasash, sikur Shqipëria të mos jetë e shqiptarëve, por e partive! Ishte diktator se ndaloi degjenerimin e rinisë dhe e mobilizoi në punë, përmes së cilës, prodhoi të mira materiale dhe edukoi gjenerata të reja! Ishte diktator, se nuk lypi, nuk ja nderi dorën kurrkujt, duke u mbështetur në djersën e ndershme shqiptare! Ishte diktator se forcoi unitetin moralo-politik të të gjithë punonjësve!
Si mund të frymëzonte një diktator popullin, që ngriti hidrocentrale gjigande dhe lulëzoi fushat shqiptare, dikur këneta dhe plot shkurre? Si mund të frymëzonte një diktator punëtorë të pararojës, që jepnin jetën për pronën e popullit si Adem Reka, Pjetër Llesh Doda etj? Si mund të frymëzonte një diktator një armatë artistësh që krijuan vepra madhështore dhe i kënduan popullit dhe Shqipërisë plot art, duke sensibilizuar Evropën me këngët, vallet dhe kulturën e shqiptare?
Vepra e Enver Hoxhën, është e pavdekshme, edhe armiqësia e përjetshme e borgjezisë ndërkombëtare dhe borgjezisë vendase, të vjetër e të re, kundër socializmit dhe përfaqësuesit më të denjë të atij sistemi human dhe popullor, është e përjetshme. Populli i thjeshtë këtë e di mirë, dhe çdo vit që shkon, ndërgjegjësohet për frikën që sundon në Shqipërinë “demokratike”.