Portreti/intervista

Fatos Tarifa: Kush i trembet SPAK-ut, i trembet LIGJIT

Në këtë intervistë për gazetën DITA sociologu dhe diplomati i njohur Fatos Tarifa pyetet për aktualitetin politik dhe të ardhmen e afërt të atyre që sot janë protagonistë të këtij aktualiteti.

“Politikisht kemi krijuar një sistem nominalisht e formalisht demokratik, por që nuk funksionon si i tillë… Nga pikëpamja shoqërore, zhvillimi i arritur është shproporcional dhe i paqëndrueshëm”, – thotë ndër të tjera Tarifa.

Me profesorin bisedoi gazetari Xhevdet Shehu:

Prof. Tarifa, njihemi bashkë prej afro 40 vitesh dhe kemi pasur e ruajmë të njëjtin respekt për njëri-tjetrin, si në fillimet e njohjes sonë, edhe sot, edhe pse kjo periudhë është dy herë më e gjatë sesa ajo që ndan Luftën e Dytë nga Lufta e Parë Botërore.

Nuk kisha menduar ndonjëherë për miqësitë njerëzore në terma të tillë, si miqësi që mund të “maten” ose të krahasohen me periudha të historisë njerëzore ☺. Më bëre të ndihem shumë i moshuar, Xhevdet, kur as ti as unë nuk kemi pse shqetësohemi aspak për moshën që kemi. Të paktën sot për sot.

Pastaj, a nuk thoshte Mark Twain se “Age is an issue of mind over matter. If you don’t mind, it doesn’t matter”. Mosha e njeriut ka të bëjë, pra, me rëndësinë që ne vetë i kushtojmë moshës sonë; nëse nuk i kushtojmë rëndësi moshës që kemi, ajo nuk ka rëndësi.

Njeriu fillon t’i numërojë vitet që i kanë mbetur nga jeta e tij vetëm atëherë kur nuk ka më asgjë tjetër për çfarë të mendojë. Në qoftë se njeriu vetëm rri dhe pret, e vetmja gjë që ndodh me të është se ai plaket. Ti dhe unë nuk rrimë e nuk presim; ne punojmë dhe argëtohemi,

Shumë e vërtetë.  Të motçëm jo, ende nuk jemi, por me një eksperiencë të gjatë jetësore e profesionale, unë si gazetar dhe ju si një studiues i njohur i jetës shoqërore dhe i politikës. Pyetjet e mia sot kanë të bëjnë pikërisht me këto dy fusha të gjera të veprimtarisë njerëzore. Do j’u pyes shkurt, dhe do të dëshiroja edhe nga ju përgjigje të shkurtra.

Shkurt më mirë, nëse do mundem. Në varësi të pyetjeve që do më bëni.

Ku ndodhemi? Në ç’fazë të zhvillimit tonë historik jemi si shoqëri dhe si vend?

Në një fazë zhvillimi ende të papjekur për kohën dhe qytetërimin e sotëm. Një shoqëri pa dyshim moderne, por larg së qëni një shoqëri moderne e avancuar. Një vend që duam të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian, por që unë nuk e shoh ende si një mundësi të afërt.

Ekonomikisht vazhdojmë të jemi një vend i varfër. Jo më i varfër se 10, 20 apo 40 vite më parë por, sidoqoftë, më i varfër se të gjitha vendet e kontinentit e të rajonit tonë.

Politikisht kemi krijuar një sistem nominalisht e formalisht demokratik, por që nuk funksionon si i tillë. Abuzimi me pushtetin, shkeljet flagrante të rregullave demokratike, korrupsioni, krimi politik janë bërë recidivistë dhe, pra, tipare endemike të sistemit që kemi krijuar.

Nga pikëpamja shoqërore, zhvillimi i arritur është shproporcional dhe i paqëndrueshëm. Skajet e varfërisë për një pjesë të madhe të popullsisë dhe të pasurisë për një pakicë të vogël njerëzish janë distancuar në mënyrë ekstreme. Klasa e mesme nuk po zgjerohet, çka e pengon zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit.  Zhvillimi i Tiranës dhe i dy-tre qyteteve kryesorë është ku e ku nga ai i qyteteve të vegjël e periferikë. Po kështu, zonat urbane nga ato rurale.

Mentalite të reja dhe dukuri emancipuese, sidomos në radhët e brezave të rinj, bashkëjetojnë me mentalitete, dukuri e tipare të një shoqërie që e kemi lënë një shekull pas. Duke dashur të modernizohemi në këtë botë të globalizuar, kemi mbetur ende, në një masë të madhe, një shoqëri folklorike.

Nga pikëpamja e zhvillimi arsimor, kulturor e intelektual? Ju keni qenë me kohë shumë vokal dhe një zë i respektuar në këtë drejtim.

Për shkak se arsimi i lartë është vokacioni im profesional kryesor dhe krijimtaria intelektuale është ajo që më merr kohën dhe energjitë më të mëdha—por edhe më jep kënaqësitë më të mëdha—çfarë konstatoj në këto lëmí është e dhimbshme.

Vërtet kemi një klasë intelektuale që thuajse nuk dallon nga ajo që kanë kroatët, hungarezët, rumunët, sllovakët, sllovenët apo bullgarët, vendet e të cilëve sot janë pjesë e Bashkimit Europian, por kemi edhe një masë jo të vogël njerëzish që janë thuajse analfabetë.

Kemi nxjerrë nga shkollat tona të larta shumë talente të jashtëzakonshëm në shkenca e në arte (Laura Mersini dhe Ermonela Jaho nuk janë të vetmet), por ç’ka ndodhur me ta? Na “i ka marë bota”, sepse nuk kemi qenë e s’jemi në gjendje—dhe ndoshta as kemi dashur e nuk duam—që t’i mbajmë, t’i çmojmë, t’u krijojmë kushte pune e jetese siç meritojnë (dhe siç bota e zhvilluar ua ofron), as t’i dëgjojmë e të mësojmë prej tyre.

Por kemi pasur e kemi edhe shumë mediokritet në shkollat tona të larta dhe në institucionet e tjera akademike. Një pjesë e madhe e pedagogëve shqiptarë (shumë prej tyre profesorë), vazhdojnë të ushqehen me mediokritet dhe prodhojnë mediokritet dhe fiktivitet—“studime” mediokre dhe studente mediokër. Ky është një ogur i keq për zhvillimin tonë.

Kërkojmë ta “ndërkombëtarizojmë” arsimin tonë të lartë (dhe në disa universitete vërehen disa zhvillime shpresëdhënëse në këtë drejtim), por një pjesë shumë e madhe e pedagogëve në rreth 30 universitetet tona kanë një nivel jo më të lartë se sa ai i mësuesve më të mirë të shkollave të mesme.

Kjo është një anomali sistemike që të mban në vend. Dhe të mbetesh në vend në një kohë kur bota shkon përpara me ritme shumë të shpejta, do të thotë të mbetesh prapa, shumë prapa. Kjo e bën edhe më të vështirë, më të mundimshëm dhe gati të pamundur—sot dhe nesër—progresin “me hapin e kohës”.

Zhvillimi kulturor? Kultura dhe artet te ne në këto tridhjetë e ca vitet e fundit nuk u zhvilluan në një terren djerrë. Edhe pse në kushtet e një “diktature të proletariatit” dhe të një censure të rreptë, ne bëmë art dhe krijuam kulturë në vendin tonë, siç bëmë edhe shkencë, ndonjëherë të nivelit ndërkombëtar (dhe jo vetëm në gjuhësi, në histori e në arkeologji, por edhe në fusha të ndryshme të inxhinierisë). Çuditërisht—dhe fatkeqësisht—shkrimtarët dhe studiuesit tanë albanologë, piktorët dhe skulptorët, regjizorët dhe aktorët, kompozitorët dhe dirigjentët tanë më të mirë mbeten ata që ishin, jo këta që janë.

Kjo është vërtetë e habitshme dhe shumë e dhimbshme. Përse ka ndodhur e ndodh kështu?

Është në të vërtetë ahistorike, nëse mund të shprehem kështu, edhe pse ku nuk është termi i duhur. Sepse nuk bën kuptim në kontekstin e sotëm historik. Vështruar nga një perspektivë historike, kohë të reja sjellin zhvillim. Mund të sjellin edhe restaurim të së vjetrës, por ky është një përjashtim nga rregulli, nga ligjësia sociologjike, jo vetë rregulli.

E tillë është dialektika e historisë. Por kjo dialektikë historike nuk është një forcë e verbër. Ajo nuk vepron e nuk realizohet jashtë interesave dhe vullneteve njerëzore, jashtë dhe pavarësisht veprimtarisë së qëllimshme të agjentëve socialë—individëve, grupeve dhe institucioneve shoqërore, përfshirë, sidomos sot, një rrjet të gjerë organizatash të shoqërisë civile, televizionin dhe rrjetet sociale—që informojnë, motivojnë dhe, si rregull, përcaktojnë sjelljet dhe qëndrimet tona në shoqëri, raportet tona me traditën, me njëri-tjetrin dhe me shtetin.

Çfarë konkretisht kini parasysh me këtë?

Shumë gjëra. Në radhë të parë rolet e ndryshuara të familjes e të shkollës në ditët tona. Në radhe të dytë, indiferencën thuajse të plotë të shtetit ndaj zhvillimeve në fushën e arsimit të lartë, të artit e të kulturës dhe, paradoksalisht, rolin komandues të shtetit në këto fusha.

Shteti ynë investon shumë pak për zhvillimin e arsimit të lartë (dhe për arsimin në përgjithësi), si dhe për zhvillimin e arteve e të kulturës, ndërkohë që me departmentet e tij, atë të arsimit dhe atë të kulturës, shteti kontrollon thuajse gjithçka.

Në këto fusha nevojitet më pak shtet dhe më shumë liri. Kërkesa për më shumë liri në arsimin e lartë, në arte e në kulturë nuk është një thirrje për anarki. Arsimi i lartë, artet dhe kultura mund të zhvillohen e të lulëzojnë vetëm në kushtet e lirisë. Kjo është e vërtetë për çdo sferë të krijimtarisë intelektuale.

Por a nuk ju shqetëson fakti që, pikërisht në emër të kësaj lirie për të cilin flisni ju, një pjesë e mirë e librave që botohen dhe e programeve paçavure (neve nga jugu na pëqen ta përdorim këtë fjalë) që shohim në disa kanale televizivë, s’kanë pikë vlere estetike, informuese ose edukuese? E kam fjalën kryesisht për një seri programesh të llojit “reality show” dhe ju keni shkruar për to në këtë gazetë.

Nuk kam asnjë dëshirë të flas sërish për programe të tilla, importe të shëmtuara televizive, jo artistike, jo kulturore dhe aq më pak emancipuese.

Funksioni dhe roli i vërtetë i artit dhe i kulturës është jo thjesht argëtimi (argëtimi i kujt, si, me se?), por emancipimi estetik e shoqëror i qytetarëve. Shihni ata persona “VIP” që zgjidhen në “Big Brodher”, në “Love Island” ose “yjet” e një show të tillë si “Dancing with the stars” dhe kuptoni fare mirë se cilët individë cilësohen persona “VIP” dhe “yje” te ne nga njerëzit që i drejtojnë këto media të mëdha.

Liria është një fjalë e madhe. Ajo shpreh thelbin e vërtetë të jetës në shoqëri, por të tillë nuk e bëjnë shijet vulgare të një mase sado të gjerë njerëzish, ose interesat e një grupi të vogël njerëzish që duan t’i ruajnë dhe ushqejnë këto shije vulgare.

Po politika? Në një intervistë si kjo me ju nuk mund t’i shmangemi këtij subjekti. Ç’po ndodh me politikën shqiptare?

Kam shkruar deri më sot qindra faqe mbi këtë subjekt dhe nuk e di ç’kam lënë pa thënë, ose ç’mund të them tjetër pa përsëritur ato që kam thënë. Në fakt, nuk ka subjekt më të bezdisshëm për të cilin mund të shkruaj se sa politika e ditës.

Por, meqenese më pyesni, shkurtimisht mund të them këtë:

Mjerisht, po sillemi në një rreth vicioz, me po ato fytyra që kemi parë në politikë për më shumë se 30 ose 20 vite me radhë. Normale do të kishte qenë që këto fytyra sot t’i kishim harruar. Edhe Berishën. Edhe Metën, Edhe Ramën. Siç pothuajse kemi harruar Nanon dhe nuk flasim më për të. Por i kemi përsëri nëpër këmbë. Dhe janë bërë të gjithë pengesëKur të mos ua shohim më fytyrat dhe kur të mos ua dëgjojmë më zërin në televizion, do fillojmë t’i harrojmë. Edhe pse ne, shqiptarët, nuk i harrojmë dot lehtë “prijësit” tanë, edhe ata që na kanë shkelur me këmbë—nga Zogu te Hoxha. Por ndoshta këta të sotmit do mundemi t’i harrojmë më lehtë dhe më shpejt.

Fati i Berishës?

Një fund pa lavdi, madje një fund i turpshëm. Berisha po jeton në fakt fundin e tij të merituar dhe ne po jetojme fundin e marrëdhënies sonë fatkeqe me të.

Fati i Metës?

Një fat po aq i palavdishëm, thuajse njëlloj si i Berishës.

Dhe fati politik i Edi Ramës?

Jo si i dy të parëve—shpresoj dhe besoj—por, sidoqoftë, një fat jo shumë i dëshiruar.

Rama i ka pasur të gjitha mundësitë—si dhe mbështetjen e nevojshme popullore—që të bëhej e të mbetej një administrator i mirë i pasurive të vendit dhe i punëve të qeverisë (edhe pse një politikan i keq), por ai i shpërdoroi këto mundësi njëra pas tjetrës.

Egoizmi dhe narcisizmi i tij, dëshira për pushtet të pakushtëzuar dhe absulut mbi këdo e mbi gjithçka, e bënë atë një drejtues arrogant, prepotent e megaloman të qeverisë, një kryeministër që më shumë është kujdesur për imazhin dhe fatet e tij, sesa për nevojat jetike të qytetarëve shqiptarë në nevojë e në pension, më shumë për t’u dukur “interesant”, “i veçantë” dhe një “poliglot” në sytë e të huajve, sesa interesant dhe i veçantë për qytetarët e vendit të vet, me të cilët, edhe pse flet disa gjuhë, nuk ka ditur të flasë gjuhën që këta kuptojnë më mirë, gjuhën e popullit.

Unë i kam vlerësuar shumë prej punëve të mira që ai ka bërë—dikur si kryebashkiak i Tiranës e më pas si kryeministër—por nuk më kanë pëlqyer asnjëherë arroganca në sjelljen e tij me opozitën, me familjen e tij politike të socialistëve dhe, sidomos, me qytetaraët e këtij vendi. Dëshirën e tij për të kontrolluar çdo pushtet dhe pritjen për të larguar nga vetja çdo përgjegjësi morale e politike për gabimet e bëra, janë pak t’i quash shqetësuese.

Dhe SPAK?

Është i vetmi institucion shtetëror të cilit shumica e qytetarëve shqiptarë i besojnë sot. Nuk i besojnë qeverisë; akoma më pak i besojnë parlamentit (shumicën e parlamentarëve i përçmojnë); mund të fillojnë t’u besojnë gjykatave, por te SPAK kanë besim. Ke vënë re se sa i trëmben SPAK-ut shumë nga ligjvenësit dhe qeveritarët tanë—të sotëm e të djeshëm—dhe se si përpiqen ta minojnë punën e tij?

Kjo është një shenjë e mirë. Kura e duhur po vepron mbi sëmundjen e rëndë të organizmit. Kush i trembet SPAK-ut, i trembet LIGJIT. Më në fund.

A nuk kemi dashur gjithnjë të kemi një shtet ligjor dhe një shtet të së drejtës? Duket se vetëm tani po nisim ta ngemë një shtet të tillë. Edhe pse e vonuar, kjo është një fitore e madhe për demokracinë dhe për mbarë shoqërinë tonë.