Histori

Faton Mehmetaj: Sali Shabani – Heroi shqiptar që mori hak për qindra bashkëkombës të vrarë e të masakruar

Salih Shabani është luftëtari që nxori hakun për qindra shqiptarë të vrarë në masakrat që i bëri Spiro Dobrosavleviqi

Për shkak të mizorive të panumërta të xhelatëve serbë të kryera mbi popullsinë e pafajshme shqiptare, Lëvizja Kombëtare për Çlirimin dhe Bashkimin e Tokave Shqiptare dhe udhëheqësit e Çetave Kaçake vendosën të hakmerren kundër pjesëtarëve të “Dorës së Zezë”. Salih Shabani i Kabashit të Prizrenit ishte bërë luftëtar me nam, në Prizren e më gjerë. Salihu e vrau Spiro Dobrosavleviqin më 10 shtator 1919. Edhe pas vrasjes së Spiro Kapetanit i vazhdoi aksionet në emër të lirisë, prandaj heroizmin e këtij trimi populli e përjetësoi në këngë:
“A ka shqiptar si e falë Bajramin
Mrend t’ma len Salih Shabanin,
E ka vra Spirë kapetonin”
Salih Shabani ishte një luftëtar i regjur i çetave kaçake, ishte luftëtar tipik i përkushtuar për lirinë e Kosovës me prirje demokratike. Mbante lidhje me Bajram Currin. Ishte pjesëmarrës në revolucionin e qershorit më 1924 në Shqipëri së bashku me 20 burra nga Kabashi. Salihu ishte njëri ndër luftëtarët besnikë të çështjes kombëtare dhe luftëtar i pa kompromis kundër çetave e bandave çetnike të rajonit të Prizrenit me rrethinë. Veprimtaria e tij luftarake ishte e njohur mirë nga organet e pushtetit serb, ai ishte bërë tmerr për ta, prandaj organet e sigurisë serbe e konsideronin shumë të rrezikshëm. Salihu gjatë kësaj kohe kishte vepruar me grupin e tij, prej kufirit të Shqipërisë deri në Karadak të Shkupit. Ai i takonte një çete të kaçakëve me nam. Në vitin 1919 organizon vrasjen e Spiro Dobrosavleviqit (i njohur në popull si Spirë Dellovci) dhe Filip Nedelkoviqin i njohur në popull si Fila i Sahisë që ishte truproje e tij. Spiro Dobrosavleviqi ishte pjestar i organizatës “Dora e Zezë” që udhëhiqej nga piemonti sllav Dragutin Dimitrijeviqi-APIS-i. Ai ishte pjesëmarrës dhe organizator i Masakrës së Kabashit që u bë nga mesi i marsit të vitit 1913, aty u prenë me sakicë 97 burra shqiptarë të Kabashit, te arra dy degëshe në skajin verior të livadhit të manastirit. U prenë burra nga familjet, Dakaj, Ahmetaj, Rexhaj, Kukaj, Balaj, Dullaj, Ukaj, Zekaj, Muqaj, Bobaj e të tjerë. Të gjithë të fisit Kabash. Në kryerjen e kësaj masakre dhe organizimin e saj qëndronte personeli i kishës serbe në Mushtisht të Kabashit,.Ushtria serbe e divizionit të Shumadisë dhe serbët lokal si: Vuksan Jovanoviçi, vëllezërit Angjellko e Maksim Ristiqi, Spir Kola, Jova i Lubizhdës, Matush Gapiqi, Mark Gavazi i Novakës, vojvoda i Vërbiqanit, por organizatorët kryesor të kësaj masakre ishin Kapiteni Spiro Dobrosavleviqit dhe File Delloci. Në këtë masakër morën pjesë edhe Gapiqët e Puhiqët e Prizrenit, kryemurgu Serafim dhe daskall Petri. Në shej hakmarjeje për krimet e kryera mbi popullin shqiptar të rajonit të Prizrenit dhe për vrasjen e 97 shqiptarëve në masakren e Kabashit, ku kishte edhe gra pleq e fëmij, Salih Shabani e zënë pritën në Grykë të Baqevcit, afër fshatit Grejkoc ku do të kalonin Spiro Dobrosavleviqi dhe File Delloci, kur afrohen afër Salihu i pisket Spir Kapetanit dhe dredhë manxerren duke qitë në ta dhe i vret që të dytë në Grykë të Baqevcit. Kjo vrasje pati jehonë të madhe në të gjitha hapsirat e trojeve shqiptare. Salih Shabani pasi e vret Spir Kapetanin dhe File Dellocin del në Shqipëri, por kohë pas kohe ka ardhë edhe në Kosovë dhe me grupin e tij ka operuar deri në fshatin Kabash të Vitisë. Aty Salihu i kishte edhe disa pjestarë të çetës së tij të cilët ishin edhe lidhje familjare e Salihut. Është ky viti 1920 kur Salih Shabani kalon kufirin nga Shqiperia dhe del në Kosovë. Në ketë periudhë Salihu dhe çeta e tij shpesh ndeshen me forcat serbe, por që në të gjitha rastet i shpartallon pritat dhe luftimet me këto grupe të çetnikëve e të ushtrisë serbe të asaj kohe. Salihu për t’i përballuar më lehtë luftimet me ushtrinë serbe, grupet e çetnikëve dhe të xhandarmërisë shkon në Gjilan dhe bënë marrëvshje me grupet e kaçakëve të Karadakut. Në ketë grup i futë edhe grupin e kaçakëve nga Kabashi i Vitisë të cilët i kishte kushëri. Kurse në pranverë të vitit 1921 Salihu del prap në Kosovë dhe operon gjatë me Lëvizjen Kaçake në Podgur, në rrethin e Istogut, bashkëpunon ngushtë me kaçakët e rrethit të Suharekës e Drenicës ku edhe i vendos kontaktet me komandantin e Lëvizjës Kaçake Azem Bejtën. Gjatë vitit 1922-1923 Salihu me bashkëluftëtar të tij e zhvillon një luftë të ashpër me xhandarr në fshatin Grançar të Prizrenit. Në këtë luftë i vriten Salihut disa bashkëluftatar në mesin e tyre edhe vëllau i Saliut Aliu dhe luftëtari tjetër Sabiti, kurse Salihu dhe Bali Kabashi nga Suhareka plagosen. Edhe pse të plagosur ata çajnë rrethimin duke lënë disa xhandar të vrarë e të plagosur. Grupi i kaçakëve që u printe Salih Shabani ka operuar pothuajse në të gjitha trevat e Kosovës. Ky grup mbanin lidhje dhe merrnin urdhëra edhe nga Bajram Curri. Duhet përmendur se pasi Salih Shabani e vret Spiro Dobrosavleviqin dhe File Dellocin, serbët e fshatit Mushtisht, Delloc dhe Dvoran po atë natë janë hakmarrë ndaj shqiptarëve në Mushtisht për vrasjen e Spiros. Me këtë rast është vrarë Rrustem Osmani. Kurse pas dy-tre ditëve në Prizren, xhandarret ia marrin familjen Salihut dhe ia internojnë në Serbi, babai dhe mixha i tij vdesin në burgun e Nishit. Po ashtu në vitin 1951 vdes në burgun famëkeq të Nishit edhe vëllai i Salihut, Hyseni. Kurse më vonë Salihu e merr gruan e vet dhe një vëlla të cilët i qet në Shqipëri për t’i larguar nga përndjekjet dhe torturat. Duhet cekur edhe një gjë, në shej hakmarrjeje për masakren e Kabashit të marsit të vitit 1913, ku u vranë mbi njëqind fshatarë, shumica djem të rinj u theren me thika dhe u prenë me sopata duke i djegur në kishën e Shën Markut. Në vitin 1915 Kabashasit në një betejë që u zhvillua kundër trupave serbe në rajonin Livadhi-Kulla e Lekë Dukagjinit – Drini i Bashkuar, për t’u hakmarrë ndaj masakrës që bënë çetnikët serbë me 1913, i kishin vranë 100 ushtarë e nënoficerë dhe 11 oficerë serb, ndër të cilët edhe kolonelin Todor Pavlloviqin, që ishte komandant i Regjimentit të Tretë të Divizionit “Morava”, një major dhe katër kapitenë si dhe kishin lënë të plagosur 13 oficerë serb të kësaj armate. Edhe ato forca serbe që u tërhoqën nga Prizreni në drejtim të Mirditës kanë pësuar dëme të mëdha nga focat mbrojtëse shqiptare. Në Mirditë i zunë rob aradhës serbe 250 ushtarë dhe 20 oficerë në krye me Dushan Tukshiqin. Keshtu që Salih Shabani me gjithë këto vuajtje dhe sakrifica qëndroj stoik, i pa trembur dhe i pa përkulur në as një moment të jetës së tij, duke pasë një jetë plot lavdi e nderë. Vdiq në vitin 1936 në fshatin Kolsh të Lumës në Shqipëri. Është dekoruar me urdhër për veprimtari patriotike të klasit të parë. Emrin e tij e mbajnë rrugë e sheshe, ka shumë këngë dhe janë shkruar shkrime e romane, poezi e skica biografike për të.