Dita e djeshme, në sallën e Këshillit Bashkiak të kryeqytetit të shqiptarëve, në Tiranë, dëshmoi një të vërtetë të madhe: mendjet e ndriçuara dhe burrat fisnikë janë të aftë të mbledhin rreth vetes edhe atë që mund të quhet e pamundur: të kundërtat e të ndryshmet, për të qenë bashkë në një moment kur historia fillon e shkruhet ndryshe.
Ali Ahmeti, “një shqiptar ndër më të mirët të historisë sonë kombëtare”, përcaktim i shefit të qeverisë, Edi Rama, dhe, nga dita e djeshme, Qytetar Nderi i Tiranës, ndoshta më i veçanti në mesin e tyre, dhe Kryetari i bashkisë së kryeqyetit, Erion Veliaj, mblodhën në një sallë të përbashkët gjithë shtetin shqiptar, pikërisht në Bashkinë e Tiranës.
Pse ndodhi kjo? Si arritën të mbledhin në një sallë burra të nderuar të shtetit shqiptar, të djeshëm dhe të sotëm, ish presidentë dhe shefa qeverie, Kryetarë dhe ish drejtues të Kuvendit , presidentët e periudha të ndryshme, ministra dhe miq e bashkëpunëtorë të Ali Ahmetit, dy burra që, aq sa kanë të përbashktat, kanë edhe ndryshimet.
Ali Ahmeti ishte njeriu që udhëhoqi popullin e tij në dy lufta; për të rrëzuar në njerën sundimin dhe pushtimin mizor, duke sjellë lirinë, dhe në tjetrën, barazinë dhe të drejtën e shtetformimit. Erion Veliaj, ka pasur dhe vazhdon të ketë mbi vete misionin tjetër jetësor, të heqë absesin e llahtarshëm të mëkateve të ngeljes në vend, për të ngritur ,në vete fillimisht, kantierin e punës, dhe, pastaj, ta përcjellë tek të tjerët.
Ishte vetëm kjo që mblodhi në sallën e bashkisë së kryeqytetit figura nga më të nderuarat në historinë e pluralizmit shqiptar: Nuk është vetëm kaq. është edhe përtej saj.
Ka të bëjë me njeriun e luftës dhe të paqes, por ka të bëjë edhe me njeriun e punës dhe të perspektivës.
Ali Ahmeti dhe Erion Veliaj nuk kanë pasur rrugëtim të përbashkët. Kanë pasur jetë të ndryshme, preokupime të ndryshme, stacione jo të njëjta, ashtu si edhe kanë gjetur miq të përbashkët, që kanë qenë të domosdoshëm përtej jetës së tyre vetjake.
I pari, ka një fillesë të rëndësishme si student i pranverës shqiptare të vitit 1981, për të shkuar më tej, në bashkimin e grupeve të rezistencës, ngritjes së strukturave të luftës, fillimisht në Kosovë, përgatitjen e demonstratave të mëdha, si ato të vitit 1989, pastaj aksionet e luftës, për të gjetur një hapësirë më të gjërë në vendlindjen e tij, në Maqedoninë e Veriut. Ai e ka ditur mirëfilli se nuk mund të jetë e lirë një pjesë, pa qenë edhe pjesa tjetër. Njeriu më i besuar i Adem Jasharit dhe Fehmi Lladrovcit, vëllezerve Haradinaj apo Grupit të Drenicës e të Llapit, djemve në Dukagjin e në Shalë, kishte ardhur në këshillin bashkiak të Tiranës jo thjeshtë si luftëtar, por si njeriu i paqes, që ngre urat e bashkimit dhe të paqtimit, përmes mendjes dhe fjalës së urtë.
Erion Veliaj, mikpritësi i tij ka një rrugëtim tjetër, krejt ndryshe, që lidhet më shumë me paqen dhe krijimin e një bote ndryshe, me imazhin e një tipi të ri në politikën aktuale, që, sa është i pranishëm në botën mediale, aq edhe në jetën e përditshme qytetare. Ndoshta kjo do të jetë njëra ndër detyrat më të vështira të jetës së tij, por që ka lidhje me atë që tha në fjalën e tij të falenderimit zoti Ahmeti.
Në vitin 1991, kur për herë të parë klandestini i vjetër erdhi në Tiranë gjithçka ishte në përmbysje. Tirana atëherë nuk njihej nga rënia, ndërsa tani nuk njihet nga ringritja, madhështia, krijimi i një qyteti modern evropian, plot shpresë dhe qendër e shqiptarëve. Kjo Tiranë është edhe e Adem Jasharit, edhe e Zahir Pajazitit , edhe e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, edhe e familjes Haradinaj, pra është e të gjithëve. Ajo ka vend për të gjithë, që ndjehen në shtëpinë e tyre, që e duan atë njëlloj si qytetin apo fshatin e tyre të lindjes, që e kanë njohur si kryeqytetin dhe qendrën e madhe të botës shqiptare.
Me Ali Ahmetin kemi qenë në Shqipëri së bashku edhe në vitin 1996, edhe dy vite më pas, jemi takuar me shumë nga ata që ishin në atë sallë, me presidentë të kohës dhe shefa qeverie, kemi pasur bisedime të furishme dhe qetësie, por jemi mirëkuptuar. Ky burrë, që është nga dita e djeshme qyetar nderi i Tiranës, edhe në çastet kur gjërat ashpërsoheshin, ishin burim qetësie dhe oaz i bisedës së shtruar.
Këtë e gjeti edhe tek kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj. Mund të jetë i sulmuar dhjetra herë më shumë se shefat e tjerë bashkiakë, (përgjithësisht këto anatemohen kur janë të së majtës ), por ndjell besimin dhe ka guximin të bëjë diçka të re dhe të jetë shpresë dhënës për të ardhmen.
Ata u mblodhën në një sallë të përbashkët gjithë shtetin shqiptar, jo thjeshtë për të nderuar atë që Edi Rama e quajti, “ mjeshtri ynë më i madh në përdorimin e armëve të diplomacisë për të afirmuar botërisht subjektivitetin tonë kombëtar”, por edhe njeriun që, në vazhdën e më të mirës në drejtimin socialist të kryeqytetit, njeriun që e bëri Tiranën kryeqytetin e rinisë botërore, të panaireve të mëdha, të jetës së vrullshme, të grumbullimeve nga e gjithë bota, të ngjarjeve të rëndësishme, të vërshimit turistik, mjdisit të qetë dhe luksoz, zhvillimeve sociale, teknologjisë së afirmuar, konceptit të ri për jetën. Në fund të fundit, të gjitha këto afirmojnë subjektivitetin tonë kombëtar, sepse kushdo e do të bukurën, të mirën, të duhurën dhe shpresë dhënësen.
Mes njërit dhe tjetrit , mes Ali Ahmetit, njeriut me të cilin u lidhëm 32 vite më parë për atë që të bën jetën më kuptimplotë dhe të frytshme dhe Erion Veliajt, e përbashkta që mblodhi njerëzit është jo vetëm ajo që kanë bërë, por edhe fruti që lënë pas vetes.
Në një kohë tjetër, ai takim mund të bëhej në një vend tjetër, nëse do të ishte kohë e luftës; mund të bëhej në një sallë të mbyllur, ku do të ishte më shumë një ndërlikim njerëzish se sa një mbledhje nderuese. Mund të kishte spektatorë të heshtur, apo kundërshtarë të pakuptimtë, që, do të kishin “ aq shpifje , revoltë sa edhe xhepa ku ndrynin pasurinë e tyre”, por në atë sallë të përbashkët u nderua lufta dhe jeta e dinjitetshme e një njeriu fisnik, ndoshta në më fisnikët e kohës, por edhe puna e një njeriu që , duke ndryshuar Tiranën, ndryshoi edhe konceptin e mbylljes së shtetit, qytetit dhe jetës së një drejtuesi të lartë.
Tirana, të cilën tani Ali Ahmeti nuk e kishte parafytyruar kurrë njëzet vite më parë, aq sa është një qytet kozmopolit, aq është edhe thellësisht shqiptar. Aty është qendra e njerëzve që e duan Shqipërinë, nuk e mallkojnë, edhe pse mund të mendojnë ndryshe; në fakt Tirana është bërë, pa asnjë dyshim zemra e shqiptarëve, që e matin dinjitetin e tyre, ecurinë, pespektivën , shpresën pikërisht me Tiranën.
Në atë sallë kishte burra të denjë për Tiranën dhe shqiptarët.
I mblodhën dy figura të rëndësishme të politikës sonë. Që janë të ndryshëm në shumë çka të fillesës së jetës së tyre politike, por kurrë të kundërt. I mblodhën duke nderuar jetën e një njeriu që bëri historinë e jetës së tij pjesë të historisë së kombit, por edhe respektuar punën e një drejtuesi që tashmë ka gjurmët e punës së tij në Tiranën e frymuar ndryshe.
Si njëri, dhe tjetri, në periudha të ndryshme , kanë qenë të sulmuar furishëm. Të jesh përtej mërisë së grindjeve, sherreve, banaliteteve është virtyt i njerëzve të urtë dhe të mënçur. Në fund të fundit i njerëzve që bëjnë punën e duhur. Ata e kanë bërë këtë.
Ali Ahmeti ka dashur një Tiranë të tillë, të zhurmshme, të qetë, në ringritje, në lëvizje, gjithë jetë, pa pezmin e ndarjes, të hidhëruar për atë që nuk është arritur, por shpresëplotë, një Tiranë të cilën kishte pasur droje ta ëndrronte si të tillë, sepse i dukej e pamundur. Tani e prek me dorë, është qytetar nderi i saj, sjell frymëzimin e tij dhe merr atë që ia dhuron bujarisht Tirana, mendimin e qartë se , edhe një brez i ri, ndoshta me ngurrimet e fillesës politike, mund të bëjë gjëra të mëdha, të ndjeshme dhe të prekshme.
Nganjëherë, edhe nga një ngjarje e tillë, njeriu mund të ndjejë se ajo që është e mundur nga bashkimi i njerëzve është përtej llafeve të serialeve të pafund në studiot televizive. Kur, në të shumtën, njerëz që nuk kanë vënë kurrë një gur, mbledhin të tillë për t’ua hedhur njerëzve të luftës dhe të punës.
Dikur, në librin “ I Vërteti” , kam shkruar se, “ Ali Ahmeti gjithë jetën kërkoi luftën, dhe, kur e gjeti atë, zgjodhi paqen”. Pikërisht këtë paqe përcolli kjo sallë, që mund të ishte edhe më e plotë, nëse do të ishin aty edhe disa nga miqtë e vjetër të Ali hmetit, që bëjnë pjesë në opozitën e tanishme.