Enver Zhinipotoku: Njerëzorja dhe Atdheu – binomi i mishëruar në personalitetin e Abdullah Gashit
Shembujt dhe veprat e mira nuk duhet lejuar të harrohen.
I përjetshëm kujtimi për shembullin dhe veprën e Abdullah Gashit, i cili para 22 viteve kaloi në amshim. (Ibrahim Xhemajli)
Portreti i Abdullah Gashi është skalitur në vepren “Portrete të anatemuarish” të prof.Enver Zhinipotokut:
NJERËZORJA DHE ATDHEU-BINOMI I MISHËRUAR NË PERSONALITETIN E ABDULLAH GASHIT
Ishte ndër njerëzit më të matur që kam pasur rastin të njoh, ndër më të informuarit që mund të hasje asokohe, ndër të paktët që lexonte vazhdimisht dhe ndër ata që me elokuencën e oratorisë nxiste të tjerët për veprime të matura atdhetare.
Është detyrë e vështirë të provosh të shkruash për mikun, i cili me rrezatimin dhe angazhimet e tij atdhetare në kohërat më të vështira, ka lënë gjurmë të pashlyeshme dhe do ta përmendin e kujtojnë brezat në shenjë nderimi për devotshmërinë dhe përkushtimin e guximshëm ndaj atdheut dhe sfidave që sillte jeta me vrazhdësitë e saja. Abdullah Gashi (1942- 2000) është padyshim ndër njerëzit më të spikatur, më të vendosur, më të përkushtuar ndaj çështjes kombëtare dhe më me influencë në qytetarinë ferizajase në dy deceniet e fundit të shekullit të kaluar me dy iksa. Edhepse me një shkollim fillor të ulët (kishte të kryera vetëm katër klasët e para të shkollës fillore, e më vonë kishte arritur të kualifikohej si punëtor mekanik), ai që në krye të herave pas ngjarjeve të 1981- it, ishte vënë në qendër të survejimit të sigurimit shtetëror serb dhe ishte larguar nga puna, kurse nga ana tjetër, tek të gjithë shqiptarët fitoi simpatinë e njeriut të jetë i dashur dhe u bë simbol sakrifice, devotshmërie e durimi, me një ndikim permanent frymëzimi për atdhedashuri, kudo që qëndroi e militoi për çështje të Kosovës. Ishte ndër njerëzit më të matur që kam pasur rastin të njoh, ndër më të informuarit që mund të hasje asokohe, ndër të paktët që lexonte vazhdimisht dhe ndër ata që me elokuencën e oratorisë nxiste të tjerët për veprime të matura atdhetare. Abdullah Gashit mund t’i përshkruhet fakti se nuk mund t’i gjendet asnjë kundërshtar që nuk pajtohej me të dhe elaborimet e tij, për problemet që ngriteshin asokohe rreth çështjeve të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai dhe Sadik Tafarshiku, mbase mund të quhen pivotmen (luftëtarë të vërtetë, prijës) të atdhetarisë ferizajase më me influencë, atëherë kur, Ferizajn dhe vorbullën e ngjarjeve që zhvilloheshin në këtë qytet, në vitet e ‘80-ta Kuvendi i Serbisë i kishte shpallur zyrtarisht hiç më pak se “pikën më të nxehtë dhe më të rrezikshme të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar në Kosovë”! Abdullah Gashi nuk ishte intelektual i shkolluar, por ishte intelektual i formësuar nga jeta dhe krajatat e saj; nuk ishte atdhetar doktrinar, por patriot me mendime vigjilente për shqiptarizëm; nuk bënte pjesë në grupin e njerëzve prepotentë e lavdaqë, por kishte një racionalizëm dhe potencë tepër të pjekur për zgjidhjen e dilemave të shumta, kah duhet ecur nëpër prushin e kohës. Të gjithë ata që e kanë njohur këtë burrë të madh të çështjes kombëtare, pajtohen se Abdullah Gashi, me bisedat e tij të shëndosha, plot invencion, humor e racionalizëm, në çdo vend ku ishte i përvetësonte të gjithë të pranishmit shpirtërisht. Ishte shumë e vështirë, mbase e pamundur, që të kundërshtoje argumentet që sillte ai në çdo bisedë, ku kuintesenca ishte atdheu dhe brengat për të. E kishte kalitur jeta këtë madhor të thjeshtë, zeshkan e topolak, që asnjëherë nuk ishte i vetëm në tavolinat e kafeneve “Lisi” e “Prishtina”, ku thuaja i kalonte të gjitha ditët prej mëngjesi, deri në mbrëmje me plotë shokë, që shpesh ishte e pamundur të gjeje vend të uleshe me të në një tavolinë, sepse ajo ishte e mbushur gjithë ditën me njerëz që nuk mërziteshin duke ndenjur me të. Unë Abdullah Gashin e kam njohur (sikur edhe shumica) pas demonstratave të prillit 1981 në Kosovë. Më 3 prill ishin zhvilluar demonstrata të fuqishme në Ferizaj, për avancimin e statusit të Kosovës nga niveli i Krahinës Autonome, në nivel Republike, të barabartë me njësitë tjera në Federatën Jugosllave. Ferizaj në këto demonstrata kishte dhënë dy dëshmor të kësaj pranvere: Riza Matoshin dhe Sherif Frangun. Shovenizmi serb menjëherë nëpër shkolla e fabrika kishte filluar largimet e mësimdhënësve e punëtorëve në emër të të ashtuquajturit “diferencim ideo- politik nga nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar”. Shqipëria zyrtare, një javë nga demonstratat e 1, 2 e 3 prillit nuk kishte dhënë asnjë koment, ndonëse menjëherë ishte akuzuar se “ka gisht në këto ngjarje”. Ishte ditë e mërkurë, 8 prill 1981 kur reagoi Shqipëria zyrtare me një artikull të gjatë redaksional në gazetën kryesore “Zëri i Popullit” me titullin “Pse u përdor dhuna policore dhe tanket kundër shqiptarëve në Kosovë”?!, i cili u dha disa herë gjatë ditës nga Radio Tirana, në të cilin demaskohej politika antishqiptare e shovinizmit serb dhe ajo jugosllave në Kosovë. Shtypi dhe propaganda jugosllave ishte ngutur që menjëherë të fajësojë shtetin shqiptar për ngjarjet në Kosovë. Revista javore prestigjioze beogradase “NIN” e 5 prillit, 1981, thuaja një numër të tërë 30-40 faqesh dhe Shtëpia Botuese “ Politika”, një broshurë të veçantë kishte botuar për këto ngjarje, ku nga kryepolici jugosllav i asaj kohe, slloveni Stane Dollanc akuzonte haptas Shqipërinë për përzierje të drejtpërdrejtë në demonstratat e Kosovës. Çuditërisht, të njëjtën ditë kur reagoi Shqipëria zyrtare, në Fabrikën e Tubave në Ferizaj, ku punonte Abdullah Gashi, kishte shkuar një politikan serb, ndër më të njohurit e asaj kohe në Kosovë Bogoljub Nedeljkoviq nga Shtimja, për tu mbajtur punëtorëve të kësaj fabrike një ligjëratë rreth pasojave të ngjarjeve të mars- prillit 1981 në Kosovë. Pasi kishte mbaruar fjalën e tij politikani serb, kishte filluar një debat me pyetjepërgjigje. Ndër të parët, atë që kishte thënë Nedeljkoviqi, e kishte kundërshtuar punëtori Abdullah Gashi. Me argumentet që kishte sjellë, kishte demaskuar politikën jugosllave nga Lufta e Dytë Botërore e këndej ndaj shqiptarëve, kurse politikanin, që kishte mbajtur fjalimin e kishte akuzuar se në kohën e mbledhjes së të ashtuquajturës “tepricë”, që ua rrëmbente shteti jugosllav edhe miellin në magje shqiptarëve në vitet e ’50-ta, kur Abdullahu ishte fëmijë, në shumë fshatra në Drenicë (ku kishte lindur A. Gashi), kishin pohuar shqiptarët se “Bogoljub Nedeljkoviqi ua kishte vënë fshatarëve shqiptarë gjunjtë në bark për ta dhënë tepricën që nuk e kishin”!Këto fjalë akuzuese e kishin ekzaltuar masën në sallë dhe të gjithë punëtorët mbi 500 siç ishin, kishin shpërthyer në duartrokitje dhe brohoritje në shenjë përkrahjeje ndaj shokut të tyre. Kjo e kishte xhindosur dhe irrituar politikanin serb. Politikani jugosllav thuhej se më vonë u kishte rënë në qafë udhëheqësve shqiptarë, në krye me Fadil Hoxhën se “ia kishin përgatitur terrenin për një turpërim të tillë në Ferizaj”, gjë të cilën e kishte pranuar vet Nedeljkoviqi se “pas fjalimit të këtij “nacionalisti” shqiptar, ishte varrosur misioni i tij për çka kishte shkuar tu fliste punëtorëve”! Kjo fjalë e argumentuar, që nuk i shkonte për shtati politikanit serb dhe politikës diskriminuese jugosllave ndaj shqiptarëve, e kishte bërë Abdullah Gashin “njeri legjendë” në Ferizaj e në gjithë Kosovën. Prej asaj dite, ky njeri ishte bërë i njohur dhe i dashur për të gjithë ferizajasit, që e njihnin, e nuk e njihnin dhe për të aso kohe flitej çdokund. Shovenizmi serb me politikën e tij diskriminuese menjëherë ishte hakmarrë ndaj punëtorit Abdullah Gashit, duke e dënuar me dy muaj burg dhe duke e larguar nga puna, për të mos i dhënë më të drejtë pune këtij punëtori, ndër më të vyeshmit e kësaj fabrike deri në vdekje më 23 janar të vitit 2000. Si ka jetuar pastaj një decenie Abdullah Gashi, pa asnjë mjet jetese me 12 fëmijë e gruan, sa kanë qenë solidarë me të punëtorët dhe qytetarët ferizajas, është një kaptinë në vete, sa e dhimbshme, aq edhe krenare e kësaj familjeje. Abdullah Gashi lexonte shumë, e herë-herë shkruante. Ushqimi i tij i përditshëm shpirtëror ishte “Rilindja”, që asokohe ishte e vetmja gazetë e përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë, të cilën e blente çdo ditë. Shtypin serb, as nuk e blente, as nuk e lexonte. Unë asokohe i bleja nga 2-3 gazeta të përditshme apo periodike në gjuhën serbokroate, sidomos “NIN”-in, ”Danas”- in, “Nedeljna Dalmacia”, variantin antimillosheviqian (nga viti 1994) “Nasha Borba”etj. të cilat në mesditë, ose në mbrëmje (varësisht kur e kryeja mësimin) ia komentoja vazhdimisht atij, ato që shkruanin për shqiptarët dhe për Kosovën. Shpesh mundohesha ta nxisja t’i lexonte edhe ai, sepse gjuhën serbokroate e zotëronte mirë, por thoshte se po mjaftohej me “Rilindjen” “ për të mos u mbushur vrerë më shumë”! Abdullah Gashi herë- pas here ka shkruar kryesisht edhe poezi, të cilat shpesh na i lexonte neve që rrinim me orë të tëra në tavolinë me të. Do të ishte mirë që në ndonjë monografi, që duhet të bëhet për të, të zënë vend këto krijime të tij, nëse janë ruajtur nga familja ose shokët. Ajo që mund të thuhet për krijimet e tij, është fakti se, ato i karakterizonte një racionalizëm i thellë dhe një lakonizëm i mirëfilltë, që, sa me më pak fjalë, të thuhej sa më shumë. Njerëzorja, sa e stoliste personalitetin e tij human, poaq i karakterizonte edhe krijimet e tij letrare. Në poezinë e shkurtër “Kudo”, në mënyrë lakonike, autori i saj Abdullah Gashi shpreh esencën e qenies njerëzore:
Kudo
“S’ka rëndësi, i verdhë, i bardhë, apo i zi ,
Kudo që të jesh
Në lindje, në perëndim, në jug, apo veri,
Për të dashur si vëllanë tim,
Mjafton vetëm të jesh njeri !”
Në një poezi tjetër, poashtu të shkurtër, që mund të quhet edhe lirikë dashurie, por këtu siç mund ta deshifroj edhe lexuesi i rëndomtë, i këndohej bashkimit kombëtar, autori do të derdh gjithë mallin e shqiptarëve për ditën e bashkimit kombëtar:
Për Ty
“Për Ty këngët po i ruaj,
Për Ty vargjet po i shkruaj,
Për Ty po vuaj përherë,
Edhe dimër në qoftë,
Ditën e bashkimit,
Do ta quajmë pranverë!”
Ferizaj, pas Luftës së Dytë Botërore ka pasur shumë njerëz disidentë dhe oponentë ndaj sistemit komunist, i cili u kishte premtuar shqiptarëve shumë, por u kishte dhënë shumë pak. Për disa njerëz të shquar të kësaj kohe, (ndonëse as për së afërmi nuk është bërë sa duhet), është bërë diçka. Për shembull për Sadik Tafarshikun, “babain e atdhetarisë ferizajase prej viteve ‘60 të shekullit të kaluar”, është shkruar pak, por megjithatë është bërë një monografi në vitin 2007, me rastin e dhjetëvjetorit të shkuarjes së tij në amshim. Mendoj dhe shpresoj se shpreh bindjen time të thellë, kur them se, edhe ndaj dy intelektualëve dhe dy figurave të urta e me peshë të qytetit tonë kemi ende një borgj të madh. Për Isak Zymberin dhe Abdullah Gashin ende nuk kemi bërë asgjë dhe për këtë duhet pranur qytetaria e Ferizajt se është vonuar shumë. I. Zymberi, po bëhen gati 20 vjet që ka vdekur (4 maj 1997), kurse Abdullah Gashi 16 vite të shkuarjes në amshim (23 janar 2000). Mbetet detyrë jona intelektuale, e K. K. dhe e të gjithë atyre që i njohën këto dy figura të devotshme të atdhetarisë ferizajase , që të shkruajmë e të flasim për ta, duke i nderuar dhe larë një borxh të vogël ndaj tyre, sepse kështu edhe ata i nderojmë, edhe vetën e qytetin tonë e ngrisim në aspektin shpirtëror e njerëzor. Lavdia e tyre nuk ka nevojë për asgjë, kurse e jona ka nevojë të shumtë për ta.
add a comment