Portreti/intervista

Enver Kushi: Sot një vit pa Moikomin. Publikohet ditari dhe shënime të hedhura në copa letre gjatë kohës që ndodhej në spital gjatë pandemisë

ME MOIKOMIN

(Ditar, letra, shkrime)

NË VEND TË PARATHËNIES

(Ose ulërima e kujtesave të plagosura)

DËSHMI E PARË

Unë, Enver Kushi, rob i bindur i librave dhe i të shkruarit, këtë ditar për Moikom Zeqon, fort të ndritshëm shkrimtar erudit dhe jo vetëm, nisa ta hedh në ca letra të vogla, pasditen e vonë të 20 prillit të vitit të tërmeteve shkatërrimtare 2019 dhe e mbarova pak para mesnatës të datës 23 shtator 2019 ose dy ditë pas tërmetit të fuqishëm të të shtunës së 21 shtatorit…

Gjithashtu dëshmoj se shënimet e mësipërme, i kam hedhur në letrat e vogla, menjëherë sapo kthehesha në shtëpi, pas takimeve me mikun tim Moikom Zeqo, i cili ka qenë i shtruar në dhomën 10, të katit të tretë të Pavijonit të Hematologjisë… Në atë dhomë, që ndodhet në krahun e majtë në fund të korridorit të gjatë, sa herë kam shkuar për ta parë gjatë ditëve të nxehta të verës dhe shtatorit të vitit 2019, kam përjetuar nga afër me shqetësim dhe ankth, gjendjen e rëndë shëndetësore të mikut tim të vyer… Prandaj në shënimet e hedhura në copa të vogla letrash, sapo kthehesha në shtëpi, janë dëshmi për përballjen dhe sfidën ndoshta më të madhe të jetës së tij dhe “dyluftimin” e heshtur me sëmundjen e rëndë të Chronic Lymhocylic Leukemia, me të cilën konkluduan mjekët e një spitali të njohur të Londrës, pas diagnostikimit të datës 8 tetor 2015. Mbaj mend, që pas shkrimit të gazetarit të njohur Xhevdet Shehu “A ka një shtrat për Moikomin?”, botuar në faqen e parë të gazetës “Dita” më 10 nëntor 2015, Moikomi, të nesërmen, në një letër drejtuar kryeredaktorit Thano, mes të tjerash shkruan se është një sëmundje e pashërueshme, kronike, por e kurueshme dhe mund të mbahet nën kontroll, duke ndjekur tërë ciklin e kimioterapisë dhe të shërbimeve të tjera mjekësore. Dhe në prononcimin tim të shkurtër “Apeli drithërues për Moikom Zeqon”, publikuar në gazetën “Ballkan më 12 nëntor 2015, shkruaja: “Ai që i ka dhënë aq shumë letërsisë, historisë dhe kulturës shqiptare, meriton ndihmën e menjëhershme të qeverisë shqiptare për t’u kuruar në një nga klinikat më të specializuara të botës… I bashkohem apelit drithërues të Xhevdet Shehut dhe qindra intelektualëve shqiptarë. Duke njohur mirë karakterin dhe optimizmin e Moikomit, jam i bindur që ai do ta mposhtë sëmundjen e papritur…”.

Dhe këtë besim apo optimizëm të tij, dëshmoj se e kam shkruar edhe në këtë ditar.

DËSHMIA E DYTË

Shënimet e hedhura në ca letra të vogla, i lashë në një vend të dukshëm të bibliotekës time… Dhe pasi kaloi nëntori, me tërmetin shkatërrues të datës 26.11.2019, erdhën javët jo shumë të ftohta të dhjetorit dhe pas ndërrimviteve, ca ditë me diell të bollshëm. Dhe pastaj ditë të tjera me shira e dëborë në Veri… Dhe pastaj ditët gri të marsit. Edhe e shtuna e datës 7 mars me shumë shi. Dhe në këtë ditë me shi për festën e mësuesit, me Moikomin hëngrëm një drekë me peshk dhe pimë verë shumë të mirë, në një lokal te bodrumet e pallateve të Shallvareve. Ndihej të dielën e 8 marsit, natën e të njëjtës ditë dhe paraditen e të nesërmes, fantazma me kurorë e COVID 19… Dhe më në fund ajo erdhi në kryeqytetin e zhurmshëm dhe kaotik të Shqipërisë, duke shtuar ankthet, frikën nga kjo e padukshme, që kishte gjunjëzuar dhe do të gjunjëzonte shtete të fuqishme si Italia, Spanja, Anglia, Franca… Amerika…

Dhe kur u mbyllëm brenda nëpër “shpellat tona”, dëshmoj se pasi mora shënimet e shkruara në ca letra të vogla, që i kisha lënë në një vend të dukshëm të bibliotekës time, u ula në tavolinën e punës dhe nisa t’i zbardh ato, duke i shkruar në letra A-4. Ishte e hëna e parë e javës së dytë të karantinës e vitit të COVID 19 (16 mars 2020)… Dhe këtë ditar, e përfundova së shkruari, pra të hedhuri në letër A-4, të hënën e katërt të karantinës (30 mars 2020).

DËSHMI TË TJERA

Nga dritarja e kuzhinës dhe ballkoni kam parë sytheçeljen dhe gjetheçeljen e drurëve të rrapeve… Pikërisht në kohën e sytheçeljes dhe gjetheçeljes, deri sa ato, pra gjethet e rrapeve u bënë si pëllëmbë duarsh fëmije, nisi dhe përfundoi së shkruari ky ditar.

Ditën e pestë të shkruarit të këtij ditari, me datën 21 mars 2020, të shtunën, gjithë vendi, nga ora 1300 e kësaj dite, deri në orën 500 të mëngjesit të së hënës, u fut në karantinë të plotë.

Po këtë ditë dëgjova në TV kryetarin e komunës së Bergamos, i cili foli për lot edhe të statujave në qytet dhe këmbanat e kishave, që binin papushim, në nderim të qindra të vdekurve nga COVID 19…

Në vend pati lëkundje të lehta tërmeti.

Thanas Dino, shkrimtar dhe kronikan i njohur i JugShqipërisë, më mori në telefon e më tha se në Gjirokastër ishin rikthyer një çift lejlekësh, larguar para disa vitesh…

Në Divjakë u çiftëzuan 33 lejlekë, ngjarje që ndodh larg vështrimeve të syve të grabitqarëve njerëz…

Dhe po këto ditë të shkrimditarit, arinjtë polarë u zgjuan një muaj më herët se zakonisht, nga gjumi i tyre letargjik. Flitej se shumë prej tyre për shkak të ngrohjes globale, nuk kishin rënë asnjë ditë në gjumin e tyre të gjatë dimëror në skajet më veriore të Europës…

Në TV shoh pamje tronditëse nga Bergamo: dhjetëra makina ushtarake, ngarkuar me arkivolë, që nuk dihet se ku shkojnë, sepse në varrezat e qytetit nuk ka vende për t’i varrosur.

Një mjek dhe disa infermiere, që derdhin lot, teksa dëgjojnë fjalët e fundit të pacientëve të moshuar, që flasin në telefona celularë me të afërmit e tyre.

E diela e fundit e marsit. Ndërrohet ora. Bie shi i paqtë.

Papa flet në Vatikan. Edhe atje bie shi. Një shi i trishtë… Duket sikur qiejt e Romës lotojnë… Dhe Papa thotë: “Është e diela e vajtimit”. Fjalë biblike… Sikur u drejtohen qiejve gri të botës që lëngon.

Flas disa herë në ditë me Moikomin. Thotë se e ndjen veten shumë mirë dhe shkruan e lexon papushim. Ai fle vonë dhe zgjohet herët në mëngjes.

Tri ditë, para se të përfundoja së shkruari këtë ditar, befas i shkëputa lidhjet me Moikomin. Telefoni i tij ishte i mbyllur. Është e premte pasdite. Në Tiranë nis karantinimi, që do të vazhdojë edhe të shtunën, edhe të dielën… Shqetësohem… Është e pamundur të dal nga shtëpia, për të shkuar në shtëpinë e tij… Rrugët e Tiranës xhan-xhin… Vetëm makina policie dhe urgjenca. Telefoni i Moikomit vazhdon i mbyllur.

Ditë e hënë… Duke u gdhirë. Gjumi më ka zënë vonë. Zilja e telefonit më vjen si nga një botë ëndrrash. Ngrihem i përgjumur dhe marr telefonin. Tovi jam, thotë ai.

Duke folur me Moikomin, dal në korridor, kuzhinë e më pas në ballkon… Po zbardh. Një erë e lehtë tund gjethet e njoma, si pëllëmbë duarsh fëmije, të rrapeve. Qindra e qindra duargjethe, duket se përshëndesin ditën e re… Zëri i Moikomit më vjen herë i largët, herë-herë i thellë, si nga thellësia e ndonjë shpelle… Dukej si zë murgu…

Nga ato që më tha, kuptova zhdukjen e beftë dhe moskomunikimin që prej tri ditësh me të. Dhe i kujtova, një nga poezitë e tij, të titulluar “MURGËRIMI I POETËVE”, ku ai shkruan për poetët e tokës, poetët e ajrit, poetët e zjarrit, poetët e ujit dhe poetët e mendjes… Ah. Po po, tha me të njëjtin zë si të murgjërve. Dhe unë i recitoj vargjete fundit të kësaj poezie:

Poetët e Mendjes

Qëndrojnë në shtëpi,

Shtëpia është bosh.

S’ka mure

Poezia shihet nga çdo anë,

Nga çdo kohë.

Në të njëjtin

Çast.

Ai heshti gjatë. Shumë gjatë. Aq gjatë, saqë gjethet e vogla, si pëllëmbë duarsh fëmijësh, nuk po tundeshin më. Dhe dëgjova prap zërin si prej murgu të tij. “Dëgjoj sesi ulërijnë kujtesat e plagosura… Kujtesat e plagosura ulërijnë… Kam ditë që dëgjoj…” … Ishte e hëna e javës së katërt të karantinës dhe viti i dytë i Covid 19, kur unë Enver Kushi, rob i bindur i letrave dhe i të shkruarit, mbarova këtë ditar për ditët, javët dhe muajt, kur Moikom Z, fort i ndritshëm shkrimtar erudit dhe jo vetëm, i shtruar në Pavijonin e Hematologjisë, të Spitalit 1, të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, përjetoi dhe përballoi një nga momentet më të vështira të sëmundjes së tij pesë vjeçare.

Shënime të hedhura në ditët e fundit të shtatorit

… Dita është gri dhe e freskët. Dajti i mbuluar me re. Moikomi më thotë se është shumë mirë e se i kanë shkuar për ta parë Arta Dade dhe Namik Dokle. Edhe ministrja e Shëndetësisë është interesuar posaçërisht për mua. Më ka gëzuar ardhja e Ndoc Paplekës në spital… E ke lexuar prozën e Roland Gjozës? Po. Kam lexuar shumë tregime të tij… Po romanet? Shkruan shumë bukur. Shumë bukur. Rolandi ishte dje tek unë… Erdhi prap Bedri Islami… Edhe Naun Kule.

… Nxitoj të nisem sa më shpejt, sepse e di që në orën shtatëmbëdhjetë, trafiku është makth më vete… Nuk harroj porosinë që më ka dhënë Moikomi për t’i çuar librin e Irenë Melikof. Marr edhe një CD, ku aktori Bujar Asqeriu, reciton “Qerbelanë” e Naim Frashërit… E megjithatë plot një orë për të shkuar në spital… Fasada e spitalit që rrihet nga rrezet e fundit të diellit. Para kirurgjisë shumë njerëz… Një mesoburrë që shet bidona të vegjël me ujë… Duket i trishtuar, sepse tani nuk është më vapa e verës dhe uji nuk i shitet. Si nuk e kam vënë re drurin e madh të hides? U bënë kaq javë që vi në spital, por vetëm sot e ve re trungun e hides, nga i cili dalin shtatë drurë të tjerë… Një dru hide i paparë… Në dhomën e Moikomit është Faslli Haliti, mik i kahershëm i tij dhe një nga poetët më të mirë shqiptarë… Moikomi më thotë se mund të dalë nga spitali, për t’u rikthyer pas një jave dhe se me Vendim të Qeverisë, do të miratohet një fond i veçantë, për blerjen e një ilaçi shumë të mirë…

Sot më lajmëruan se ka vdekur një nga hallat e mia, Bukurija. Ishte 85 vjeç dhe e mbajtur… Ajo kishte aftësi të çuditshme për të thurur vargje… Kur vdiq mamaja, mbaj mend që halla, vuri duart te varri dhe qau e qau me vargje, që i improvizonte. Është e çuditshme sesi dinte përmendësh “Qerbelanë”. Gjyshi im nga Libohova ka qenë në Stamboll. Ai lexonte edhe Kuranin, edhe Ungjillin. Gjyshi ishte edhe berber, pra bënte synet djemtë e vegjël. Edhe orëndreqës dhe mjek popullor… Aneja mbante në sepet një shami me gjakun e Avni Rustemit… Telefonon Ksenofon Kristafi. Më pas edhe Pëllumb Xhufi dhe Fatos Tarifa.

Kthimi për në shtëpi. Nuk ka trafik… Jam në autobusin urban, kur më telefonon Moikomi. Arrite? Jo. Jo. Ti e ke bërë hasuden që më solle? Të pëlqeu? Ishte shumë. Shumë e mirë. Hasude magjike… Po. Po. Unë e kam bërë. E kam mësuar nga nëna ime. Çamët e quajnë “Sapunhallva”. E gatova me vaj ulliri. Do t’i lë edhe Lidës, edhe Panit… Veri. Në vitin 1973 në Shqipëri erdhi piktori Ibrahim Kodra… Isha në gazetën “Drita” atëherë dhe bëra një intervistë me piktorin e madh, që ishte larguar nga Shqipëria shumë i ri… Mbaj mend se mes të tjerash kishte vizituar vendlindjen e tij, Ishmin. Kudo, në çdo hap që hidhte, rikthehej në fëmininë e tij. Në një moment, kërkoi një lloj ëmbëlsire, që ja bënte gjyshja… Dua të ma bëni këtë ëmbëlsirë, tha. E zonja e shtëpisë kërkoi sesi quhej kjo ëmbëlsirë… Piktorit nuk po i kujtohej. Fliste e fliste për gjyshen dhe nënën dhe shijen e veçantë të kësaj ëmbëlsie… Nuk po i kujtohej, ndonëse gratë e shtëpisë përmendnin emra të ndryshëm… Më në fund, një grua e moshuar tha me zë të lartë: “Hasude. Hasude…”. Dhe kur Ibrahim Kodra hëngri hasuden, qau… Siç duket ajo ëmbëlsirë i riktheu fëmininë piktorit të madh.

…Tirana ka jetën e vet të natës. Ora ka kaluar nëntëmbëdhjetë. Zbres te stacioni i urbaneve pas 15 katëshit. Mbrëmja është e butë. Sheshi “Skënderbej” është mbushur plot me njerëz, që shëtisin të qetë, duke shijuar mbrëmjen e bukur të fundvjeshtës së parë… Edhe në shkallët para Teatrit të Operas dhe Baletit dhe të Muzeut Historik Kombëtar, sheh të ulur dhjetëra të rinj, por edhe të moshave të tjera… Duket si i harruar tërmeti i 21 shtatorit, ndonëse e tundi frikshëm Shqipërinë, veçanërisht Durrësin, Tiranën, Lezhën… Këtë përshtypje kam, teksa shoh qindra banorë të Tiranës, që shëtisin në Sheshin “Skënderbej”, apo edhe gjatë Rrugës së Kavajës…

Është vonë, kur e marr Moikomin në telefon. Po lexoj, thotë ai. Edhe po shkruaj… Po përgatis një temë për Antifashizmin Shqiptar, që do ta mbaj në Konferencën Shkencore… Po ti Veri? Kam dalë në ballkon. Është një natë vjeshte shumë e bukur. Erdha në këmbë nga qendra… Sa mirë bëre… Nesër do jem në shtëpi, Veri. Më duket sikur kam vite, që jam mbyllur në këtë dhomë. Është një nga betejat e mëdha, që e fitova, them… U jam mirënjohës të gjithëve. Të gjithëve, që më qëndruat pranë… Kam mbajtur shënime, në formë ditari, për çdo takim tonin në spital apo bisedat që kemi bërë bashkë… Mendoj që një ditë do t’i botoj… Vërtetë? Po. Po. Janë dhjetëra letra, ku kam shkruar çdo gjë. Sapo vija në shtëpi, gjëja e parë që bëja, ulesha dhe hidhja në letër çdo gjë… Ndoshta sonte është mbrëmja e fundit që do të hedh shënimet nga takimi me ty… Faleminderit Veri. Të jam mirënjohës. Para se t’i themi natën e mirë njëri-tjetrit, të lutem dëgjo këto vargje:

Naim,

Naim

një murg lebroz lëngon

në spitalin e përdëllimit tim,

e metaforat murgesha i shërbejnë gjer në fund

Edhe këto të fundit:

Dhoma ime i shfleton

hijet që hyjnë e dalin

si Librin e Ëndrrës…

………………………………..

“Syri i tretë”!“Syri i tretë”, dëgjoj zërin e gëzuar të Moikomit. Po, them. I lexova nga libri yt “Syri i tretë”. Dhe mbyll telefonin. Është shënimi i fundit që hedh në letër, duke i bashkuar pastaj me të tjerat… Është një behar i tërë dhe vjeshta e parë e hedhur në ato letra të shkruara herë me shkrim të qartë dhe herë-herë rrëmujshëm e me nxitim, se ndoshta më vonë mund të harroja ndonjë gjë nga bisedat që bëja me Moikomin, atje në fund të katit të tretë, ku në të majtë ishte dhoma dhjetë… Për gati dy muaj, ai lëngoi dhe me kurajo përballoi një nga goditjet ndoshta më të mëdha, që sëmundja e rëndë i dha gjatë këtyre katër viteve…

Ora po i afrohet mesnatës. Dal në ballkon. Në të gjitha stinët, para se të fle, e kam bërë gati si rit, daljen në ballkon. Qëndroj atje gjatë, duke vështruar drurët e rrapeve, këta miq të heshtur dhe të urtë… U them në heshtje “natën e mirë”.

Këtë bëra edhe këtë natë, pasi hodha në letër shënimin e fundit për Moikomin ose ditarin që kam mbajtur gjatë gati tetë javëve… Qielli i Tiranës, si gjithmonë është pa yje. Qetësi. Duket sikur miqtë e mi, drurët e rrapeve, po dremisin.