Shqipëria/Aktualitet

Elife Podvorica: 1 Maji i luleve të pikëllimit në Lluzhan

Vargu i makinave rrëshqiste me nxitim asfaltit të lëmuar për tek ura në Lluzhan!

Sa e njohur ishte bërë ura këto vitet e pasluftës! Aty, ajo çdo 1 Maj na pret e heshtur ne familjarëve, imazhi i së cilës na shkakton dhimbje në shpirt! Aty, para 22 vitesh dhanë frymën e fundit më të dashurit tanë të përcëlluar nga flaka përvëluese. Ofshamën e tyre e mbanë në thellësinë e saj ura dhe në parmakët të cilët nuk kishin mundur të mbanin autobusin e bombarduar nga forcat e Natos, at ditë të shtunë një maji! Koincidoi që edhe sot, të jetë ditë e shtunë! Kjo ditë dhe ky emër na përkujton ngjarjen më të dhimbshme që dikush mund ta përjetojë në momentin kur e kupton se dikush nga më të afërmit e shpirtit tënd, ka pësuar aksident vdekjeprurës!

Sa herë vjen 1 Maji është i njëjti emocion, thua se ka ndodhur dje kjo ngjarje plagëshumë!

Dhe përvjet, në tërë këto 22 vite, aty grumbullohen nga të gjitha anët familjarët e të rënëve me kurora lulesh në duar dhe me vështrimin tërë dhimbshuri për të kujtuar më të dashurit e tyre!

Edhe sot ndodhte e njëjta gjë!

Ceremonia te varrezat e pastaj të gjithë së bashku -tek ura , e cila sot na priste më ndryshe!

Sot, pas tërë këtyre vitesh , “martirët” e luftës, po respektoheshin dhe po kujtoheshin si qytetarë të shtetit të Kosovës!
Andaj e falenderojmë kryetarin e Komunës së Besianës, i cili qysh në fillimin e mandatit të tij udhëheqës, mori vendimin që iniciativën e familjarëve, ta konkretizonte me një Pllakë përkujtimore për 35 qytetarët e saj , të cilët të bombarduar nga forcat e Natos, kishin mbetur të djegur në gërmadhat e urës!

Pavarësisht dhimbjes, që shkaktojnë këto ditë përkujtuese, sot tek të gjitha fytyrat e familjarëve të të rënëve në urë, vërehej një lehtësim! Sepse këta”martirët”, ishin njerëz dhe qytetarë të këtij vendi! Biles, ishin edhe intelektualë të profileve nga më të ndryshmet, përfshi këtu edhe aktivist të shumtë në ndihmë të UÇK-s-së atyre muajve. Këta intelektualë, kontributin e tyre e kishin dhënë me dekada të tëra secili në fushën e tij! Në mesin e të rënëve kishte profesorë, mjekë, studentë, të cilët në vitet 90 – ta, sidomos kur rreziku nga shkopi dhe dhuna e ushtrisë serbe të përndiqte si hija e vdekjes në çdo hap e lëvizje, ata s’kishin reshtur së kontribuari për çlirimin e vendit nga thundra barbare serbe!

Andaj, lehtësimi tek familjarët ishte se sot, shteti i Kosovës në mënyrë institucionale po i përkujtonte qytetarët e tij!

Nuk kishin munguar iniciativa private që ky akt lufte të instituonalizohej ! As vullneti që dikush fajin ta pranonte. Por, siç dihet, kur rasti duhet trajtuar sipas konventave ndërkombëtare, iniciativat individuale janë të destinuara të kurorëzohen me neglizhencë!

Mendoj, që tash pas kaq shumë vitesh, tashmë kur kemi bërë shtëpi e pallate të pafunda, kemi blerë makina nga më të shtrenjtat, kemi bërë standard që Dubai të bëhet një imazh i përditësuar në jetët tona, t’i vie radha që institucionet tona shtetërore, të përkujdesen për humbjen e njerëzve të pafajshëm dhe të bëhet kërkesë për sqarimin e fajsisë që është bërë mbi urën e Lluzhanit!

Nga krejt sa di unë, është vetëm një person që në mënyrë ndërkombëtare ka dëshmuar për të rënët e 1 Majit 1999! Është ky dirigjenti nga Japonia, Toshio Yaganagisawa, i cili me ekipën e tij televizive ka marrë xhirime nga ura dhe ka shfaqur një dokumentar në programin kryesor nacional japonez!
Përveç kësaj, ai ka shkruar edhe një libër ku tematizohen artistët shqiptarë të Kosovës gjatë luftës dhe pasojat e tyre prej saj! Kështu që në libër ka hyrë edhe ngjarja e urës së Lluzhanit!

Shpresoj shumë që këta “martirë” të aktualizohen në të drejtat ndërkombëtare të njeriut! Sepse, gjaku i tyre është Himn Lirie për të gjithë ne dhe për të gjitha gjenarata në vijim!
Dhe krejt në fund, edhe njëherë falënderim i veçantë kryetarit të Besianës dhe gjithë stafit organizativ për tubimin e sotëm përkujtimor!

Lavdi e përjetshme Martirëve të luftës! Shpirti i tyre u prehtë në Paqen e Amshuar! U qoftë i lehtë dheu i tokës arbërore!

Postimet e fundit !