Shqipëria/Aktualitet

Elife Podvorica: Ditë e diel (Ah sikur ta kisha emrin Teutë!)

Po! E Diel! Dhe kjo ditë është pagëzuar në emër të Diellit-yllit të zjarrtë rreth të cilit ende mendohet se sillet planeti ynë Tokë!

Meqë, jam fikall vetëm në shtëpi, mendimet janë ato që i japin gravitetin orëve të ditës që po ecën me një shpejtësi aq sa po i lejon zymtësia e qiellit të mbuluar nga re ngjyrë gri .Tërë natën kishte rënë shi dhe zymtësia e krijuar, po na mbanë me shpresë se do të fillojë edhe bora! Akrepat e orës përthyen mesditën dhe morën kthesën kah orët e pasditës së vonshme, por dëbora nuk po duket në pullazet e shtëpive, aty ku fillimisht e performon ardhjen e saj!

Kisha dremitur ca kohë dhe më bëri aq mirë! Meqë, jemi në prag të ndërrimit të motmoteve, sesi m’u soll nëpër kokë mendimi se a thua do ta prisja vitin 2041! Me përllogaritjet që bëra, m’u duket se aty diku do të arrija , si një plakë e thyer në moshë!

Po përse të jetosh aq gjatë ? -pyesja veten!

-Për të ndejtë në rrjetën e mendimeve që lëvizin me shpejtësi ere, apo vërtetë për të kryer aktivitete që do të doja dhe do të mundja, natyrisht! Dhe që do të mbushnin kupën e jetës me kuptimësinë e të qenurit në këtë botë!

-Eeeeee…, a thua çfarë dua në të vërtetë të jetojë në këtë numër vitesh që më ka mbetur?!

-Në mendje filluan të më vërshonin ndrojtshëm dëshirat! Por, jo me ndonjë vrull, sepse vrullin e tyre jemi mësuar nga jeta që ta ndalim dhe ta ngulfatim që në ngjizjen e tyre!

-Do të ndërroja emrin! Po,po! Me gjithë dëshirë që do ta ndërroja emrin që më kishin pagëzuar prindërit e mij!

-Gjyshi im e kishte lënë amanet që mbesat e tij të shkolloheshin! Amaneti për shkollën u krya, por na damkosën me emra që na kanë identifikuar ndryshe krejt prej asaj që në këtë botë erdhëm!

Po ku e gjetën dy prindërit e mi, unë në mes të një katundi të përbanuar me lagje të emërtuara sipas prejardhjesë së tyre nga fshati Podvoricë i Toplicës, pastaj dhe lagjeve tjera në këtë fshat që kishin fatin e njëjtë me ate të podvoricëve, të bart emrin e atyre që na kishin çnderuar për pesë shekuj varg!

_E po mirë. Shko ndrroje emrin zonjë, më thoshte dëshira që endej si një spirale nëpër kokën time!

-Me dëshirë do ta ndërroja! Sepse unë jam pasardhësja e Mbretëreshës Teutë dhe jo e zonjës Mukadeze të Stambollit! Edhe Stambolli kishte mbuluar emrin e vërtetë të qytetit! Deri në faqet e vonshme të historisë, Stambolli i sotëm ishte Konsdantinopja, i banuar nga iliro – shqiptarët, ashtu siç emri Teutë, Gent, Pirro , Agron e  shumë të tjerë, ishin emra autoktonë ilir! Dhe, natyrishtë që mua më vjen keq që jam bartëse e një realiteti të rrejshëm dhe me këtë kam devijuar historinë e vërtetë! Sepse, unë do duhej të gëzoja emrin Teutë apo Donikë, por jo këtë që kam!
Intelektualja, që tërë jetën ia kushtoi muzikës klasike, të bartë emrin e shkronjës së parë të alfabetit arab Elif!

Sa krenare duhet të jenë gocat me emrin Artë, Zanë, Marigonë, Teutë, Dritë, etj., etj.! Emra të pastërt shqiptarë, që të kujtojnë lëndinat me lule, që të kujtojnë historinë e lavdishme të mbretëreshave ilire, që të kujtojnë zanat e maleve të larta shqiptare!

Ç’të bëja unë e mjera? Deri vonë nuk e kam ditur çfarë emri mbaj! Por, kur e mësova, çdoherë kur më përmendej, ndihesha në faj për diçka që nuk kam pasur dorë! Këtë “faj” bartë pothuaj tërë brezi im, me përjashtime të vogëla! Sepse, janë disa që kanë pasur fatin të pagëzohen si Valbonë, Shpresë, Vjollcë, Albanë…., por shumica jemi Xhemile, Hasime, Marije, Kristinë, Shukrije, Sabrije, etj.

Fati i madh, që prindërit e rinj kanë hy e rrëmojnë nëpër faqet e lashta të historisë sonë dhe nga aty nxjerrin emra ilir por, edhe pellazg, tash viteve të vona! Sa bukur! Shqiptarët janë mrekulli historike! Sado që në horizontin e saj shfaqen vitet e zhdukjes së tyre, befas bëhet një mrekulli dhe ata gjejnë udhën e shpëtimit të gjenezës së tyre biologjike!

Dhe për ta përmbyllur këtë çështje që m’u kujtua në mendje dhe e shkrova, unë nuk kam asgjë kundër emrave turq, italianë, arabë, që ata i gëzojnë arabet, italianet e turket, por jam kundër dhe më pengon pse unë si shqiptare të bart dhe të mvesh qenien time me një emër arab e jo shqiptar –ashtu siç e kam përkatësinë time kombtare!

Dikush mund të thotë që oj zonjë e ke nga përkatësia e religjionit! Nuk e arësyetoj, sepse religjionet ndër njerëz erdhën shumë më vonë se të qenurit e njerëzve në planetin tonë! Pellazgët, që historikisht gjejnë lidhjen direkte me ne shqiptarët, pasardhës të tyre, nuk kishin fe! Besimi i tyre pagan ishte në Diell, në Perëndinë e bukurisë, etj.!

Ah! Sikur të kisha emrin Teutë!…