Vepra e Zonjës Elena Gjika (Dora D’Istria), u botua, më 1866 në gjuhën frënge te «Revue des Deux Mondes», Paris. Autorja ka përmbledhur disa këngë popullore shqiptare, ku njëra prej tyre i kushtohet Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, më saktësisht, autorja e ka marrë këngën për Skënderbeun në veprën «Su gli Albanesi, ricerche e pensieri» të shkrimtarit arbëresh, Vincenzo Dorsa, botuar në vitin 1847, Napoli.Ja kënga në vijim:«Kur u nis Skënderbeu për në luftë, gjatë rrugës takon Vdekjen, e dërguara e hidhur e aventurës së trishtë. – Emri im është vdekja: Kthehu mbrapsht, o Skënderbe, se jetës tënde po i vjen fundi!– Ai e dëgjon, e vështron, nxjerr shpatën, ndërsa ajo qëndron e shtangur. Hije e erës, që tremb vetëm frikacakët, nga e di ti se unë duhet të vdes? Zemra jote e ngrirë a mund të profetizojë zhdukjen time? Apo të është hapur libri i fatit të heronjve? Dje, në qiej, u hapën për mua librat e fatit. E zezë dhe e ftohtë si një vello, ajo zbriste mbi kokën tënde, dhe më pas ajo u hodh mbi të tjerët.
Skënderbeu përplas duart dhe lëshon një ofshamë. Ah, fat i keq! Më erdhi fundi. Në vizion, sheh djalin e tij të rritet pa baba dhe Mbretërinë mes lotëve. Mbledh luftëtarët e tij dhe u thotë: Luftëtarët e mi besnikë, turku do të pushtojë të gjithë tokën tuaj, dhe ju do të bëheni skllevërit e tij. Dukagjin, më sill këtu djalin tim, këtë djalë simpatik, që t’a këshilloj: Lule e braktisur, lule e dashurisë sime, merr me vete nënën tënde dhe përgatit tri nga anijet më të mira. Nëse turku e merr vesh (e ka fjalën për vdekjen e tij), ai do të të rrëmbejë dhe do t’a fyejë nënën tënde. Zbrit drejt plazhit, se aty është një selvi e errët dhe e trishtë. Lidh kalin tim në atë selvi, e vendose flamurin tim mbi të, që të valvitet nga erërat e detit dhe var atje shpatën time. Gjaku i osmanve ka mbetur në pjesën e mprehtë të saj, në të cilën fle vdekja. Nën pemën e zezë, armët e luftëtarit të frikshëm a do të qëndrojnë të heshtura? Kur fryn era e tërbuar, kali hingëllin, flamuri valvitet, shpata jehon. Turku do ta dëgjojë, dhe, duke u dridhur, i zverdhur, i zbehtë, do të tërhiqet duke menduar për vdekjen.»