Portreti/intervista

Elida Jorgoni: Fan Noli Kryepeshkop i Ilirisë nga Nishi në Prevezë

Noli ynë, kur lindi e pagëzuan në kishën e Shën Gjergjit në Ibrik-Tepe (Qytezë) të Edrenesë në Turqinë Europiane, më 1892. U shugurua Kryepeshkop, Ekzark i Ilirisë, nga Nishi në Prevezë…, në kishën e Shën Gjergjit të Korçës, më 21 nëntor 1923. Më 24 mars 1924, shuguroi pasardhësin e tij, At Erazëm Jorgo (Gjergji) nga fshati Lin i Pogradecit (i cili shërbeu për 40 vite në kishën e Shën Gjergjit të Durrësit), në kishën e Shën Gjergjit në Tiranë, atje ku sot është ndërtuar Hotel Turizmi 15-katësh. Noli ynë, ndërroi jetë, më 13 mars 1965 dhe iu bë shërbesa e fundit mortore në kishën e Shën Gjergjit të Bostonit. Gjyshi i Fan Nolit quhej Gjergj. Heroi i tij ishte Gjergj Kastrioti, prandaj në një fjalim të tij në kishën shqiptare ortodokse të Shën Gjergjit në Boston la amanet, që ditlindja e Gjergj Kastriotit të përkujtohet në ditën e Shën Gjergjit, më 23 prill (sipas Kalendarit Gregorian), ose më 6 maj (sipas Kalendarit Julian). Shenjtori më i dashur i Nolit ishte Shën Gjergji. Shumica e kishave ortodokse, Përmet, Dibër, Korçë, Gollobordë, Strugë, Fier… etj., mbanin dhe mbajnë emrin e këtij Shenjti. Shëngjergj (Shën Gjergj) quhet ende edhe sot një fshat në Tiranë. Prandaj është kaq i dashur ky Shenjtor në tokën Arbërore, që prej 1700 viteve. Ky Janulla greku nuk e do Shën Gjergjin e shqiptarëve. Në Janinë kremtohet dita e Shën Gjergjit. Nuk është rastësi, që dita e këtij Shenjtori të ri dëshmor (shqiptar) përkujtohet, më 17 janar në Janinë, datë që përkon me ditën e ndarjes nga jeta të famëmadhit Gjergj Kastrioti.