TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Energjia ka shënuar tregues në rritje, sa i takon prodhimit dhe eksportit në tremujorin e dytë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave që publikoi INSTAT sot, përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në tremujorin e dytë të vitit 2021, u rrit me 17,2 % duke arritur vlerën 1.563 GWh nga 1.334 GWh që ishte në tremujorin e dytë të vitit 2020.
Ndikimin më të madh në rritjen e përdorimit të energjisë elektrike e kanë dhënë konsumatorët jo familjarë, ku kemi një rritje të konsumit të energjisë elektrike me 34,8 %, përkundrejt rritjes me 0,8 % të energjisë së konsumuar nga konsumatorët familjarë.
Energjia elektrike në dispozicion, gjatë 3-mujorit të dytë u rrit me 19,4 %. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë u rrit me 2,2 herë duke arritur vlerën 2.660 GWh nga 1.188 GWh energji të prodhuar në tremujorin e dytë të vitit 2020.
Sipas INSTAT, ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 58,5 %, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 41,0 % dhe nga të tjerë prodhues në masën 0,5 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.
Importi bruto i energjisë elektrike arriti vlerën 228 GWh nga 681 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu një rënie me 66,5 %. Ndërsa eksporti bruto i energjisë elektrike arriti vlerën 924 GWh nga 224 GWh duke shënuar një rritje me 4,1 herë.
Sipas INSTAT hidrocentralet publike, në tremujorin e dytë të vitit 2021, prodhuan 1.557 GWh nga 571 GWh të prodhuar në tremujorin e dytë të vitit 2020, duke shënuar kështu një rritje të prodhimit me 2,7 herë.
Nga ana tjetër hidrocentralet private dhe koncensionare, prodhuan 1.090 GWh nga 607 GWh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më dytë, duke shënuar një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me 79,7 %. /j.p/