Kulturë\Letërsi

Edith Durham: E vetmja racë në Ballkan, që tregon të vërtetën mbi prejardhjen e saj janë shqiptarët

Në këtë shkrim nuk i kam vënë për detyrë vetes të trajtoj e të dokumentoj, që ilirët kanë rrënjë pellazgjike dhe etnogjeneza e shqiptarëve është vazhdim i ilirëve, tezë kjo tashmë e shkoqitur prej kohësh. Por, do të ndalem shkurtimisht, sepse disa nuk e kuptojnë orientimin e tyre properëndimor dhe për këtë arsye po sjell një kuadër historik, i cili më së miri pohon rrënjën autoktone e prejardhjen iliro-shqiptare. Ne jemi mbirë pellazgo-ilirë në këto troje, si vetë drunjtë e vendosur shumë shekuj më parë se të vinin në këtë gadishull grekët, romakët, barbarët (hunët e gotët), sllavët dhe së fundi në shek. XV osmanët.

Në Gajtan të Shkodrës janë gjetur vendbanime të vjetra 6.000 vjet para e. së re, ndërsa në Xarë të Sarandës 10.000 vjet para e.së re. Ka pasur edhe trajtesa, se çështja pellazgjike është mitologjike, por Homeri dhe Herodoti (485-425 para e.së re), autoritete të Historisë së Lashtësisë kanë thënë, që ilirët janë pasardhës të pellazgëve. Në gadishullin tonë si lashtësi e si qytetërim vetëm tre-katër popuj numërojnë mijëvjeçarët e thellë.

Për dakët, që shtriheshin mbi lumin Danub, Herodoti ka shkruar: “Është popull i lashtë, i madh, por jo më i lashtë dhe jo më i madh se ilirët”.2) Dihet, që popujt e gadishullit tonë janë trazuar gjatë shekujve, gjatë pushtimeve, gjatë lëvizjeve.

Demosteni, Tukiditi, Straboni e kanë thënë qëruar, se ilirët s`kanë pasur lidhje me grekët. Përpëlitjet e mëvonshme të grekëve, se greqishtja ka qenë gjuha e stërgjyshëve të shqiptarëve, tashmë nga studiuesit është hedhur poshtë dhe s`është vështirë të kuptohet, se ky supozim ngrihej për synime politike. Kjo nuk do të thotë, se nuk ka pasur asimilime dhe ndikime, sepse dihet, që sllavët e zbritur në trojet gjermane u asimiluan, galët nga romakët, d.m.th. nga frëngë u bënë latinë. Në këta shekuj s`bëhej fjalë për atdhetarizëm dhe për kombe.