Heqja dorë nga bashkëpunimi normal dhe i natyrshëm në rrugë e kanale institucionale e zyrtare dhe nxjerrja e marrëdhënieve me shtetin AMË në tregun e leckave (në rrjete sociale e portale) e paska detyruar Kryeministrin Rama të shkruaj e t’u përgjigjet “ultrapatriotëve” që e kanë shpallur “tradhtar” dhe ia kanë “ndaluar” ardhjen në tokën e tij…
Postimi i plotë i Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama:
Dje pata kënaqësinë e posaçme të kem për vizitë nga Kosova dy vajzat e arta shqiptare të Tokios, së bashku me trainerin e tyre fenomena. Kërkuan të më takonin dhe u ndjeva shumë i nderuar. Biseda me vajzat e me trainerin dhe miqtë që i shoqëronin, ishte frymëzuese dhe me disa ide të bukura bashkëpunimi, që dakorduam t’i zhvillojmë së bashku. Kur kërkuan të dilnim edhe në fotografi, u thashë “Po unë jam tradhëtar, s’dua t’ju hap telashe!”. Qeshën shumë në fakt dhe i bëmë fotografitë, që kishin dëshirë edhe t’i postoja në faqen time.
Mirëpo, siç e prisja, ushtria digjitale e kinse patriotëve matanë kufirit, që të sharat e mallkimet i kanë armët e tyre të luftës qorre të shqiptarit me shqiptarin dhe që s’po dinë hiç çka t’i bëjnë gomarit e po i bien samarit, u lëshua uturishëm në lumin e komenteve të postimit tim. Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë, është më e mira që duhet thënë në këto raste. Dhe falur i kam, ata e kë ata i frymëzon e i ushqen me helmin verbues të urrejtjes, dasisë, frikës nga e ardhmja. Por dy fjalë sa më shkurt për një bisedë kaq të gjatë, s’po i le pa thënë me këtë rast.
Po a mund ta fitojë Kosova paqen përfundimtare dhe a mund të prosperojë kombi shqiptar, duke u ftohur e siç i themi ne, duke “i treguar babait arat”, kur flet me Amerikën, Gjermaninë, Francën a me vetë Bashkimin Europian?
E bëj këtë pyetje, sepse e kam jetuar në vetë të parë “tregimin e arave”, deri në pikën që një lider kosovar i’a futi në sy të Merkelit e Macronit, “mu nuk më han luli për kta!” dhe mu aty e humbi rastin historik t’ia hiqte vizat Kosovës, të cilën e bëri lolo në sytë e aleatëve të saj të pazëvendësueshëm strategjikë me marrëzira kinse patriotike.
A mund ta fitojë Kosova paqen dhe a mund të lulëzojë shteti i saj i ri, po edhe shqiptaria si e tërë, duke e kthyer Dialogun me Serbinë në një monolog që nuk i prish asnjë punë Serbisë (përkundrazi acaron prej vitesh tanimë nervat e aleatëve tanë të pazëvendësueshëm strategjikë, të cilëve për krejt fajin e monologuesve të Kosovës, Serbia u duket gjithnjë e më e pafajshme, ndërsa Kosova gjithnjë e më pak e arsyeshme)?
A mundet të zgjidhet çështja e madhe e njohjes së Kosovës nga Serbia, duke e thelluar më tutje deformimin e madh disavjeçar tashmë në Kosovë, të bërjes së politikës së brendshme të Prishtinës politikë të jashtme të Kosovës dhe anasjelltas, si edhe duke e futur në shabllonin vulgar të tradhëtisë dhe vetë politikën e re rajonale të Tiranës zyrtare?
E bëj këtë pyetje këtu, për t’iu thënë të gjithë atyre në Kosovë që e kanë gjetur tradhëtarin tek unë, se së pari, unë jam po ai që në mes të Beogradit fola me zë të lartë për njohjen e Kosovës nga Serbia dhe sikur të tërë ta mbronin njohjen e Kosovës në gjuhë të huaj të paktën siç e mbroj unë, kudo e kurdoherë, sot Kosova do të ishte shumë më e respektuar ndërkombëtarisht.
Së dyti, Ballkani i Hapur është jo vetëm rruga e të ardhmes për prosperitetin e kombit shqiptar, si komb europian që përkatësinë e vet e ka në Europën e Bashkuar, por është edhe një mundësi e re dhe e madhe më shumë, në rrugën drejt njohjes së Kosovës nga Serbia; sa për një nga shumë shembuj të dobisë së madhe të Ballkanit të Hapur, kush nuk do që ta kuptojë pse Ballkani i Hapur e heq më në fund kufirin mes Shqipërisë e Kosovës, le të më thotë pse nuk e kanë hequr dot deri më sot, ata që e kanë premtuar me bujë dhe pse nuk e heq dot pa Ballkanin e Hapur atë kufi, asnjë prej atyre të cilëve “nuk u han luli” për aleatët e pazëvendësueshëm strategjikë të Kosovës e të Shqipërisë bashkë, që e mbështesin plotësisht nismën Open Balkan.
Koha do të flasë më shumë e më mirë.