Lëvizja\UÇK

Driton Smakaj: Dashuria e një luftëtari për MËMËDHENË

Dashuria e një ushtari për MËMËDHENË!
Ishim në thellësi të malit Pashtrik. Kishim një qëllim; thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar. Një kufi që ndante padrejtësisht vëllëzërit e një gjaku.
Kishim ecur rrugë të gjatë në këmbë dhe gjatë natës së 26 Majit kishim zënë pozicionet në thellësi të malit. Prisnim urdhërin për luftë. Isha lodhur dhe më kishte zënë gjumi ulur.
Mbështetur në një kaçube me krahun e djathtë, ndërsa koka më kishte rreshqitur mbrapa dhe peshonte mbi një maje guri. Pranë meje flinte edhe një ushtar tjetër, njëherit shok dhe bashkëfshatar i imi Sokoli. Nuk e di se si flinin të tjerët, por më dukej sikur dëgjoja frymëmarrjen e zhurmshme të dikujt që flinte në afërsi.
Mëngjesi kishte arritur në Pashtrik, e unë ende flija ashtu ulur me kokën mbrapa mbi një maje guri. Një bam kumbuese, e zhurmshme dhe trazuese vërtetë na zgjoi nga gjumi. Ishte artileria e UÇK-së që lëshonte predhat 80 dhe 120 mm drejt forcave të armikut në pikën kufitare në Gorozhup.
Në shpatin përballë meje e pash me sytë e mi një ushtar të UÇK-së, që puthte predhën para se ta lëshonte në grykën e minahedhësit.
Nuk kaluan as dhjetë minuta kohë dhe komandanti ynë i togut, Rrahimi, kishte marr urdhërin përmes radiolidhjes që të ecnim drejt thyerjes së kufirit dhe përballjes këmbësorike me forcat armike.
Rruga filloi të bëhej gjithnjë e më e mundimshme. Kundërpërgjigjeja e kaçushave të armikut në malet e Pashtrikut, ishte një rrezik i shtuar për çdo lëvizje që bënim. Kur arritëm afër forcave armike hasëm në zona të minuara. Sëpari duheshin ekipet e xhenierëve të pastronin rrugën nga minat, e pastaj të ecnim NE më tutje. Shpesh e prekja sëpari tokën para meje me shuplakë të dorës, e pastaj e bëja hapin me këmbë.
Ishim ofruar rreth 400 apo 500 metra pranë kufirit, morëm urdhër të rrinim në heshtje derisa të vinin detaje tjera nga lartë. Rrahimi e mbante radiolidhjen me pak zë dhe pranë veshit që të mos dëgjojej larg.
Aty pranë ishte ndalur Astriti, djersët i shkonin gurrim nëpër fytyrë. Astritin e pata njohur gjatë stërvitjeve ushtarake në Burrel. Ishte nga Kuçova e Beratit dhe kishte qenë në Greqi me punë. Një mbrëmje ishte përleshur fizikisht me disa grekë në një kafeteri pikërisht për shkak të luftës në Kosovë.
Grekët i kishin përqeshur disa shqiptarë aty në kafiteri, duke iu thënë atyre ‘ju pini birra e serbët po ua masakrojnë vëllëzërit tuaj shqiptarë në Kosovë’.
Kjo përqeshje e grekëve, e kishte prekur thellë ndjenjen e dashurisë shqiptare që Astriti e kishte pasur të fjetur në zemrën e tij të madhe. Të nesërmen nuk kishte shkuar më në punë, por ishte nisur drejt kampeve të stërvitjes për tu bërë ushtar i UÇK-së.
Gjatë stërvitjeve edhe pse u prezantuam, ai më thoshte -Drenicë-. Tash në Pashtrik, bëheshim gati për luftë frontale, e kur më pa, e vërejta që përveç djersëve të ballit, ishte skuqur në fytyrë dhe shihej një emocion i fortë në sytë e tij. Një zë në formë pëshpërime i doli nga goja:
– Drenicë
U ngrita në këmbë dhe shkova pranë tij, ia dhash dorën e ai ma shtrëngoi burrërisht. Pastaj mori çantën dhe nxori një palë këpuca sportive. Ngadalë zbathi çizmet ushtarake, i vuri ato në çantë e pastaj i mbathi këpucat sportive. E shikoja habitshëm dhe sinqerisht nuk e kuptoja. Pashtriku nuk ishte vend për këpuca sportive. Çizmet ushtarake edhe nuk të mbronin këmbët nga gurët e shumtë në ato male. Ia bëra një pyetje të drejtëpërdrejtë:
-Pse Astrit këpucat sportive?
Astritit i ranë lotët faqeve. Më shikonte në sy, por nga emocionet nuk nxirrte dot nga goja fjalët. Kaluan ca momente në heshtje e pastaj me gjysëm zëri më tha:
-Nuk kam qenë kurrë në Kosovë…po më vie rënd ta shkelë për herë të parë me çizme të ushtarit-
Aq shumë më preku përgjigjëja e Astritit sa edhe sytë e mi u mbushën me lotë. Qajtëm të dytë dhe nuk gjenim më fjalë të thonim diçka tjetër. Shikonim, dëgjonim dhe prisnim urdhërin për luftë. Mendoja, shtrihesha me duart mbrapa kokës dhe shikoja qiellin.
Kohë pas kohe edhe nxirrja ditarin tim nga xhepi i gjërë i uniformës dhe shkruaja.
Në orët e vona të pasditës luftimet ishin të tmerrshme, rafalet e armëve automatike nuk ndaleshin me orë të tëra. Bombardimet nga ana e artilerisë vazhdonin e vazhdonin. Shihnim kohë pas kohe ushtarët e plagosur që barteshin nga vija e luftimeve drejt një zone më të sigurtë për trajtim mjekësor e më pas për në Spitalin ushtarak.
U gjenda prapë me Astritin pranë njëri-tjetrit dhe kishim një grumbull gurësh para nesh. Nuk është që do na mbronte diç ky grumbull gurësh, por na bënte të ndjeheshim më të sigurtë nga vet pamja e tyre.
Qëndruam bashkë gati dy orë në të njëjtën pikë luftimi. Në një moment, një predhë e artilerisë, që nuk e dinim nëse ishte predhë që vinte nga armiku, apo gabimisht nga artileria jonë, u ngul në tokë pak metra nga istikami ynë.
Tymoste tym të bardhë që i ngjante një avulli që zhdukej sapo ngjitej pak lart nga toka dhe bashkohej me ajrin. Prisja të eksplodonte. Mendoja që ishin momentet e fundit të jetës dhe nuk lëviza e as nuk fola fare. Por, predha nuk eksplodoi, mbeti e ngulur në tokë aty pranë nesh dhe kohë pas kohe e vështroja me frikë se mos do eksplodonte.
Astriti ishte shtrirë dhe me automatikun e tij shtinte pa nderprerë në drejtim të armikut.
Diku rreth njëzet metra më tutje e kam vërejtur Komandantin e Kompanisë Ekremin, zhagas kam shkuar deri tek ai dhe i kam thënë ‘predha që ra pranë nesh, më ngjau sikur erdhi nga artileria jonë. Mund të njoftosh përgjegjësit të shtyejnë trajektoren e minahedhëses, për të paktën 300 metra më tutje’.
Nuk e di nëse arriti të dëgjonte Komandant Ekremi këto që i thash, sepse në ndërkohë e vërejta që nga këmba e tij rridhte gjak. Ishte plagosur. Më urdhëroi të kthehesha në pikën e luftimit ku isha dhe ashtu bëra. Prapë zhagas u ktheva aty ku kisha qenë, e Astriti ende ishte aty. Në anën e majtë rreth 30 metra më tutje një ushtar i UÇK-së kishte vënë mitralozin e tij mbi një mur arash të gurëve dhe i ngritur në këmbë shtinte pandërprerë mbi forcat armike. Ishte një vijë luftimi me mbi njëmijë ushtarë të UÇK-së në aksion.
Krismat e rafaleve të armëve automatike dhe kumbimi i eksplodimit të predhave të artilerisë, e bënin situatën psikologjike të ushtarëve sa tensionuese aq edhe emocionuese për një fitore. Për një moment e kemi vërejtur ushtarin e mitralozit të shtrirë në tokë duke mbyllur sytë për të fundmën herë në betejen e nderit për liri. Kemi dëgjuar zëra që kërkonin ndihmë për ushtarë të plagosur. Astriti zhagas ka lëvizur në drejtim të zërave. Më tha diçka, por nuk arrita ta kuptoj, nuk dëgjoje dot fjalët nga krismat e shumta, vetëm nëse i flisje dikujt me zë të lartë në vesh.
Mbeta i vetëm dhe mundohesha të vështroja për-rreth. Zhagas afër meje arriti një ushtare e UÇK-së, një grua me flokë pak kaçurrela, ishte pjesë e ekipit të mjekëve. Te veshi i kam folur me zë të lartë që atje më tutje ka ushtarë të plagosur. Ajo vazhdoi zhagas në të njëjtin drejtim ku kishte shkuar Astriti. Krismat dhe hudhja e predhave të artilerisë nga forcat armike u shtuan. Vija jonë e zjarrit ishte identifikuar pothuajse tërësisht dhe predhat e shumta binin pandërprerë në distanca të afërta pranë nesh.
Copëzat e dheut e copëzat e gurëve binin mbi ne pas eksplodimit të predhave.
Kam provuar të lëviz në të njëtin drejtim edhe unë, andej ku kishte shkuar Astriti. Nuk kam kaluar as edhe pesë metra zhagas dhe kam vërejtur trupin e Astritit të shtrirë në tokë, ndërsa motra e UÇK-së bënte çdo përpjekje për ta mbajtur Astritin në jetë. Nuk doja ta besoja. Astriti na la dhuratë buzëqeshjen e tij të ëmbël dhe lotët e dashurisë për Atdheun. Jam shtrirë në shpinë, shikoja qiellin dhe qaja.
Luftimet kanë vazhduar edhe për një kohë, e kur u ndalen krismat kuptuam që kishim mbi 40 ushtarë të plagosur e diku rreth 10 të vrarë. Tërheqja e ushtarëve të plagosur nëpër shkrepat e Pashtrikut ishte edhe një dramë tjetër në vetvete.
Nuk mundëm ta mohoj që beteja e parë e luftimeve kishte shkaktuar edhe panik mes shumë ushtarëve.
Të lodhur nga ecjet e gjata në këmbë dhe me ushqime jo të mjaftueshme, nuk ishte aspak e thjeshtë mbajtja e moralit mes ushtarëve. Disa edhe refuzonin të bartnin të plagosurit pikërisht sepse iu ishte shtjerrë forca fizike, nuk ecnin dot për vete e lëre më të bartnin dikë tjetër.
Në anën tjetër, trupat e gjakosur të ushtarëve të plagosur dhe gjëmat e tyre nga dhimbjet e bënin pamjen e natës edhe më të errët e më të trishtë.
Me shumë vështirësi i kemi tërhequr të plagosurit atë natë, edhe pse tërheqja e të gjithë atyre ushtarëve ka zgjatur me orë të tëra, disa prej tyre deri në orët e mëngjesit.
Ndërsa dëshmorët e rënë e kanë kaluar natën aty ku i mbyllën sytë për herën e fundit, duke luftuar për lirinë dhe për ATDHEUN.
I rraskapitur dhe me muskujt që dridheshin nga stërlodhja gjatë tërheqjes së ushtarëve të plagosur, jam shtrirë në lëndinë me sy hapur drejt qiellit. Gjumë kisha, por nuk më flihej.
Flisja në heshtje me Astritin për mos shkeljen e tokës së Kosovës për herë të parë me çizmet e ushtarit.
Kujtime personale të një dite lufte.