Portreti/intervista

Dritëro Agolli për Kosovën e Shqipërisë në kohë lufte (Pjesa II)

Në 90-vjetorin e lindjes së shkrimtarit të shquar

Ibrahim Rugova, që unë e kam mik, pavarësisht se e kam kritikuar miqësisht ndonjëherë, digat duhet t’i përdorë në përrenjtë me ujë të helmuar dhe jo në përrenjtë me ujë të kristaltë, siç janë përrenjtë e studentëve. Mjaft me heshtje! Heshtja zoti Rugova është flori, por jo në provime. Shqipëria jonë përtej Drinit është në provime dhe provimi quhet protestë. Pa protestë nuk ka liri dhe në ballë të protestës është rinia. Luftërat dhe revolucionet që njihen në histori i ka bërë rinia. Studentët e kanë në natyrën e tyre protestën, ata janë si uji i përrenjve që nuk i ngre dot diga, se i shpërthen. Kush i ngre diga këtij uji, mbytet vetë.

Si e vlerësoni nismën e Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës për fillimin e protestave për hyrjen në objektet shkollore?

Unë e përshëndes sinqerisht nismën e UPS-së për fillimin e protestave në dobi të hapjes së dyerve të shkollave. Kjo vjen pas një pritjeje shumë të gjatë dhe pas një durimi tepër të sforcuar dhe të lodhshëm, durim që të rraskapit dhe të bën nervoz, duke jetuar me shpirt në dhëmbë. Kërkesat e studentëve janë një e drejtë e ligjshme. Ata nuk kërkojnë sënduqe me florinj, por banka mësimi, ku të vënë fletoret, lapsat dhe librat. Ka kaq vjet që shtëpitë janë kthyer në shkolla si në kohën gjyshërve tanë nën pushtimin osman, kur ndalohej shkolla shqipe. E si të mos protestojnë studentët sot në prag të shekullit të 21-të?Studentët e Universitetit të Vlorës bënë grevë kundër qeverisë së tyre shqiptare për liri më të plotë demokratike dhe si të mos bëjnë greva studentët e Kosovës kundër qeverisë së huaj serbe? Po protestat e studentëve italianë për të kërkuar një reformë arsimore? Studentët e kanë në natyrën e tyre protestën. Ata janë si uji i përrenjve që nuk i ngre dot diga, se i shpërthen. Kush i ngre diga këtij uji mbytet vetë.

Populli dhe partitë e tjera politike po përkrahin këtë nismë studentore, përderisa LDK-ja, përkatësisht z.Rugova, u bën thirrje studentëve për pritje të realizimit të marrëveshjes së dështuar për arsim. Si e komentoni ju këtë qëndrim?

Pak më lartë unë përmenda digat që u vënë përrenjve. z. Ibrahim Rugova, që unë e kam mik, pavarësisht se e kam kritikuar miqësisht ndonjëherë, digat duhet t’i përdorë në përrenjtë me ujë të helmuar dhe jo në përrenjtë me ujë të kristaltë, siç janë përrenjtë e studentëve. Mjaft me heshtje! Heshtja zoti Rugova është flori, por jo në provime. Shqipëria jonë përtej Drinit është në provime dhe provimi quhet protestë. Pa protestë nuk ka liri dhe në ballë të protestës është rinia. Luftërat dhe revolucionet që njihen në histori i ka bërë rinia. Në vitet ‘60-të të këtij shekulli u tund e gjithë Franca nga vala e demonstratave të studentëve dhe kjo valë shembi disa kështjella qeveritare.

Thirrja për pritje “në realizimin e marrëveshjes për arsim” është një thirrje në tym, që edhe ai që thërret nuk e di se çfarë kërkon. Është një thirrje abstrakte jashtë realitetit konkret historik, që i ngjan pëshpëritjeve hipnotizuese për të vënë në gjumë. Prandaj në thelbin e saj është kundër lirisë dhe si e tillë është lakuriq reaksionare. Me fjalët “ngadalë se mos thyhet dërrasa” asnjë urë nuk mund të kalosh dhe do të mbetesh gjithmonë përtej lumit. Ka ardhur koha që këtë “mbetje përtej lumit” duhet ta mendojnë mirë drejtuesit dhe intelektualët e Shqipërisë përtej Drinit. Pritja nuk është gjithmonë e bardhë. Edhe dëbora është e bardhë, por e dhjesin qentë, i thonë një fjale.

Cilat do të ishin këshillat tuja drejtuar studentëve shqiptarë të Kosovës, përkatësisht UPS-së?

UPS-ja duhet të jetë në ballë të lëvizjes, të bëhet lokomotiva e saj. Në asnjë mënyrë të mos kenë kompleksin fajësisë, se me veprimin e tyre dëmtojnë çështjen shqiptare. Çështja shqiptare kërkon veprim. Vetëm veprimi e rinovon këtë çështje. Anija pa lundrim vyshket. Studentët do ta vënë në lundrim anijen e çështjes shqiptare dhe do ta shpëtojnë nga ndryshku.

“Bota e Re”, 25 shtator 1997

Vetëm xhelozia?

Me fillimin e luftës në Kosovë dhe me hedhjen e idesë së vënies në zbatim të planit Marshall në Shqipëri, për daljen e saj nga prapambetja dhe integrimin në Evropë, njerëzit filluan të mendojnë se në vendin tonë do të vihet në lëvizje një para e madhe dhe do të hapen shtigje edhe për një pasurim të paparë ndonjëherë të kapitalistëve të rinj, të funksionarëve të shtetit dhe të partive. Do të hapen rrugë dhe autostrada, do të ndërtohet një infrastrukturë e plotë moderne, do të modernizohet bujqësia bashkë me prodhimin dhe industrinë përpunuese të saj. Do t’i vijë radha industrisë së përpunimit të mineraleve, si kromit, bakrit, hekur-nikelit. Do të ndryshohet pamja e qyteteve me rrugët dhe me komunikacionin. Në këtë lëvizje transformuese, nga e cila dihet se kush përfiton më shumë, do të ketë tendera dhe aksione, konkurrenca firmash dhe rivalitete, ndërhyrje zyrtarësh, favore dhe disfavore. Të gjitha këto i dinë ata që janë të apasionuar dhe të etur për pasurim. Disa nga këta të etur për pasurim, që kanë qenë në poste të larta shtetërore në qeveritë e mëparshme, tani janë vënë në lëvizje, duke shprehur haptazi xhelozinë ndaj qeverisë së sotme dhe duke menduar: “Ah, si nuk jemi në qeverisje!”

Domethënë, arsyeja e parë që e shtyu në veprim këtë grup zyrtarësh të larguar nga postet, është arsye ekonomike. Arsyeja e dytë është ajo e xhelozisë për famën historike. Qeverisë së sotme i ra shorti historik të drejtojë në një kohë kur Shqipëria është bërë qendra e opinionit botëror dhe zëri i saj kapërcen në të gjithë paralelet dhe meridianët e globit tokësor. Në Shqipëri hyjnë e dalin ministra e kryeministra dhe drejtues forumesh dhe organizatash nga gjithë bota. Ministrat tanë dhe kryeministri ftohen në kontinentin e vjetër dhe të ri, duke u përgëzuar për barrën e rëndë që kanë marrë përsipër në kushtet e lëvizjes së qindra mijëra të ardhurish nga Kosova në Shqipëri e sfilitur nga lufta politike dhe nga varfëria ekonomike. Fama historike, pra, i takon qeverisë së sotme. Qeveritarët e zënë nga postet do të dëshironin ta jetonin vetë këtë famë. Por kjo famë, si peshku i artë në rrjetën e plakur, u shpëtoi nga dora dhe thonë: “Ah, sikur të qeverisnim në këtë situatë historike!”

Këto dy arsye: ajo ekonomike, për t’u pasuruar, dhe ajo historike, për t’u bërë me famë, ka vënë në lëvizje gjithë ata qeveritarë të rrëzuar apo që kanë dhënë dorëheqjen. Këta ish-qeveritarë, të grumbulluar rreth partive të tyre, i shtrëngojnë këto parti për t’u dhënë përsëri poste. Hartohen lista me simpatizantë e deputetë, ku shënohen kandidaturat në fillim për poste partie, pastaj për poste qeverie. Ata që kanë emrin në këto lista janë përfituesit e ardhshëm në qeverisje, për të marrë tendera rrugësh, fabrikash, ndërtimesh. Lëvizja e madhe e pritshme e parasë në zbatimin e planit Marshall, me mbarimin e luftës, atyre u ka ndezur pasionet e pasurimit të vetvetes dhe miqve. Dhe këto pasione mbulohen me vellon e patriotizmës dhe idealizmës përmes psherëtimave: “Ah, sa na dhimbset partia! Ah, sa na dhimbset Atdheu!” Psherëtima të tilla lëshojnë edhe dështakët më të mëdhenj të provuar në fronet e qeverisjes… Mbase po të mos ishte ideja e planit Marshall, këta nuk do të synonin të hipnin në shkallët e qeverisjes dhe hartuesve të listave nuk do t’u vinte në mend për të blerë letër dhe lapsa për të shkruar. Ata e kanë tepër të vështirë për t’u ulur e për të shkruar. Vetëm një rast i veçantë mund t’i bëjë të marrin letrën dhe lapsin, këto dy shpikje të mëdha të njerëzimit…

Spektër Nr. 25, 5 Qershor 1999

Në pritje të Godosë

 

Ç’është e vërteta mua nuk më ka pëlqyer teatri absurd, – as Jonesko, as Beketi, – ndofta se kam qenë rritur me një dramaturgji dhe me një letërsi klasike dhe realiste, në një shoqëri të ndryshme nga kjo që jetojmë sot. Megjithatë unë i kam lexuar që herët edhe Joneskon, edhe Beketin, edhe të tjerët dhe ndonjë titull si “Në pritje të Godosë” e kam përdorur si shprehje aforistike. Por sa kalon koha aq e qortoj veten se e kam patur gabim të madh që nuk e kam pëlqyer teatrin absurd. Realiteti ekonomik, shoqëror e politik ka aq absurditete sa ua kalon dramave dhe komedive absurde të Joneskos dhe të Beketit.

Të marrim vetëm një ngjarje, që mund ta quajmë “Në pritje të Rugovës”. Ka kaq kohë që gjëmojnë shtypi dhe radiotelevizionet: Rugova vjen sot e vjen nesër. Kryetarët e partive dhe të shtetit gërr me telefon nëpër Kryeqytetet e Evropës: aman, o Rugova, eja në Tiranë, se po nuk erdhe zotrore, e humbën Kosovën! Lëre, lëre!

Dy ngjarje të mëdha prej Tirana dhe ndofta Evropa: ardhjen e Rugovës në Shqipëri dhe nisjen e Apachëve nga Shqipëria në Kosovë. Dhe opinioni gjëmon: Kur do të vijë Rugova? Kur do të nisen Apachët?

Prit, prit – s’ka! Doemos një triumfator kaq i madh si Rugova, që mundi serbët në Fushë-Kosovë dhe bëri kërdinë në Kaçanik dhe iu fut Milosheviçit brenda në Beograd e meriton të pritet me padurim dhe t’i shtrohen rrugët me dafina nga aeroporti i Rinasit e deri në Pallatin e Brigadave! Madje UÇK-ja duhet të shpallë armëpushim, ta lërë frontin dhe të rreshtohet me “për nder armë” para Bonapartit të maleve të Rugovës. Duhet të vijnë para këtij triumfatori dhe të dërguar nga Roma dhe kryeqytete të tjera të Evropës me dhurata të çmuara dhe me nderime të larta, pasi shkëlqesia e tij e shpëtoi Ballkanin nga një katastrofë e padëgjuar. Por triumfatori vonohet. Nuk mund të vinte ai para Toni Blerit, kryeministrit të Anglisë, as para Solanës, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. As para shumë ministrave të shteteve evropiane, arabe dhe aziatike. Madje sikur vetë Klintoni të paralajmëronte ndonjë vizitë në Tiranë, triumfatori do të ishte gati të priste për të ardhur pas tij. Nuk ka ndonjë gjë se në Shqipëri janë gjysmë milioni shqiptarë të përzënë nga Kosova. Nuk ka ndonjë gjë se në Shqipëri në këta dy muaj kanë ardhur më shumë burra shteti nga bota, se dy shekuj të shkuar të historisë së saj. Atij aq i bëjnë këta dy muaj dhe këta dy shekuj të historisë. Aq i bëjnë dhe rënkimet e gjysmë milioni kosovarësh, bashkatdhetarë të tij! “Mirë t’iu bëhet që rënkojnë”, mendon ai. “Pse nuk erdhën të rënkonin në Gjermani, në Austri, në Zvicër, në Danimarkë, në Suedi ku mund t’i takoja lehtë para shkallëve të hoteleve dhe rezidencave. Ç’duan në Shqipëri? Ne nuk jemi bashkuar me Shqipërinë? E ha unë atë, të shkoj shpejt e shpejt në Shqipëri, që bota të më akuzojë që Rugova kërkon bashkimin e Shqipërisë. Unë nuk jam mësuar me një politikë surrogate si ajo e Tiranës”.

Me siguri kështu mendon triumfatori. Ndërsa drejtuesit shqiptarë gërr telefonit nëpër kryeqytetet e Evropës:

  • E presim të vijë…
  • Ë, kur vjen?
  • Këto ditë.
  • Lajm i shkëlqyer!
  • Po shallin e ka?
  • Doemos! Ai nuk e hoqi nga qafa në betejën e Fushë-Kosovës dhe të Kaçanikut!…
  • Nuk e hoqi nga qafa as kur iu fut Milosheviçit në Beograd… ! hiqet ai shall?
  • Më sa e heq Arafati!
  • A më qafsh, kur vjen?
  • Logjika e do se para se ta çlirojë Kosovën me bombat prej letre të përgatitura në kancelaritë diplomatike të Evropës, duhet të vijë…
  • Thonë se po ndërton disa skuadrilje me Apashë prej letre!
  • Jo, more! Ua kaloi amerikanëve!
  • Kështu rrjedhin ligjërimet në Tiranë, në pritje të triumfatorit. Dhe unë sjell në mend Beketin me “Në pritje të Godosë”. E kam patur gabim që nuk e kam dashur teatrit absurd.

Spektër Nr. 24, 29 Maj 1999

A do të bëhet Shqipëria?

Me sa duket, pasi të mbarojë kjo luftë dhe shqiptarët të kthehen në shtëpitë e tyre, nga të cilat nuk kanë ikur, por janë përzënë nga serbët e armatosur, Shqipëria, e rrënuar dhe e sakatuar disa herë, do të bëhet për së mbari. Në takimet e të mëdhenjve në kryeqytetet e Evropës, por edhe të botës, duke përfshirë këtu edhe kryeqytetin tonë, një gjë flitet: Shqipëria do të bëhet. Kur themi Shqipëria, – e kam fjalën për gjithë tokën shqiptare, ku ra hekuri dhe zjarri dhe ku rrodhi gjaku nëpër shkrumbin dhe hirin. Dhe kjo nuk do të bëhet gratis dhe për lëmoshë, për hir të një sentimentalizmi apo një mëshire. Çdo gjë shqiptarët e kanë parapaguar. Bashkë me gjakun e derdhur, në Shqipërinë e përtej Drinit iku gjithë pasuria e mbledhur në qindravjeçarë, ikën përngaherë nga kjo botë mijëra njerëz, që janë vlerat më të mëdha, u sakatuan shpirtra dhe ndërgjegje, u vranë qetësia dhe gjumi. E gjithë kjo është një pagesë kolosale e shqiptarëve për ta bërë Shqipërinë për së mbari që nuk ka të bëjë fare me atë parullën idioteske të viteve të para të demokracisë: “Ne qeverisim, bota na ndihmon!” Lëre, lëre se çfarë qeverisëm!

Shqipëria do të bëhet edhe për një arsye tjetër, nëse do të flasim hapur dhe qartë, pa censurë dhe pa autocensurë, – dhe koha ka ardhur për të folur në këtë mënyrë.

Fajin për rrënimin e Shqipërisë, në mos të gjithë, por pjesën më të madhe, – e kanë Fuqitë e Mëdha, Evropa dhe të tjerët. Po të mos ishte bërë një padrejtësi historike e 1913-s, padrejtësi e ndarjes së Shqipërisë, nuk do të ndodhte kjo dramë e madhe që po jetojmë. Ai vit i 1913-s, të 19 vendet e aleancës, bashkë me ne, po i paguajnë tani, jo vetëm me miliardat e dollarëve të avionëve, bombave, kancelarive, hoteleve, udhëtimeve, por edhe me miliardat e nervave, anktheve dhe qelizave të tretura të truve. Dhe nëse e kanë ndjenjën e fajësisë, Shqipërinë duhet ta bëjnë. Por, pra ne Shqipëria nuk bëhet, pasi, siç e thashë, për ta bërë ne kemi paguar dhe stërpaguar.

E përsëris: pa ne nuk bëhet Shqipëria. E keqja jonë është e presim të na e bëjnë dhe fërkojmë duart. “E dëgjuat se çfarë tha filani? Do ta bëjmë Shqipërinë!” Me të vërtetë, kur jepet ky premtim, ne nuk duhet të na zërë gjumi. Ky rast nuk vjen gjithnjë. Atyre që premtojnë për ringritjen e Shqipërisë është e domosdoshme t’ua bëjmë ne vetë projektet dhe planet. Të parashikojmë shkencërisht, fjala vjen:

  1. Ndërtimi i infrastrukturës: rrugëve, autostradave, ndërlidhjes, mjediseve të qyteteve e me radhë.
  2. Modernizimi i bujqësisë me një drejtim bashkëkohor dhe jo primitiv si sot, që edhe lakrën, edhe preshin i marrin nga Maqedonia, kur toka jonë i prodhon të gjitha. Modernizim do të thotë prodhim modern dhe përpunim modern i prodhimeve, shkurt zhvillim i industrisë ushqimore.
  3. Krijimi i kushteve të turizmit, mjediseve, hoteleve, restoranteve, kuadrit, siç thashë pak më lart.
  4. Përpunimi i mineraleve, që është një pasuri kolosale kombëtare.

Të gjitha këto që them janë “fjala vjen”, pasi jam analfabet në këto punë. Por mendimi im është që ata që janë në qeverisjen konkrete të vendit të dinë se çfarë të kërkojnë prej NATO-s, kur ajo thotë: “Do ta bëjmë Shqipërinë”. Por ne ndonjëherë jemi aq mendjeshkurtër, sa kërkojmë prej NATO-s të na i mbledhë plehrat dhe të na i mbulojë pusetat e trotuareve, pasi mendojmë vetëm për ato që shikojmë. Shikojmë plehra, themi: “Ah, sikur të na i mbledhë NATO-ja me APACH-ët e saj!”

Spektër Nr. 23, 22 Maj 1999

Vështirësitë e një bisede

Në shtëpinë time bisedoja me një gazetar latino-amerikan. Ai ishte dërguar nga një gazetë e madhe argjentinase për të ndjekur ngjarjet në Kosovë dhe gjendjen politike dhe ekonomike këtu, në Shqipëri. Ne folën gjatë për të ardhurit nga Kosova, për barbaritë çnjerëzore të serbëve, për bombardimet e NATO-s në Serbi dhe, në përgjithësi, për dramën e madhe të shqiptarëve. Për mua nuk ishte rasti dhe koha të flisja për letërsinë se, siç thonë të vjetrit, kur gjëmojnë topat, ikin muzat. Papritur, në mes të bisedës, – që ishte krejt politike, – ai vuri lapsin mbi fletorkën e shënimeve, ndezi një cigare dhe m’u kthye:

  • Po shkrimtarët dhe poetët çfarë bëjnë? I thashë se janë bërë pjesëmarrës në dramën e madhe shqiptare, shkruajnë nëpër gazeta, flasin në radio e televizion, takohen me bashkatdhetarët…
  • Zëri i shkrimtarit, në ngjarje të tilla dramatike, është i pazëvendësueshëm për rëndësinë e tij.

E pashë se nuk e lëvizi lapsin nga fletorka e shënimeve. Kuptohej se kjo përgjigje tepër e përgjithshme nuk i interesonte.

  • Ju mbase nuk më kuptuar, – tha ai. Unë e kam fjalën më konkretisht. Poetët a shkruajnë vjersha? Prozatorët a botojnë reportazhe dhe tregime? Kompozitorët a kompozojnë këngë, piktorët a pikturojnë. Me sa di unë, në Luftën e Dytë Botërore, poetë si Pol Elyari, Lui Aragoni e të tjerë shkruanin. Kjo lufta juaj dhe kjo drama juaj nuk është e pakët…

Unë për një çast e harrova gazetarin latino-amerikan dhe u përhumba në mendimet e mia mjaft të turbullta dhe mjaft të trishtuara. Solla nëpër mend mendimet e mjaft poetëve, të shprehura në gazeta dhe në ekranin e televizorit se letërsia dhe veçanërisht poezia nuk ka të bëjë me realitetin dhe jetën, se ajo është diçka që jeton në nënndërgjegjen, diçka që nuk ka nevojë të kuptohet nga të gjithë, por nga një elitë, madje diçka që nuk duhet të shitet, se një libër sa më pak të blihet nga lexuesit, aq më shumë vlera ka, e të tjera përralla të vjetra, të servirura për të reja. M’u kujtua edhe një bisedë e një poeteshe në televizionin shtetëror, të cilën kur e pyetën se ç’mendim kishte për çështjen kombëtare dhe për luftën e shqiptarëve të Kosovës për liri, tha afërsisht: e çfarë do të thotë kjo çështje shqiptare dhe kjo luftë?

E ku kanë kuptim këto gjëra tani, kur Evropa do të bashkohet? M’u kujtua edhe një mendim i një shkrimtareje avangardiste që, kur e pyetën se ku zhvillohen ngjarjet e tregimeve të saj, u përgjigj: “Unë jam kozmopolite. Nuk e di se çfarë mendimesh kanë sot, kur e shohin me sy tragjedinë kosovare, kur dëgjojnë rënkimet e të munduarve dhe të sakatuarve, kur vështrojnë lumenjtë e një milion shqiptarëve të ndjekur nga trojet e tyre të shkrumbosura, kur ndjejnë gjëmimet e luftës për çlirim, që bën UÇK-ja, kur ditë e natë dëgjojnë oshtimën e avionëve të NATO-s. A thonë vallë këta shkrimtarë: “Ç’kuptim ka çështja kombëtare?”, “Jam kozmopolite, qytetare e botës”, “Poezia nuk ka lidhje me jetën. Është nënndërgjegje…” A vazhdojnë ta kenë këtë mendim? Unë e kuptoj. E gjithë kjo vjen edhe nga një farë alergjie ndaj letërsisë skematike të së kaluarës, kur kërkohej të ndiqej hap pas hapi realiteti aktual, kur ngulej këmbë që edhe vendimet e një kongresi apo një plenumi të PPSH-së, të pasqyroheshin në art. Por kjo alergji nuk duhet të largojë letërsinë nga misioni i saj që ka për formimin e njeriut në luftë kundër padrejtësive shoqërore për një progres dhe civilizim të vërtetë. Përndryshe do t’i japim të drejtë thënies popullore: “Për inat të sime vjehrre, do të fle me mullixhinë”. E çfarë t’i thosha gazetarit latino-amerikan? Unë e gënjeva:

  • Të gjithë poetët tanë shkruajnë poezi për ngjarjet e luftës së sotme.

Më kërkoi një poezi. Me vështirësi e gjeta dhe ia dhashë. Por me latino-amerikanët nuk bëhet shaka. Ata kanë sot letërsinë më të madhe…

Spektër Nr. 22, 15 Maj 1999