ҪËSHTJA SHQIPTARE NË KUADËR TË REALPOLITIKËS
12 shkurt 2023
Klasa politike dhe ajo intelektuale në Kosovë ka dështuar disa herë të arrijë të kuptojë ngjarjet e rëndësishme politike, të cilat do të ndikonin dhe do të ndikojnë në ardhmërinë, në veçanti të Kosovës, dhe në përgjithësi të çështjes shqiptare.
Kjo klasë politike dhe intelektuale dështoi që të shihte dhe të kuptonte ngjarjet e vitit 1981. Gjatë atyre ngjarjeve klasa politike u frikësua nga e panjohura, dhe për këtë arsye i dënoi ato ngjarje, ndërsa klasa intelektuale heshti, sepse kishte frikë se mos humbte privilegjet që posedonte deri në ato momente.
E njëjta gjë ndodhi sërish pas gati dy dekadash.
Pikërisht në vitet 1997-99 klasa politike, jo vetëm që dështoi t’i shihte ato ngjarje si një prelud i sendërtimit të gjithë përpjekjeve për liri që nga viti 1912 e këtej, por, duke qenë se ajo u tremb nga vrulli i tyre dhe nuk i pati ajo nën kontroll, e as që e kishte idenë se kush ishin ata që i inicuan dhe i bartnin ato ngjarje, kjo klasë politike i dënoi ato, duke arritur sa t’i konsideronte edhe si “Dorë e zgjatur e Sërbisë”.
Ndërsa klasa intelektuale sërish, edhe kësaj radhe, jo vetëm që heshti, por e shfrytëzoi me oportunizëm këtë ngjarje, duke u larguar në Perëndim.
Edhe tashti, pothuajse sërish pas 2 dekadash, kur Kosova ndodhet në një ngjarje tjetër të rëndësishme për qënësinë e saj, në tentativën e Perëndimit, për t’i imponuar me dhunë e presion politik Kosovës, Asosacioni/Bashkësia e Komunave Serbe, klasa politike dhe ajo intelektuale sërish po dështon ta shohi këtë si një ngjarje e cila po e çon jo vetëm Kosovën, por gjithë çështjen shqiptare 110 vjet prapa.
Pikërisht, në vitin 1913, kur Ministri i Jashtëm i Britanisë pas Konferencës së Londrës do të deklaronte: “Për fat të keq, na u desh ta viktimizonin popullin shqiptar, për të ruajtur paqen në Evropë”.
Edhe tashti klasa politike, së bashku me atë intelektuale, qoftë në Republikën e Kosovës por edhe në Republikën e Shqipërisë, të ndikuara në ndërgjegjen e tyre nga remenishenca të së kaluarës, ato, në vend që të mbrojnë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës dhe të çështjes shqiptare, janë ndarë keqasi dhe sërish fajin e hedhin te të tjerët.
Në këtë rast, në një injorancë totale të gjithë, si në kor e nën një dirigjim, shkruajnë se fajin për këtë sot e ka Rusia.
Ashtu si dikur, para vitit 1990, kur e njëjta klasë intelektuale shkruante, se për çdo gjë fajin e kishte Imperializmi Amerikan, ndërsa tashti që Amerikanët i kemi bërë aleatë, fajin e ka Imperializmi Rus!
Ose, duke e harruar qëllimisht, ose për shkak të padijes, se Asosacioni cenon sovranitetin dhe integritetin politik dhe territorial të Kosovës, është një marëveshje e propozuar në vitin 2013 nga Shefja për Politikë të Jashtme e BE-së në atë kohë, Katerin Ashton (Catherine Ashton), me qëllim që të ndikonin sadopak te Sërbia që ajo të fillonte një shkëputje graduale nga Rusia.
Evropa e ofroi atëherë këtë marrëveshje dhe po mundohet edhe sot ta finalizojë atë, pasi ajo e qorruar tashmë totalisht nga kërcënimi rus, po tenton të përdorë çfardo lloj mundësie që ajo ka në dorë për t’i shkëputur Rusisë qoftë edhe një aleat.
Kjo, pasi edhe Evropa, por edhe ne shqiptarët dhe amerikanët, nuk e kemi kuptuar se është Sërbia ajo që e përdor Rusinë sa herë ka nevojë që të faktorizojë veten, dhe asnjëherë Rusia Sërbinë për të faktorizuar atë.
Edhe në vitin 2013, por edhe sot, klasa politike dhe intektuale shqiptare dështoi ta shohi se Evropa e sheh çështjen shqiptare jo si një çështje më vete, por në kuadër të interesave të saj politike.
I njëjti problem ka ndodhur edhe me Amerikën. Ata, amerikanët, në vitet ’80-të e deri në 1999 e shikonin çështjen shqiptare në kuadër të intereseva sllave. Vetëm në vitin 1999 amerikanët e kuptuan që çështja shqiptare nuk mund të jet pjesë e interesave sllave, dhe ndërhynë fuqishëm, për t’i dhënë asaj një zgjidhje që zgjati deri në vitin 2008.
Por sërish, injoranca e politkës shqiptare, tentoi dhe po tenton ta kthejë çështjen shqiptare në vitet ’80-të, sërish në kuadër të interesave sllave.
Pas vitit 2008 Amerika ia kaloi çështjen shqiptare Evropës për t’i dhënë asaj zgjidhje, por Evropa po e përdor atë në kuadër të interesave të saj, dhe refuzon ta shohi si një çështje më vete dhe thelbësore për Ballkanin.
Kjo edhe për shkak të mefshtësisë dhe të oportunizmit të klasës sonë politike, e cila është më shumë e interesuar për të mbajtur pushtetin, se sa ashtu siç propagandon: për të bërë shtetin.
Dhe në këtë përpjekje të saj, Evropa, sërish si në 1913, po rrezikon të sakrifikojë dhe të viktimizojë shqiptarët, Kosovën dhe çështjen shqiptare, për të arritur paqen e saj të pretenduar në Evropë.
Dhe, ashtu siç ka ndodhur edhe më parë, klasa politike dhe intelektuale shqiptare po e sheh këtë si një luftë interesash ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë, dhe jo si një coptim të ri të trojeve shqiptare.
Ndaj, kjo klasë politike dhe intelektuale duhet të flasi me një gjuhë të përbashkët në rast se janë të interesuar të shmangin një luftë të re, në të kundërt, le të tërhiqen nga misioni që kanë marrë përsipër.
Klasa politike dhe intelektuale duhet të heqin dorë nga oportunizmi, duke dalë me propozime konkrete, të cilat t’i japin fund kësaj maskarade, e jo me ca pika si ato të Kryeministrit Kurti sa për të fituar kohë e për të shitur një gjysmë patriotizmi.
Në rast se Evropa dhe Amerika nuk tërhiqen nga vendimi i tyre për të implementuar këtë Asosiacion/Bashkësi, atëherë rruga e vetme për shqiptarët, për të ruajtur të pacenuar sovranitetin dhe integritetin politik dhe territorial, mund të kalojë vetëm nëpërmjet këtyre pikave:
- BE-ja të detyrojë ato shtete europiane që nuk e njohin Kosovën, që të bëjnë njohjen e saj si anëtare të BE-së.
- Amerika dhe Shqipëria të propozojnë futjen e Kosovës në NATO menjëherë pas njohjes nga gjithë shtetet e BE-së.
- BE-ja të bëjë futjen e Kosovës me procedurë të përshpejtuar në BE.
- Bazuar mbi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe, duke shfrytëzuar faktin që edhe vet Rusia nëpërmjet Putinit e pranoi këtë vendim si të drejtë, (Gjatë takimit, që Putini pati me Shefin e OKB-së gjatë vitit 2022), Shqipëria të propozojë në OKB një rezolutë të re për Kosovën dhe ndryshimin e Rezolutës 1244, duke shfrytëzuar qenien e saja anëtare përkohshme e Këshillit të Sigurimit.
Ҫdo gjë tjetër jashtë këtyre pikave është thjesht në kuadër të asaj shprehjes: “Më ka çu nona me la gojën”.
Ka ardhur koha që klasa politke dhe intelektuale shqiptare të eci mbi real-politikën, dhe jo mbi fantazit politike.