Shqipëria/Aktualitet

Shqiptari Dritan Abazoviç zgjidhet kryeministr i Malit të Zi

PODGORICË, 28 prill /ATSH/- Parlamenti i Malit të Zi votoi sot për një qeveri të re të pakicës, e para në historinë e saj, me një mandat njëvjeçar për t’u përgatitur për zgjedhjet e parakohshme të pranverës së ardhshme.

Lideri i bllokut “E Zeza mbi të Bardhë”, Dritan Abazoviç u zgjodh kryeministër me 45 vota në dhomën prej 81 vendesh, i mbështetur nga koalicioni i tij, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe dhe ish Partia Demokratike e Socialistëve në opozitë, DPS, Partia Socialdemokrate, Partia Boshnjake dhe dy koalicione etnike shqiptare.

Socialdemokratët e opozitës votuan kundër zgjedhjes së qeverisë, ndërsa dy partitë më të mëdha opozitare të koalicionit, Për të Ardhmen e Malit të Zi dhe Paqja është Kombi ynë, të cilat dominuan qeverinë e kaluar, bojkotuan votimin.

Abazoviç tha se qeveria e tij e re do të përshpejtojë reformat dhe integrimin në BE, duke theksuar se vendi i polarizuar ka nevojë për stabilitet politik dhe social.

“Unë do të udhëheq një dialog politik aktiv për të përmirësuar atmosferën në shoqëri dhe për të ulur polarizimin e vendit. Nuk jam dakord që Mali i Zi të ndahet në dy palë kundërshtare, por të zhvillohet si një shtet civil që respekton të gjitha dallimet”, tha Abazoviç. //a.i/