Komenti

Dr. Sadri Ramabaja: Grushtshteti i dështuar dhe dilema e demokracisë amerikane

Prishtinë, 8 janar – E përbashkëta e alpinistëve dhe e fashistëve është pikërisht entuziazmi që kanë në ngjitje të majave dhe përtacia deri në përpjekje të shmangies së domosdosë për zbritjen nga maja. Insistimi i vazhdueshëm dhe paralajmrimet e Presidentit të SHBA Donald Trump dhe të një pjese të partisë së tij për të shmangur humbjen e tyre të paralajmruar, respektivisht për t’ mos e njohur verdiktin e popullit, arritën kulmin në ripërsëritjen e sulmit të parë ndaj Kapitolit në Uashington që nga viti 1814, kur trupat plaçkitëse britanike i kishin vënë flakën ndërtesës.
Por për dallim nga trupat britanike atbotë, falangat fashiste të mërkurën që lamë pas kishin objektivin e qartë politik, prandaj nuk e dëmtan pallatin ku ishte përqëndruar vëmendje e gjithë botës.

Puçi që sprovoi Putini ta ushtroj në Capitol Hill, duke shfrytëzuar fashistin D.Trump, dështoi. Ky fakt duhet të ketë nxitur disa nga dorëheqjet që pasuan në Shtëpinë e Bardhë, por edhe distancimin e qartë nga dhuna. Ndërkohë pasoi rreshtimi i stafit pas Zëvendëskryetarit, Pensi, që deklaroi me forcë se “humbësit nuk mund ta marrin peng demokracinë amerikane”.

Bota vazhdon të jetë, megjithatë dështimin e grushtshtetit, në ankth dhe pritje.

Ditët sa D.Trampit i kanë mbetur ta dorëzoj pushtetin janë tepër të gjata dhe mund të sjellin të papritura të pallogaritshme.

Disa nga njohësit më të mirë të legjislacionit dhe kushtetutës amerikane, pohojnë se mund të fillohet procesi i shkarkimit të Kryetarit Tramp, meqë ai nuk kishte kryer detyrën si Kryetar i SHBA-ve, duke u vënë në mbrojtje të kushtetutës amerikane, por ishte vënë shërbim të puçistëve dhe falangave fashiste që pushtuan tempullin e demokracisë amerikane.

Dështimi i grushtshtetit të 6 janarit duket se na rikujton urtësin e historisë politike, që i shkon për shtati Donald Trampit, se ngritja e tij ishte një farsë e llojit të vet, ndërkaq përsëritja e saj nuk mund të ishte tjetër veç një tragjedi, po ashtu e llojit të vet, ashtu si pritet të ndodhë në ditët në vijim.

Pushtimi i tempullit të demokracisë amerikane nga falangat fashiste nën dirigjimin e drejtpërdrejtë të D.Trampit ishte sulmi më serioz, që i është bërë demokracisë liberale si sistem dhe shtetit të së drejtës në historinë amerikane. Rrjedhimisht ky akt e sjell Kongresin dhe Senatin para dilemës: ose të reagojnë shpejt duke e shkarkuar Trampin dhe duke i hapur rrugë drejtësisë për veprim, ose të pranojnë duelin pasues me përmasa më të rrezikshme pas fundit të kësaj legjislature.