Botë

Dr. Jorgji Kote: Ukraina, dividendi i paqes dhe diplomacia e luftës!

Dr. Jorgji Kote

Deri përpara agresionit rus kundër Ukrainës dy vite më parë, SHBA-të, BE-ja dhe veçanërisht Gjermania zbatonin me naivitet “politikën qetësuese“ (appeasement policy) ndaj Rusisë. Thelbi i kësaj politike është marrja me të mirë e kundërshtarit, përfshirë dhe diktatorët, me qëllim zbutjen dhe çtensionimin e situatës, parandalimin e sulmeve ushtarake prej tyre, sigurimin e një paqeje të qëndrueshme dhe për rrjedhojë përfititimin e të ashtuquajturit “dividend i paqes“ me përfitime, sidomos në fushat politike, ekonomike, tregtare, investime, etj.

I pari që e zbatoi tragjikisht këtë politikë ishte Kryeministri britanik Neville Chamberlain me nënshkrimin e Marrëveshjes famëkeqe të Mynihut me Hitlerin më 1938; ajo i çeli rrugën pushtimit të Polonisë, aneksimit të Sudeteve dhe bombardimeve ajrore kundër Britanisë së Madhe. Chamberlain dha dorëheqjen në Maj 1940, i zëvendësuar nga Winston Çhurçill, i pagëzuar si “kryeministri i luftës“.

Çuditërisht, 31 vjet më vonë kjo politikë dështake u nxuarr nga sirtarët e pluhurosur diplomatikë; në Janar 1993, i Dërguari Special i SHBA-ve, Syrus Vance dhe ai i BE-së, Lordi David Oëen shpallën “Planin e Paqes“ për Bosnien. Ata i përzgjodhën si ish Kryediplomatë të dy shteteve tejet të fuqishëm, veçse tashmë në një rajon shpërthyes, ku bandat serbe po bënin “kërdinë“, pa ia ditur fare për diplomaci dhe diplomatë, sado emra tingëllues që kishin. Dështimi i Paqes në Bosnie, megjithë lëshimet dhe favoret e shumta ndaj Milosevicit çoi në shtimin e dhunës dhe në gjenocidin ndaj mijrave civilëve të pambrojtur dhe të pafajshëm. Vetëm pas ndërhyrjes ushtarake perendimore u “qetësuan gjakrat“ me Marrëveshjen e Paqes në Dayton më 1995, por dhe ajo gjysmake, mbasi krijoi“ Republika Srpska“, me plot problematika të nxehta dhe sot e kësaj dite.

E njëjta gjë ndodhi dhe me Milosevicin kur refuzoi Marrëveshjen e Rambujesë të 23 Shkurtit 1999, ndonëse ishte tejet e favorshme për Serbinë. Një muaj më vonë, ky refuzim kokëfort përballë të gjitha demarsheve diplomatike çoi në ndërhyrjen ushtarake të NATO-s dhe luftën çlirimtare të UÇK-së, të cilat u pasuan nga proceset e njohura politike, diplomatike, ekonomike, paqebërëse dhe integruese Euro – Atlantike për Ballkanin Perendimor dhe sidomos pavarësimin e Kosovës.

Në 20 vitet e fundit, idhtarë të kësaj përqasjeje me pasoja të pallogaritshme janë Ish Presidenti Trump dhe sidomos Kancelarja gjermane Merkel. Kjo e fundit, me moton gjeopolitike “Wandel durch Handel“ ose “ Change through trade“ në shqip “Ndryshim nëpërmjet tregtisë“ pretendonte se forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar me vende autoritare dhe problematike do të shmangte dhe mënjanonte veprimet agresive e do të siguronte paqe dhe stabilitet; duke besuar me miopi se falë këtyre politikave, edhe diktatorë si Putini mund të bëhen “djem të mirë“ ( good guys) shpresohej se vendet perendimore do të përfitonin nga “dividendi i paqes“ dmth nga tarifat e lira, sidomos për gazin, naftën dhe favore në tregjet kapitale, të shitjes, etj.

Në fakt, këto përfitime nuk munguan, por ato shumë shpejt u bënë si “dardha që e ka bishtin prapa“; dihet se si BE-ja e sidomos Gjermania u bënë të varura nga Rusia dhe Kina për plotësimin e mbi 60 për qind të nevojave të tyre të konsumit për naftë dhe gaz, tregjet e shitjes së automobilave, etj.

Fatkeqësisht, vende të BE-së nuk deshën të nxirrnin mësime nga këto pësime; çuditërisht Gjermania i vazhdoi politikat qetësuese të gabuara dhe pas aneksimit të Krimesë më 2014. Madje, në vitin 2015 ajo filloi ndërtimin e gazsjellësit të dytë gjigand “Nord Stream“ me Rusinë dhe e përfundoi atë, megjithë kundërshtimet e përsëritura nga SHBA-të dhe aleatë të tjerë perendimore. U detyrua ta ndërpresë funksionimin e tij vetëm në prag të agresionit rus kundër Ukrainës në shkurt 2022.

Ishte pikërisht ai agresion që i detyroi më në fund qeveritë dhe politikbërësit perendimorë të merrnin me shumë vonesë kthesën e kërkuar, derisa hoqën dorë nga ato politika fatale; veçse duke “paguar si frëngu pulën dividendin e paqes“!

Kështu, sipas Raportit më të fundit të qeverisë ukrainase, Bankës Botërore dhe OKB-së dëmet dhe humbjet që i janë shkaktuar Ukrainës këto dy vjet kapin shumën 152 Miliard Dollarë, ku 70 për qind e zenë dëmet e shkaktuara në ndërtesa dhe transportin publik. Ndërkohë, 6 milion ukrainas kanë emigruar në Europë, ndërsa 4 milionë të tjerë janë zhvendosur brenda vendit. Për pasojë, për rindërtimin e Ukrainës do të kërkohen 500 miliard Dollarë, shumë e cila do të rritet, për shkak të paparashikueshmërisë së vazhdimit të luftës. Disa herë më të mëdha janë këto dëme dhe humbje dhe për shumë vende të tjera në Europë dhe gjetkë. Mjafton të përmendet se vetëm humbjet e Gjermanisë këto dy vite llogariten 200 miliard Euro!

Ndërkohë, nisur nga frika e vazhdimit të luftimeve në Ukrainë me pasoja dhe më të rënda, disa vende dhe personalitete kanë kërkuar që fatin e luftës ta përcaktojnë diplomacia dhe negociatat në tryezën e bisedimeve e jo ushtritë, tanket dhe raketat!

Një vit më parë, në Gjermani, liderja e të majtëve Sara Wagenknecht dhe publicistja e njohur Alice Schwarzer nënshkruan Peticionin “Manifest për paqen“ ku kërkohej ndalimi i luftimeve në Ukrainë dhe ulja në tryezën e bisedimeve të paqes. Ky Peticion u nënshkrua nga mbi 500.000 vetë – profesorë, intelektualë, gazetarë, teologë dhe personalitete të njohur për pacifizmin e tyre por nuk vijoi dot më tej.

Ndonëse shqetësimi i tyre në parim ishte i drejtë, kërkesa për ndalimin e luftimeve ishte jashtë realitetit dhe vetëm ”dëshirë e mirë”. Dihet se deri më 24 Shkurt 2022 por dhe mbas kësaj date u bënë të gjitha ndërhyrjet diplomatike në nivelet më të larta shtetërore dhe ndërkombëtare por ato dështuan. Në fakt, gatishmëria ruse që shfaqet sa për sy e faqe rast pas rasti për bisedime dhe paqe ama pa u tërhequr nga Ukraina është demagogji e pastër; ajo synon vetëm të përçajë aleancën perendimore dhe të fitojë kohë për rigrumbullim forcash dhe ofensiva të reja. Me të drejtë, në Konferencën e Munihut u nënvizua se luftën nuk po e zgjatin livrimet e armëve; përkundrazi, sa më shpejt ta kuptojë Putini se nuk e realizon dot synimin imperialist, aq më e madhe është mundësia për tërheqjen e trupave ruse.

Ndërkohë, kritikët dhe kundërshtarët e propozimeve të ndryshme për paqe dhe armëpushim, të cilët janë shumë më tepër në numër evidentojnë të shqetësuar disa probleme serioze. Mbi të gjitha, sipas tyre, duhet dëgjuar dhe respektuar ai që është sulmuar, pra populli i Ukrainës, nëse ai është dakord për paqe në këto kushte. Mirëpo, një sondazh serioz ndërkombëtar i javëve të fundit tregon se 95 për qind e ukrainasve janë për vazhdimin e luftës deri në fitore. Problemi tjetër dhe më i madh është se nuk mund të ketë paqe pa drejtësi dhe pa kushte ndaj agresorit. Çka do të thotë, se në rastin e kësaj paqeje, Rusia do të duhej të tërhiqej nga të gjitha rajonet e pushtuara, të bënte dëmshpërblimet e rastit dhe të jepte garancitë e duhura për paqe; mirëpo kjo kërkon masa shumë më të thella drastike, përfshirë kërcënimin e munguar të agresorit” me arsenalin ushtarak perendimor. Këtu vlen pohimi i Alexander Rhotert, ndër ekspertët gjeopolitikë më të njohur gjermanë se: ”mësimi i parë i madh është që diplomacia dhe negociatat nuk mund e nuk duhet të bëhen gjatë procesit të luftimeve. Ato lihen për në fund, mbasi kanë mbaruar veprimet në teatrin e luftimeve, kur agresori është dobësuar në kulm, duke e ulur atë në tryezë; vetëm presioni ushtarak i detyron diktatorët dhe agresorët të ulen në tryezë për të pranuar paqen veçse me kushtet tona, jo të tyret”.

Çështja tani shtrohet që Ukraina duhet të fitojë me çdo kusht, ndryshe, humbja e saj do të ishte nxitje akoma më e madhe për Rusinë për të sulmuar dhe vende të tjera të BE-së dhe NATO-s, duke kërcënuar seriozisht paqen, stabilitetin dhe sigurinë botërore. Tanimë nuk bëhet më fjalë thjesht dhe vetëm për mbrojtjen dhe zhvillimin e demokracisë dhe shtetit të drejtës, madje ato tingëllojnëmë tepër luks diplomatik. Jo, jo, tashmë në rend të ditës është mbijetesa, mbrojtja, jeta dhe paqja tashmë, tashmë jo vetëm në Ukrainë, por në Europë dhe në botë.

Në këto kushte, me të drejtë, eseisti dhe filozofi i shquar francez i kësaj fushe Nicolas Tenzer në librin e tij më të ri “Lufta jonë – (Notre Guerre) kërkon troç zbatimin nga Perëndimi të “diplomacisë së luftës“. Sipas tij kjo është e pashmangshme kur tjetri të kërcënon hapur se do të të shkatërrojë; atëhere këtu nuk ka më vend për diplomacinë klasike, dmth takime, konferenca, propozime, ulje në tryeza diplomatike; përkundrazi, gjithçka do kthyer dhe vënë në dispozicion të përgatitjeve për luftë pa kompromis kundër agresorit, kudo dhe kushdo qoftë ai. Kësisoj, sipas tij, kjo fitore kërkon detyrimisht vazhdimin e ndihmave ushtarake amerikane dhe deklarimin e qartë që Perëndimi është i prerë dhe i vendosur për fitoren e Ukrainës dhe disfatën e Rusisë, çka sipas Tenzer dëgjohet shumë pak sot.

Këto dhe të tjera fakte dëshmojnë qartë se alternativa e vetme, e cila garanton paqe dhe siguri të qëndrueshme është vazhdimi i luftës ndaj agresorit rus. Siç shprehet dhe fituesja e Çmimit ” Nobel” për Paqe, Olesandra Matwijschuk ”paqja nuk vjen thjesht kur një vend nuk lufton më; madje, kjo nuk quhet më paqe, por pushtim“

Kjo kërkesë bëhet dhe më e domosdoshme kur shumë ekspertë dhe zyrtarë të lartë të NATO-s kanë konfirmuar synimet dhe planet ruse kundër vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së. Mirëpo, siç paralajmëroi dhjetorin e kaluar historiani i shquar europian i luftës, Prof. Dr. gjerman Sőnke Neitzel “ nëse Rusia do të sulmojë Gjermaninë në 3 – 5 vitet e ardhëshme, mundësi kjo që e konfirmoi dhe Inspektori i Përgjithshëm i Bundeswehrit Breyer, kjo e fundit do të humbiste; kjo mbasi Gjermanisë i mungojnë kapacitetet e duhura luftarake, për të cilat sipas Prof. Neitzel, duhen 15 – 20 vite për t’u krijuar, duke filluar nga mungesa e municioneve.

Ndaj, të gjitha vendet e NATO-s kanë filluar me intensitet të shtuar përgatitjet në shkallë të gjerë për luftë, duke filluar nga mobilizimi ushtarak, shtimi i burimeve financiare, teknike, logjistike, krijimit të ekonomisë së luftës, etj. Ca më tepër që nëse gjatë vitit 2023 shpenzimet ushtarake botërore u rritën 9 për qind, duke kapur nivelin rekord 2.000 miliard Euro, Kina me Rusinë i shtuan ato mbi 30 për qind!

Kështu, mbas disa ditësh pritet që Komisioni Europian të paraqesë planin e ri të mbrojtjes së BE-së. Gjermania për herë të parë realizoi kuotën e saj të NATO-s prej 2 për qind, duke derdhur atje plot 73 miliard Euro; ajo po fillon rivënien në punë të fabrikave të prodhimit të armëve dhe municioneve. Ndërkohë brenda vitit 2024 pritet që dhe 2/3 e vendeve anëtare të respektojnë kuotën 2 për qind, veç masave të tjera drastike, përfshirë ndërtimin e bunkerëve, shtimin e armatimit ushtarak.

Në këtë përvjetor të dytë dhe pas vdekjes tragjike të paralajmëruar të oponentit më të shquar rus Alexey Navalni, krahas SHBA-ve, dhe BE-ja, mbas miratimit të paketës më të fundit me ndihma prej 50 miliard Euro për Ukrainën, sapo miratoi paketën e 13-të të sanksioneve shumë më të ashpra ndaj Rusisë. Megjithatë, tani që nuk ka shenja për kohëzgjatjen e luftës, por dhe kur po shtohen kërcënimet nga vende të tjera të njohura, kur janë shtuar gjasat që Trump të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, Perëndimi e di se masat e deritanishme janë të pamjaftueshme. Sepse, siç e theksoi në Konferencën e 60-të të Sigurisë në Munih më 16 Shkurt Kancelari gjerman Olaf Scholz, “pa siguri, gjithçka tjetër është hiç!“

Ja pse, kjo politikë dhe diplomaci e re e pashmangshme lufte do vijë duke u intensifikuar, sipas aforizmës së lashtë romake “nëse do paqe, përgatitu për luftë!“