Arkiv / Ripublikim

Disa dokumente të arkivave shqiptare për pjesën e pushtuar të Shqipërisë (Kosova me vise) nga Jugosllavia (7)

Redaksia e gazetës LËVIZJA do t’i botojë në vazhdime një pjesë të mijëra dokumenteve të gjetura, pas një pune hulumtuese shkencore, në arkivat e shtetit tonë AMË nga studiuesi i zellshëm Prof. Dr. Sabit Syla. Nga këto dokumenta lexuesit tanë mund të njihen më mirë me interesimin, përkushtimin dhe angazhimin e shtetit tonë, që udhëhiqej nga Enver Hoxha, për përmirësimin e pozitës së popullit të pushtuar shqiptar nga Jugosllavia dhe për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Iliri (Ballkan). Shteti shqiptar dhe personalisht Enver Hoxha interesohej për të gjitha shqetësimet dhe kërkesat që kishte pjesa e pushtuar e Shqipërisë dhe e popullit të saj, që vuante persekutimin, terrorin, burgimet, torturat, vrasjet dhe shpërnguljet (dëbimet) e pushtuesit jugosllavo komunist të Tito – Rankoviçit…

   Në arkivat e shtetit tonë AMË është një mal me shkresa e dokumente që presin mendjen, vullnetin dhe dorën e studiuesve tanë për t’i hulumtuar, analizuar e publikuar. Studimi, analizimi, interpretimi dhe botimi i dokumenteve arkivore është shkencë më vete… Një pjesë të vogël të këtyre dokumenteve kemi patur rastin t’i shohim edhe ne në arkivin e Ministrisë së Jashtme (kryesisht të viteve 1981, 1982, 1983).

   Shteti ynë ishte shpresa dhe përkrahja e vetme e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Shqipërinë e pushtuar në periudhën e viteve 1945 – 1990. Askush në botë nuk çante kokën në atë periudhë pse dy të tretat e një vendi e të një kombi ishin të pushtuara dhe grabitura nga fqinjët shovinistë, që kishin krijuar shtetet e tyre kryesisht në tokat e Shqipërisë! Falë shtetit të Enver Hoxhës dhe mbështetjes së tij të pa rezervë Lëvizja jonë Kombëtare e Çlirimtare ia doli të unifikohejë, të organizohejë dhe të konsolidohejë deri në atë shkallë sa të merrte përsipër organizimin e Luftës Antipushtuese Çlirimtare, duke krijuar UÇK – në. Përkrahja e shtetit tonë dhe e pjesës së lirë të popullit tonë ishte vendimtare edhe pas vitit 1990 dhe, sidomos, gjatë Luftës Çlirimtare të UÇK – së, që pati për rezultat çlirimin e Kosovës (pa vise) dhe përmirësimin e pozitës së popullit shqiptar në Maqedoninë tonë dhe në trojet tjera shqiptare… Roli i shtetit tonë AMË, Republikës së Shqipërisë, mbetet edhe më tej vendimtar për zgjidhjen e plotë të çështjes shqiptare dhe për (ri)bashkimin e Shqipërisë në një shtet dhe me një Flamur kuqezi… (GL)

Prof. dr. Sabit Syla 

DISA DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NGA ARKIVI I MINISTRISË PËR EVROPËN DHE PUNË TË JASHTME DHE MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Një interes të veçantë për opinionin publik shqiptar paraqet qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj çështjes së Kosovës. Hapja e arkivave shqiptare, ka sjellë një bollëk dokumentesh, një pjesë e mirë të panjohura më parë. Dokumentet e viteve ’50 dhe ’60 të shek. XX që po i ofrojmë lexuesit, pasqyrojnë në mënyrë të plotë dinamikën e qëndrimit të shtetit shqiptar ndaj Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, gjatë viteve në fjalë. Shteti shqiptar ka ndjekur në vazhdimësi politikën jugosllave në të gjitha drejtimet e saj karshi shqiptarëve e gjendjen e këtyre të fundit në të gjitha aspektet e zhvillimeve ekonomike, shoqërore, kulturore dhe politike. Këto dokumente janë përzgjedhur nga mijëra dokumente të hulumtuara në Arkivin e Ministrisë për Evropën dhe Punë të Jashtme dhe dokumente nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë viteve 2008 – 2023. Për të ruajtur origjinalitetin e dokumenteve nuk kemi ndërhyrë.

 

                                                                                     -17-

Relacion mbi qëndrimin e organeve jugosllave karshi shtetasve shqiptarë në Jugosllavi

Veçanërisht, duke filluar prej vitit 1941 deri në vitin 1948, në Jugosllavi erdhën nga Shqipëria një numër i konsiderueshëm shtetasish shqiptarë. Arsyet e këtij emigrimi kanë qenë të ndryshme. Ajo pjesë që u emigrua gjatë viteve të luftës i përket grupit të shqiptarëve kosovarë, të cilët u kthyen në vendin e tyre dhe që gjatë qëndrimit në Shqipëri morën shtetësinë shqiptare, arsimtarëve dhe nëpunësve të ndryshëm që u dërguan gjatë kohës së okupatorit, personave të ndryshëm të ardhur për shkaqe ekonomike dhe shoqërore sidomos nga krahinat kufitare me Jugosllavinë etj. Ardhjet e shtetasve shqiptarë mbas lufte në Jugosllavi, ishin gjithashtu për shkaqe të ndryshme, po pjesa më e madhe i takon grupit të ardhur për mjekime dhe studime etj. Pas vitit 1948, këtij grupi, për shkak të qëndrimit armiqësor që mbajtën revizionistët jugosllavë karshi vendit tonë, iu bë e detyrueshme qëndrimi në Jugosllavi.

Deri në vitin 1948, sipas regjistrimeve që dispononte Legata, në Jugosllavi kishte 464 shtetas shqiptarë. S’ka dyshim se kjo shifër nuk përfaqëson në asnjë mënyrë numrin e plotë të shtetasve shqiptarë në Jugosllavi. Kjo për arsye se shtetasit shqiptarë në atë kohë, nuk i jepnin rëndësi regjistrimit të tyre, e në shumë raste vjetëve të fundit, kur një numër qytetarësh janë paraqitur në Legatën me kërkesë për t’u riatdhesuar ose për t’u regjistruar dhe të cilët ose kanë disponuar dokumente të vjetra shqiptare që provonin shtetësinë e tyre, ose kanë disponuar dokumente jugosllave me të cilat vërtetonin shtetësinë shqiptare dhe që në fakt në vitin 1948 ka qenë shumë më i madh sa shifra që përmendem me sipër.

Karshi këtyre shtetasve shqiptarë, pas vitit 1948, organet jugosllave kanë mbajtur një qëndrim të hapur armiqësor. Për 11 vjet rresht ata i janë nënshtruar një regjimi të egër policor. Janë persekutuar, burgosur e internuar dhe kanë mbetur në një gjendje të vështirë ekonomike. Presione të vazhdueshme u janë bërë atyre. Ndërrimi i shtetësisë së tyre bëhej në rrugë arbitrare, duke iu dhënë, pa dijeninë e tyre, dokumente që vërtetonin se ata ishin shtetas jugosllavë, ose duke i thirrur në zyrat e UDB-së dhe duke i kërcënuar për të lënë shtetësinë shqiptare.

Një numër shtetasish na kanë shkruar ose kanë deklaruar në Legatë mbi këto metoda policore të organeve jugosllave. Kështu p.sh.: shtetasi Shefqet Rexha me banim në Vuçitërnë dhe me profesion mësues, i cili ka kërkuar të riatdhesohet, deklaroi në Legatë se “më pushuan nga puna me pretekst se jam shtetas shqiptar”. Shtetasi Aliriza Kosova, me banim në Shkup, të cilit Presidiumi i Kuvendit Popullor i ka akorduar shtetësinë shqiptare, dhe ka kërkuar të riatdhesohet në Shqipëri, kur erdhi në Legatë për t’u interesuar mbi çështjen e dokumenteve deklaroi se: “organet jugosllave porsa morën vesh se unë kam marr shtetësinë shqiptare, më pushuan menjëherë nga puna”. Shtetasi Zyhdi Çitaku, me banim në katundin Banjë Rudnik, në një bisedim që pati me shokët në Legatën, deklaroi se: “shtetësinë jugosllave ma kanë dhënë kundër vullnetit tim”. Pak më vonë i njëjti person në një letër drejtuar Legatës, shkruan: “Lutem të zgjidhet sa më parë çështja e riatdhesimit tim, sepse organet e UDB-së kërkojnë që unë të paraqitem çdo ditë në zyrat e tyre”. Të lartpërmendurit, kohët e fundit, organet jugosllave i dhanë përsëri shtetësinë shqiptare dhe e kanë njoftuar që të largohet nga Jugosllavia, porse nga ajo Ministri jemi njoftuar se nuk aprovohet riatdhesimi i tij. Shtetasja Fadile Zagonjari, me banim në Sarajevë, në një letër na shkruan: “burri tim, Mustafa Zagonjari, shtetas shqiptar, është detyruar nga organet jugosllave që të largohet nga Jugosllavia, sepse nuk ka pranuar që të marri shtetësinë jugosllave”. Shtetasi Mustafa Allamani, me banim në Sarajevë, në një vizitë që bëri në Legatë në vitin 1958 për t’u interesuar lidhur me riatdhesimin e tij në Shqipëri, deklaroi se: “shtetësinë jugosllave ma kanë dhënë me imponim në vitin 1954, duke më thirrur në zyrat e UDB-së dhe duke më kërcënuar. Kjo metodë u përdor edhe karshi 5 shqiptarëve të tjerë në atë qytet”. Shtetasi Lekë Mark Gjoni, me banim dhe punë në Zemun të Beogradit, deklaroi se atij dhe vëllait të tij, Zef Mark Gjonit, u është dhënë shtetësia jugosllave pa dijeninë e tyre.

Organet e UDB-së në Dibër në vitin 1957, burgosen shtetasin Refik Alilin, sepse ai u interesua që familja e tij të rimerrte shtetësinë shqiptare dhe të riatdhesohej. Burgosja u bë mbasi nga ana jonë u njoftua se familja e tij merrte shtetësinë shqiptare dhe provohej riatdhesimi i tij në Shqipëri. Një metodë tjetër presioni që përdorin organet jugosllave karshi shtetasve shqiptarë për t’i detyruar ata të lënë shtetësinë, është edhe ajo e kërcënimit për t’i pushuar nga puna. Lidhur me këtë, përveç rasteve që përmendem më sipër, mund të përmendet edhe rasti që vijon: Kohët e fundit erdhi në Legatë një arsimtar për t’u interesuar lidhur me një vizë që ka kërkuar për Shqipëri. Gjatë bisedimit ai tha se kur ishte për studime në fakultet si dhe katër shokë të tjerë, kishin shtetësinë shqiptare dhe iu komunikua se duheshin të merrnin shtetësinë jugosllave. Ndryshe, do t’u pritesh bursa. Nën presion, ata u detyruan të lënë shtetësinë dhe ta marrin atë jugosllave.

Përveç sa më sipër, organet jugosllave, karshi shtetasve shqiptarë që nuk kanë pranuar të marrin shtetësinë jugosllave, kanë praktikuar në disa raste edhe zbimin e tyre arbitrar nga Jugosllavia si persona të padëshirueshëm. Një pjesë tjetër e këtyre personave është lejuar të shkojë në Shqipëri, ndërsa pjesa tjetër është detyruar të shkojë vetëm në vendet e perëndimit. Kështu p.sh. në vitin 1957 u përzu nga Jugosllavia familja e shtetasit Sali Kolgecaj, e cila banonte në Prishtinë, familja e Muharrem Tmerrit nga Tetova dhe shtetasi Sali Uka nga Zagrebi, të cilat u riatdhesuan në Shqipëri, ndërsa shtetasi shqiptar Mustafa Zagonjari, nga Sarajeva, është detyruar të shkojë në Itali.

Si rezultat i këtij presioni të vazhdueshëm dhe zbatimit të këtyre metodave policore, numri i shtetasve shqiptarë në Jugosllavi është pakësuar shumë. Nga disa vizitorë që kanë ardhur në Legatë, flitet se vetëm në Shkup gjatë vitit 1949 u është dhënë shtetësia jugosllave kundër vullnetit të tyre rreth 200 shtetasve shqiptarë. Dhënia në mënyrë arbitrare e shtetësisë jugosllave, iu bë shtetasve tonë sidomos gjatë regjistrimeve 1953, si dhe gjatë kohës që ndërrohen letërnjoftimet për personat me shtetësi të huaj, ku organet e Sekretariatit të Punëve të Brendshme u caktojnë të interesuarve një kohë shumë të shkurtër për të provuar dokumentin e vjetër jugosllav që zëvendësohet. Në qoftë se ata brenda kësaj kohe të shkurtër, nuk paraqesin dokumentin zyrtar nga organet shtetërore, shtetas të cilit janë, detyrohen të deklarohen si persona pa shtetësi. Një sërë rastesh të tilla u paraqiten në këtë Legatë në ndërrimin e dokumenteve gjatë vitit 1957-‘58, ku një numër shtetasish kërkonin dokumentet për të vërtetuar shtetësinë shqiptare dhe deklaronin se, në qoftë se brenda kohës së caktuar nuk do të dërgoheshin këto dokumente, do të mbeteshin si persona pa shtetësi ose do të merrnin shtetësinë jugosllave.

Një metodë tjetër presioni që kanë përdorur organet e UDB-së gjatë gjithë kohës karshi shtetasve shqiptarë, ka qenë edhe ajo e zbatimit të veprimeve policore për t’i frikësuar në mënyrë që të mos marrin kontakt në Legatën. Kjo ka qenë dhe vazhdon të jetë një metodë që përdoret në shkallë të gjerë dhe pa ndërprerje. Faktet në këtë drejtim janë të shumta, por, ne do t’i përmendim vetëm disa prej tyre. Shtetasi Rrahim Gashi me banim në Mitrovicë, i cili disa herë ka qenë në Legatë për t’u interesuar lidhur me çështjen e riatdhesimit të tij, në një takim të fundit deklaroi: “kur isha në Legatën muajin e kaluar, maj 1959, mbasi u largova 200m nga Legata m’u afrua një makinë dhe dy civilë, më urdhëruan të futesha brenda dhe me çuan në burg. Aty më mbajtën procesverbal. Më pyeten pse isha në Legatë etj.?! Edhe me këtë rast, mbajtën procesverbal. Në fund më thanë që me Legatën të korrespondosh vetëm me letra dhe vetë të mos shkosh më. “Djalin e tij, Rrahim Gashi, ish-student në Beograd, organet jugosllave e kishin burgosur qysh më parë me pretekste të ndryshme, por, shkaku i vetëm ishte sepse ky kishte vizituar disa herë Legatën për t’u interesuar lidhur me riatdhesimin e familjes së tij. Kjo familje u riatdhesua kohët e fundit. Shtetasi Nevruz Koshtova nga Mitrovica, para disa kohe erdhi në Legatë dhe në bisedim tha se kur ishte në Legatë më futen tre ditë në burg. Aty e pyetën pse ishte në Legatë, kush e priti, çfarë i tha, sa herë ka shkuar sekretari në shtëpinë e tij etj. Në fund i thanë që të mos shkonte më në Legatë, sepse ndryshe do ta burgosnin dhe nuk do ta lëshonin më. Edhe kjo familje kohët e fundit është riatdhesuar.

Për veprime të tilla të organeve jugosllave jemi informuar edhe nga persona të tjerë, si studenti Agim Gjakova, punëtori nga Beogradi Refik Dibra, punëtori nga miniera e Trepçës, Qazim Haziraj. Kohët e fundit erdhi në Legatë Mustafa Koka, punëtor në minierën e Trepçës, për t’u interesuar lidhur me riatdhesimin e tij. Ai deklaroi se kur ishte herën e parë në Legatë dhe mbasi doli që këtej dhe shkoi në stacionin e trenit për t’u nisur për Mitrovicë, aty iu ofrua një makinë dhe disa persona e futen me zor në makinë dhe e quan në zyrat e UDB-së, ku e mori në pyetje një person që fliste mirë shqip. Ai e pyeti pse erdhi në Legatë, me kë ka takua, çfarë u bisedua dhe së fundmi u porosit që të mos vinte më.

Mustafa Allamani, kjo Legatë e ka pajisur me pasaportë për riatdhesim qysh në fillim të vitit 1958. Gjatë gjithë vitit, ai nuk mundi të merrte dot vizën e daljes dhe në muajin dhjetor erdhi në Legatë dhe duke e kthyer përsëri pasaportën, deklaroi: “Më kanë thirrur në zyrat e UDB-së dhe më kanë thënë se ke qenë katër herë në Legatë, dy herë me gruan dhe dy herë vetëm. Ke marrë pasaportë për vete dhe djalin. Me pyetën pse shkova katër herë dhe me cilin bisedove. Si t’i bëj hallit të gruas dhe djalit se për vete kisha ikur. Këtu nuk kam asnjë siguri jetese. Nesër mund të më arrestojnë”. Shtojmë se në vitin 1957 të përmendurin e kanë nxjerrë në mënyrë arbitrare nga banesa ku ishte në Sarajevë. Për këtë u detyrua të largohet andej dhe është vendosur në Banja Llukë.

Një qëndrim të poshtër kanë mbajtur organet jugosllave edhe karshi shtetasve që mbas kërkesave të tyre, presidenti i Kuvendit Popullor iu akordojë shtetësinë shqiptare të përbëra prej 139 vetash. Mbas njoftimit që u bëri Legata, të lartpërmendurit bënë veprimet e nevojshëm pranë organeve jugosllave për lënien e shtetësisë jugosllave. Megjithëse po kalon një kohë shumë e gjatë, deri tashti kanë mundur të lënë shtetësinë jugosllave vetëm 9 familje me 35 persona të cilët edhe janë riatdhesuar. Pjesa tjetër prej 18 familjesh me 100 vetë është akoma në pritje, megjithëse 4 familje me 23 persona kanë kërkuar të lënë shtetësinë jugosllave në vitin 1957, 6 familje me 44 persona në vitin 1959. Sipas deklaratave të të interesuarve, organet jugosllave nuk u japin asnjë përgjigje dhe arsye për këtë vonesë të madhe dhe sa herë që ata interesohen. Iu nxjerrin pengesa të ndryshme duke iu kërkuar lloj-lloj dokumentesh, ose i përcjellin nga një organ në tjetrin. Familjen e Zeqirja Rodonit e njoftuan mbas një viti se kërkesa e tij për lënien e shtetësisë jugosllave nuk pranohet pa i dhënë asnjë sqarim, ndërsa disa familje të tjera, siç është rasti i asaj që përmendem më lartë, u bëjnë edhe presione duke burgosur anëtarët e saj me pretekste të ndryshme.

Dihet mirë dhe kjo vërtetohet jo vetëm nga deklaratat e shumta që kanë bërë vizitorët që kanë ardhur në Legatë, por se edhe nga të dhënat e vet shtypit jugosllav (“Nova Makedonia”, deri në vitin 1957), se për shqiptarët që marrin shtetësinë turke dhe kërkojnë të emigrojnë në Turqi, formalitetet e lënies së shtetësisë jugosllave bëhen në një kohë shumë të shkurtër dhe në një masë të madhe. Kohët e fundit masa për lënien e shtetësisë jugosllave u ul nga 12 000 dinarë që ishte më parë në 2 000 dinarë për person. Kjo nuk mund të mos kuptohet si një masë e marrë me qellim që të lehtësohet dhe nxitet sa më shumë emigrimi i shqiptarëve në Turqi.

Çështja e emigrimit të shqiptarëve në Turqi është një problem që duhet të studiohet veçanërisht si nga kjo Legatë ashtu edhe nga ajo e Ankarasë. Me këtë rast përmendim vetë sipas informatave që na japin vizitorët e ndryshëm atje, kanë emigruar rreth 150 000 vetë lidhur me këtë çështje. I vetmi burim që ekzistonte deri në fund të vitit 1957, ishte gazeta “Nova Macedonia”, e cila në faqet e fundit botonte emrat e personave që linin shtetësinë jugosllave në atë republikë për t’u emigruar në Turqi, porse jugosllavët mbasi e kuptuan se një burim i tillë do të përdorej nga ne, i anuluan këto botime. Më poshtë po japim disa të dhëna të veçanta që na kanë dhënë vizitorët mbi këtë çështje.

Gjatë një vizite që bëri në Legatë, Lutfie Kokolari, me banim në Manastir, deklaroi se nga ky qytet kanë shkuar në Turqi rreth 200 familje shqiptare. Një lagje e këtij qyteti që quhet “Kaçak Male” dhe që banohej nga shqiptarë, ka ikur e gjitha. Qytetari Qazim Bajqinofci nga Prishtina, në një takim që pati në Legatë deklaroi se nga Prishtina kanë shkuar në Turqi rreth 50 familje. Persona të tjerë që kanë vizituar Legatën kanë deklaruar se në Turqi kanë shkuar nga Peja 200 vetë, Ohri 100 vetë dhe Mitrovica 900 vetë. Është i njohur fakti se emigrimet më të mëdha bëhen nga Maqedonia dhe sidomos nga pjesa që jeton në qytetet e kësaj republike.

Një qëndrim armiqësor kanë mbajtur organet jugosllave edhe për sa i përket riatdhesimit të shtetasve tonë në Shqipëri. Gati të gjithë shtetasve që janë riatdhesuar gjatë këtyre vjetëve u janë nxjerrë pengesa të shumta për marrjen e vizave. Riatdhesimi i një pjese është bërë i mundur vetëm mbas ndërhyrjeve të shpeshta të kësaj Legate në Sekretariatin e Shtetit për Punë të Jashtme. Për një pjesë tjetër është përdorur presion i hapur për të hequr dorë nga riatdhesimi, e disa prej tyre edhe janë burgosur. Kështu p.sh.: në vitin 1957 Legata paisi me dokumente riatdhesimi shtetasin shqiptar Sadik Gjota me djalin e tij Rrustem Gjota. Mbasi ia vonuan për një kohë vizën e daljes, organet e UDB-së, më 27 dhjetor 1957, arrestuan dhe burgosen Rrustemin, i cili në atë kohë vazhdonte studimet në vitin IV të Fakultetit të Drejtësisë në Beograd, me shpenzimet e tij. Legata ndërhyri menjëherë për lirimin dhe riatdhesimin qysh në vitin 1955 dhe me gjithë ndërhyrjet e përsëritura nga ana jonë, akoma nuk po i jepet viza e daljes shtetases shqiptare, Meliha Qatipi, me banim në Dibër, e cila u prinë në dokumente riatdhesimi qysh në vitin 1957. Të tilla pengesa u janë nxjerrë edhe shtetasve, Bedri Shehu dhe Lutfie Sallaku me banim në Dibër, Emin Opraku me banim në Sarajevë, si dhe Mustafa Allamanit, i cili nga presionet e shumta u detyrua të kthente dokumentin e riatdhesimit.

I çuditshëm është qëndrimi që mbajtën organet jugosllave lidhur me riatdhesimin e të sëmurëve psikikë, Perlat Frashëri dhe Zyhra Fera, për të cilët Legata kërkoi riatdhesimin e tyre qysh në vitin 1956 dhe me gjithë kërkesat e përsëritura disa herë, riatdhesimi i tyre u bë i mundur vetëm në vitin 1959.  Për sa i përket çështjes së Hasan Spatës, me qenë se ekzistojnë një sërë dokumentesh, nuk e shikojmë të nevojshme të flasim në këtë relacion.

S’ka dyshim se ky qëndrim policor që mbajnë organet jugosllave karshi shtetasve shqiptarë në Jugosllavi, nuk mund të mos influenconte në regjistrimin e tyre pranë kësaj përfaqësie, në mbajtjen e kontakteve për të zgjidhur problemet që u paraqiten si dhe në riatdhesimin e tyre në Shqipëri. Kështu p.sh.: qysh prej rihapjes së Legatës dhe deri sot, në regjistrimet e kësaj përfaqësie janë regjistruar dhe pajisur me dokumente shtetësie vetëm 30 familje me 94 pjesëtarë, ndërsa kontaktet e tyre me Legatën çdo ditë po dobësohen më tepër.

Pengesa të shumta u kanë nxjerrë organet jugosllave edhe emigrantëve që kanë shfaqur dëshirën për t’u riatdhesuar. Në këtë rast, ata janë burgosur, internuar nëpër kampe të ndryshme, kërcënuar etj., dhe u është ndaluar të marrin kontakt me Legatën me qellim që të ndalohet riatdhesimi i tyre. Lidhur me këtë çështje, është folur me hollësi në relacionin tonë Nr. 8 sekret…!

Beograd, më 30/8/1959                                                                                Ministri fuqiplotë

Shtypur me 4 ekzemplarë                                                                                    Pirro Koçi

3 kopje

1 ark. Legatës

                                                                                      -18-

 

Njoftime statistikore mbi popullsinë shqiptare të Jugosllavisë

Tiranë, 1959

Sipas statistikës jugosllave kemi dy të dhëna mbi popullsinë Shqiptare nga regjistrimi i popullsisë të 31/3/1953. Në faqen 55 dhe 301 të anuarit statistikor të vitit 1959, figurojnë 754 245 Shqiptarë, kurse në faqen 306, ku popullsia ndahet sipas gjuhës amtare atje, del se janë 778 088. Sipas këtyre të dhënave shpërndahen shqiptarët si vijon:

Sipas gjuhës                                                   Jo sipas

amtare                                                                gjuhës

Në të gjithë Jugosllavinë     778 088                                    754 245

Serbi                    561 976                                                    565 513

Serbi e vërtetë             42 009                                                39 989

Vojvodina                   978                                                           965

Kosmet                  518 989                                                   524 559

Kroaci                    2 120                                                           1 001

Slloveni                    165                                                               169

Bosnjë-Hercegovinë        1 337                                                 1 578

Maqedoni               183 805                                                    162 524

Mali i Zi                  28 685                                                       23 460

Sipas këtyre të dhënave dalin 23 843 persona, të cilët flasin si gjuhë amtare gjuhën shqipe, por që i kanë futur në kombësi të tjera. Këta janë përzierje sigurisht me popullsinë e ashtuquajtur “turke”, që në realitet nuk figuron fare dhe që janë shqiptarë.

Edhe për vetë turqit ka dy shifra në të njëjtat faqe që përmendëm më lart. Në faqen 55 e 301     259 535

“        ” 306     181 887 me gjuhë amtare turke

——————————————

77 648.

Në popullsinë turke janë përfshirë pra 77 648 frymë që s’e kanë gjuhën turke si gjuhë amtare. Në përgjithësi, popullsia ndahet në aktive dhe jo aktive. Jo aktive janë fëmijët e pleqtë, por edhe pjesëtarët e familjes të papunë. Në RPFJ, popullsia aktive është 46,3%. Sipas vendeve popullsia aktive qëndron si vijon: Serbi 48,4%, Kosmeti 33,25%, Kroacia 47,7%, Sllovenia 48,0%, Bosnjë-Hercegovinë 42,5%, Maqedoni 40,8% dhe vise shqiptare 39,7%. Në vendet ku banojnë shqiptarët, përqindja e popullsisë aktive është më e ulëta, e kjo tregon se ata rrojnë me më shumë vështirësi se të tjerët.

Lëvizja demografike e popullsive Jugosllave

Keqësimi i gjendjes ekonomike shumë herë shpjegohet me koeficientin e martesave mbi 1 000 frymë të popullsisë. Në Jugosllavi bie që ndër 1 000 frymë të martohen 8,6 veta. Ky koeficient lëviz sipas republikave nga 8,2 në 8,9 për mijë, vetëm në Kosmet është 6,7 për mijë, pra shumë keq. Ajo që ndihmon për të mos rënë popullsia shqiptare në Kosmet është se gruaja shqiptare bën shumë fëmijë. Sipas republikave kemi këtë lëvizje demografike:

Në 1 000 frymë

Lindin                Vdesin                Shtesa natyrale

RPFJ              23,7                  10,6                       13,1

Serbi              20,7                  10,5                       10,2

Kosmet            39,0                  17,5                       21,5

Shqiptarë           44,6                  22,8                       21,8

Kroacia           19,8                    9,8                      10,0

Sllovenia          19,3                   9,3                       10,0

Bosnjë-Hercegovinë      32,6     11,7                      20,9

Maqedonia          33,8                12,7                      21,1

Mali i Zi               29,9                 9,1                       20,8

Koeficientin më të fortë të lindjeve e ka popullsia shqiptare, pothuajse dyfishin e popullsisë së përgjithshme. Ky koeficient bën që të qëndrojë në vend popullsia shqiptare dhe të mos pakësohet nga koeficienti jashtëzakonisht i lartë i vdekjeve (22.8), që është më i madh se dyfishi i koeficientit të Republikës. Me gjithë këtë, koeficientin e lartë të lindjeve, ne nuk e shtohemi më shumë nga maqedonasit dhe malazezët. Humbjet e popullsisë shqiptare vinë nga që mortalitet infantil (vdekjet e fëmijëve nën 1 vjeç) dhe vdekjet nga 1-14 vjeç janë shumë të larta.

Mortaliteti infantil              Nga 100 të vdekur ishin në moshë 1-14 vjeç

RPFJ                 101,5                                 10,2

Serbi                101,8                                  7,9

Kosmeti              160,0                                   —

Shqiptarë             189,3                                 29,3

Kroacia               85,0                                  5,7

Sllovenia              42,4                                  3,1

Bosnjë-Hercegovinë    117,6                                  —

Maqedonia            136,0                                 11,7

Mali i Zi              88,2                                  10,0

Kjo vjen nga që pak bëhet për të mbajtur gjallë fëmijët e popullsisë shqiptare. Se sa dobët janë organizuar institucionet shëndetësore që merren me kujdesin e fëmijëve e tregon fakti i fëmijëve të lindur në maternitete dhe në shtëpi, por me ndihmë mjekësore:

% e fëmijëve të lindur

Në maternitete                      Me ndihmë mjekësore

RPFJ                 37,6                                   12,4

Serbi                40,0                                   9,8

Kosmet               16,5                                   2,0

Kroaci               46,0                                   25,2

Slloveni              65,3                                   32,7

Bosnjë-Hercegovinë    22,2                                   5,3

Maqedonia         30,8                                     3,4

Mali i Zi           37,4                                     2,5

Arsimi

Shkollat fillore minoritare të popullsisë shqiptare në Jugosllavi janë shtuar dhe janë pakësuar në këto vitet e fundit si vijon:

Shkolla  Klasa  Nxënës  Mësues

1952\ 53    849   2 729  107 350   2 231

1953\ 54    898    2 974  108 942   2 520

1954\55    903    3 115  112 530   2 777

1955\ 56    891    3 138  114 100   2 881

1956\57    856    3 164  113 584   2 867

1957\58    847     3 265  116 011   2 907

Shkollat u rritën gjer më 1954\55 dhe prej këtij viti filluan përsëri të pakësohen. Klasat, nxënësit dhe mësuesit janë rritur vazhdimisht. Ulja e numrit të shkollave duhet të ketë vështirësi në ndjekjen e shkollës nga ana e fëmijëve, sepse pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare është fshatare dhe kjo do të ketë bërë që fëmijët të jenë detyruar të shkojnë mjaft larg. Raporti në mes të nxënësve dhe klasave apo mësuesve ka qenë në vitin shkollor 1957\58, si vijon:

Nxënës

Në shkollat     Për 1 klasë    Për 1 mësues:

Bullgare           70          26

Çekosllovake       44          26

Italiane            84          14

Shqiptare          139         40

Turke             141         30

Kjo tregon qartë se sa me kursim janë hapur shkollat fillore. Në gjimnazet ka pasur një keqësim.

Shkolla  Klasa  Nxënës Arsimtarë

1952\ 53        7     18    537      131

1953\ 54        8     30     749      159

1954\55         7     38     921      171

1955\ 56         8     30    851      82

1956\57         7     30    787      49

1957\58         7     29    699      55

Numri i shkollave s’ka qenë konstant. Numri i klasave u rrit gjer më 38 më 1954\55 dhe pastaj ra rishtas. Po gjer më 1954\55 u rrit edhe numri i nxënësve dhe i mësuesve, por pastaj ranë shumë poshtë. Sikur të merret viti 1954\55 si 100%, ka lëvizur numri i nxënësve dhe i arsimtarëve si vijon:

Numri në përqindje

Nxënës    Arsimtarë

1952\ 53          58,3      76,6

1953\ 54          81,3      93,0

1954\55          100,0     100,0

1955\ 56           92,4      48,0

1956\57           85,5      27,7

1957\58           75,9      32,2

Rënia e numrit të nxënësve në 3\4 të nxënësve të vitit 1954\55 dhe të arsimtarëve në 32,2 ka qenë shumë e ndjeshme dhe tregon sikur po shkohet drejt mbylljes së tyre. Nga popullsia bullgare ndjekin shkollën e mesme 7,4 për mijë, tek minoritetet italiane 7,0 për mijë, kurse në popullsinë Shqiptare vetëm 0.9 për mijë. Një pjesë e madhe e popullsisë sonë vuan rëndë nga analfabetizmi. Këtë të dhënë s’e kemi sipas kombësive, po për Kosmetin. Sipas këtyre të dhënave kemi këtë përqindje analfabetizmi në vendet e ndryshme të Jugosllavisë.

RPFJ                25,5

Serbi                27,9

Kosmet              54,8

Kroaci               16,3

Slloveni               2,9

Bosnjë-Hercegovinë    40,2

Maqedoni             35,8

Mali i Zi              30,2

Kur përqindja e analfabetizmit për Kosmetin është 54,8%, ajo e popullsisë shqiptare duhet të jetë shumë më e madhe. Sipas një përllogaritje mbi 30% të rinisë shkollore 10-14 vjeç duhet të jetë analfabetë ndër shqiptarët.

Shtypi

Në Jugosllavi dalin këto gazeta të minoritarëve:

Numri          Tirazhi në mijë

Çeke          4                498

Italiane         3               791

Maxhare       12             10 526

Shqiptare       6                628

Turke          3                 61

Për frymë të minoriteteve bien:

Për sa frymë del 1 gazetë      Sa copë bien në vit për 1 000 frymë

Çeke              8 629                             14 430

Italiane           11 958                          22 050

Maxhare          41 852                          20 960

Shqiptare         125 700                            830

Turke             86 500                            240

Pra për çdo 125 700 shqiptarë del një gazetë dhe çdo 1 000 shqiptarë marrin në mot 830 copë gazetë për frymë në vit. Të pakta janë edhe institucionet kulturore për popullsinë shqiptare.

Në një vit vijnë në 1 000 frymë në teatro në kinema:

Për 1 000 frymë

Në teatro         Në kinema

RPFJ                    240             6 347

Serbi                    241             6 194

Kosmet                   50              2 615

Kroaci                   306             7 763

Slloveni                  376             10 251

Bosnjë-Hercegovinë        114             3 744

Maqedonia              196            5 230

Mali i Zi                150            4 111

Gjyqet

Interesant janë të dhënat mbi gjyqet e mbajtura në vitin 1957, sipas kombësive të popullsisë.

Persona të moshës ligjore                Të mitur

Të dënuar për faje                      Të dënuar për faje

Gjithsej kundër pushtetit                 Gjithsej kundër pushtetit

Në 100 000 frymë                      Në 1 milion frymë

RPFJ          734  3,2                            199   0,6

Serbë          797  2,4                            145   —

Kroatë         811  4,1                            258   1,5

Sllovenë        892  2,1                            418   —

Maqedonas     550  2,0                            113   —

Malazezë       649  2,8                           104   —

Shqiptarë       375  7,6                           131   5,4

Turq           284  0,4                            112   —

Maxharë        529  5,4                           189   —

Në përgjithësi del se në krahasim me të tjerët nuk janë gjykuar shumë shqiptarë, por në të gjykuarit për faje kundër pushtetit kanë dominuar shqiptarët, si në personat e moshës ligjore ashtu edhe në të miturit.

Puna

Në Jugosllavi i bije që të punojnë në sektorin shtetëror 14, 3% të popullsisë. Sipas republikave kjo përqindje nga 24,75% në Slloveni gjer në 11, 0% në Malin e Zi. Në Kosmet bien vetëm 5,6% të popullsisë dhe kjo tregon sa ulët është organizuar sektori socialist. Pjesëmarrja e gruas në punë në Kosmet është më e ulët se kudo. Në RPFJ, nga numri i punonjësve gra janë 27,0%. Sipas republikave, kjo përqindje lëvizë nga 36,0% në Slloveni në 20,0% në Bosnjë- Hercegovinë, kurse në Kosmet është 15,4, dhe sigurisht sepse s’do të jetë hapur punë për gruan shqiptare.

Ndërmarrjet industriale janë përhapur si vijon:

Prej këtyre në industrinë

Gjithsej    Elektrike    Miniera e metalurgjisë   Industri përpunimi

RPFJ                100,0      100,0           100,0                 100,0

Serbi                35,3       27,7            31,6                  36,0

Kosmet               2,0       4,3             4,8                  1,6

Kroaci               23,3      20,2             18,7                 23,8

Sllovenia             20,3      17,1             17,6                 20,6

Bosnja-Hercegovina    11,0      19,1             18,7                 10,0

Maqedonia            7,7       8,5              9,1                  7,6

Mali i Zi              2,4       7,4              4,3                  2,0

Kosmeti me gjithë që ka popullsinë më të dendur 75,5 për km2 dhe 4,8% të popullsisë së Jugosllavisë, ka pak industri. Atje nuk mungon lënda e parë dhe krahët e punës, por klika Titiste kërkon ta mbajë prapa, mbasi mbi 2\3 e popullsisë së atjeshme është shqiptare. Për sa i përket ndërtesave të banimit, në Jugosllavi u ndërtuan gjatë vitit 1957 rreth 174 m2 truall, apo 106 m2 vendbanimi për 1 000 frymë. Në Kosmet më pak se kudo, 125 m2 truall apo 82 m2 vendbanimi. Qarkullimi vjetor i mallit arriti më 1957 në 45 000 dinarë për frymë. Sipas republikave lëvizë qarkullimi nga 74 mijë dinarë në Slloveni në 35 në Malin e Zi. Në Kosmet ishte 17 000 dinarë për frymë që i bie sa 38% të qarkullimit të gjithë vendit apo 50% të Malit të Zi, që kishte qarkullimin më të ulët nga të gjitha republikat.

Nga Drejtoria e Statistikës

                                                                                 -19-

 Përmbledhje mbi masakrat e torturimet e titistëve kundrejt popullsisë shqiptare në Kosovë

Në kohën kur divizionet Nacionalçlirimtare shqiptare V dhe VI, ç1iruan Prizrenin, Gjakovën dhe të tjera qytete, titistët nuk terrorizuan masat shqiptare, por me t’u larguar këto reparte shqiptare për ndjekjen e gjermanëve në front, ata filluan pushkatime në masë. Është karakteristike se titistët në rrethet kufitare me Shqipërinë, masakrat i kanë bërë më të pakta me qellim që të mos ekspozohej terrori shtazarak i tyre nga partia dhe populli ynë.

Gjatë hyrjes së forcave titiste në Gjilan për të dytën herë janë pushkatuar përmbi 1 000 persona shqiptarë. Në Skenderaj janë gjetur 250 të mbytur me sëpata dhe bajoneta, kurse në katundin Prekaz janë pushkatuar 18 vetë, në katundin Polon të Ferizajt janë pushkatuar 28 vetë para familjeve të tyre. Afër Prishtinës në vendin e quajtur Tomboce janë pushkatuar më tepër se 200 vetë, kurse për një ditë brenda në qytetin e Prishtinës janë pushkatuar 70 vetë. Në Mitrovicë kur ka hyrë Brigada VI e Kosmetit, janë pushkatuar përmbi 2 000 vetë prej qyteti e katundeve të afërta. Në Vuçitërnë, brenda në qytet, janë gjetur përmbi 400 vetë të vrarë e të therur me bajoneta dhe pastaj i kanë fshehur në plehra e gropa të ndryshme. Sipër Istogut, ku del uji, është një gropë. Këtu OZNA të gjithë ata që i pushkatonte i fuste në katër gropa. Atje u bënë shumë vrasje sa që u qelb i gjithë uji dhe jo vetëm që njerëzit mbeten pa ujë, por edhe kafshët nuk e pinin.

Prej Kasave dhe Tetove, ato ditë (nëntor 1944) ishin pushkatuar më shume se 1 000 vetë shqiptarë pa gjyq. OZNA dërgonte njerëz besnikë të saj nëpër katunde shqiptare, ku ata merrnin njerëz dhe i pushkatonin në fushë dhe lugina e mbas andej i hidhnin në gropat që i kishin përgatitur që ditën. Në muajin nëntor të 1994 në katundin Vrapçishtë të Gostivarit dhe në vendin e quajtur “Ujë i ftohtë”, titistët kanë pushkatuar 75 shqiptarë, të cilët i kanë marrë nga fushat e përqendrimit të Gostivarit. Në katundin Presekë rrethi i Gostivarit, nga fundi i vitit 1994, titistët pa asnjë arsye dhe faj, pushkatuan 12 shqiptarë. Më datën 26 nëntor të vitit 1944, në orën 21:30 në Gostivar, UDB-ja, pa ndonjë arsye, ka pushkatuar më shumë se 20 shqiptarë të pafajshëm dhe nga gërmadhat e Gostivarit kanë nxjerrë 300 shqiptarë dhe i kanë pushkatuar, vetëm oficerët e UDB-së.

Në muajin tetor 1944, porsa titistët hynë në qytetin e Tetovës, ku janë një kamp përqendrim të rinjsh. Fabrika e duhanit e Tetovës që jugosllavët e quajnë “Tutunska Stanica”, u bë fushë përqendrimi vetëm për shqiptarët. U bënë arrestime në masën shqiptare të Tetovës dhe të katundeve të saj dhe u grumbulluan rreth 2 000 vetë, që të gjithë shqiptarë. Shtabi i Divizionit maqedonas, që ishte në Shkup, dërgonte oficerë të UDB-së të cilët merrnin shumë shqiptarë, me pretekst se do t’i mobilizonin në ushtri, gjoja do t’i transferonin në një kamp tjetër dhe porsa i largonin nëpër vende të ndryshme, i pushkatonin në mënyrë konspirative buzë lumit Vardar dhe gjetiu. Në Shkup oficerë të dërguar nga Divizioni i Maqedonisë morën 300 vetë prej tyre, gjoja se do të shkonin në një repart tjetër, e që nga ajo ditë të 300 djelmoshat shqiptarë janë zhdukur prej titistëve. Se ku janë pushkatuar dhe në çfarë mënyre, nuk është mësuar kurrë. Në dhjetor të 1944, titistët arrestuan në rrethin e Gostivarit 70 veta dhe i pushkatuan të gjithë në kodrën e gradishtës. Më 17 nëntor 1944, në stacion e monopolit të duhanit në Tetovë, kanë mbyllur brenda 10 000 shqiptarë dhe në atë natë të asaj date kanë pushkatuar 1 200 veta, kurse në net të tjera pushkatonin nga 10-15 veta. Në katundet e Kërçovë pushkatuan 320 bura.

Në rrethin e Shkupit titistët kanë bërë masakra të padëgjueshme, bile që i tejkalojnë dhe ato të Karagjorgjeviqëve. Në katundin Bojan të Shkupit, u vranë 76 burra dhe 30 gra e kalamaj. Në katundin Bllacë të Shkupit, u vranë gjithë burrat e shumë fëmijë. Burrat numërohen në 160 veta, kurse fëmijët në 50 veta. Këtu titistët mbase i vranë burrat e këtij katundi, atëherë i vunë zjarrin fshatit duke hedhur fëmijë në të për t’i ngjallur tmerrin popullit. Po ashtu, edhe në katundin Saraj të Shkupit titistët vranë 25 vetë. Në katundin Sopot të Kumanovës qëndruan shumë gra e vajza të reja dhe vranë 20 bura. Këto bisha me fytyrë njeriu, të etuara për gjak dhe të kapura nga një ndjenjë hakmarrëse shoviniste i kanë kryer këto masakra duke përdorur metodat dhe mjete më sadiste. Ata kanë futur të gjallë në gropa njerëz të pafajshëm, kanë therur fëmijë dhe gra shtatzëna, u kanë nxjerrë shpirtin njerëzve duke i gjymtuar për së gjalli pjesët e ndryshme të trupit, kanë zhdukur njerëz duke i hedhur në zjarre, kanë përvëluar me ujë të valë derisa ata kanë vdekur, kanë habitur deri në atë shkallë të llahtarshme sa që viktimave të tyre t’ua çajnë barkun për së gjalli dhe t’i fusin prush zjarri në bark, kanë asgjësuar viktima të pafajshme duke i kaluar nëpër trup hunj, duke i vrarë nëpër gardhe me qellim që të terrorizojnë popullatën shqiptare, kanë pushkatuar në sy të popullit, kanë prerë koka njerëzish dhe i kanë therur ata në sy të fëmijëve. Në masakrat e tyre, bishat titiste nuk kanë bërë dallime dhe kanë shfarosur pleq, vajza dhe djem të mitur, gra të reja dhe plaka.

Për shkak të krimeve të shumta që u bënë në Kosovë e Metohi, që tronditi popullin, pezmatimi kishte mbërritur kulmin, prandaj klika e Titos shpeshherë është detyruar të pranojë për hir të demagogjisë, vetëm një pjesë të këtyre krimeve. P.sh.: në Kongresin e Parë të PK së Serbisë, Rankoviqi duke u munduar që të lehtësonte peshën e përgjegjësisë që bie mbi klikën titiste, pranonte se me të vërtetë në Kosovë dhe Metohi ka pasur shumë raste kur njerëzit janë vrarë pa faj. Kështu, aty përmendi rastin e grupit të djelmoshave kosovarë që u masakruan gjatë rrugës Prizren-Ulqin, duke thënë se janë vrarë vetëm 400 vetë. Thënjet e Rankoviqit kishin për qellim me i paraqitë këto “raste” si rezultat i “gabimeve të organeve më të ulëta”.