ZHAN KLOD FAVEIRIAL PËR GJUHËN SHQIPE
Nga Dilaver Goxhaj
Gjatë muajve të parë të këtij viti ka lindur një debat i madh mes gjuhëtarëve, akademikëve dhe studiuesve shqiptarë për vjetërsinë dhe pastërtinë e Gjuhës Shqipe. Gjatë këtij debati mediatik e televiziv janë prezantuar shumë kundërthënie nga intelektualë, akademikë e studiues vendas.
Në këtë kuadër e shoh të arsyeshme të sjell në vëmendjen e gjithë të interesuarve se si e vlerëson gjuhën tonë shqipe historiani francez Zhan Klod Faveirial në librin e tij “Historia (më e vjetër) e Shqipërisë”, botuar për herë të parë në shqip në vitin 2004, nga “Plejad” -Tiranë, me ndihmën e Fondacionit “Fan Noli”, përkthyer nga Gent Ulqini; libri ka 552 faqe.
Zhan Klod Faveirial është dijetari i parë që ka shkruar historinë e Shqipërisë, hartuar në vitet 1884 – 1889. Francezi Zhan Klod Faveirial ka lindur në Sent-Etien (Francë) më 25 mars 1817 dhe ka qenë seminarist në seminaret e Lionit. Ka kaluar pothuajse gjysëm shekulli në Evropën Juglindore, kryesisht në Manastir dhe Kostandinopojë, prej vitit 1845 deri sa ndëroi jetë në Manastir, më 26 nëntor 1893. Më 1845 u dërgua si misionar në Santorin e Greqisë; më 1847 në Kostandinopojë pjestar i Kongrenacionit për veprimtarinë katolike në Peransdorinë Otomane, dhe më 1867 në Manastir, ku qëndroi 30 vjet. Këtu i zgjohet një interes për etnitë e ndryshme të Ballkanit Jugor (shqiptarët, grekët, turqit, bullgarët, serbët, vllehët). Ai studionte gjuhët turqisht, greqisht, vllahisht, bullgarisht dhe së fundi shqip, duke grumbulluar libra të vjetra dhe bashkëkhorë në lidhje me popujt e Ballkanit.
Ai i trajtoi çështjet e Lindjes nga pikëpamja fetare: çështjen bullgare, çështjen e vllehe dhe në 20 vjeçarin e fundit të jetës subjekt i preokupimeve të tij ishin shqiptarët. “Shqiptarët – shkruan ai – përbëjnë një komb, një racë të fortë e të guximshme, që kërkojnë pavarësinë e tyre”.
Në parathënien e këtij botimi të parë në shqip Robert Elsie shkruan:
“Për fat të keq, thelbësorja e veprës së tij të madhe nuk u publikua kurrë. Midis dorëshkrimeve të tij gjenden edhe këto vepra:
1. Historia e Shqipërisë – 1889
2. Historia Vllahe – 1891
3. Historia e gadishullit të Ilirisë – 1870
4. Manual i mirësjelljes në gjuhën bullgare -1858
5. Katekizëm bullgar për përdorim të Bullgarëve Unitë – 1862
6. Dialogje frëngjisht- bullgarisht – 1859
7. Katekizëm vlleh – 1891
Për të gjitha këto dorëshkrime nuk dihej asgjë, e për më tepër dosja “Shqipëria” qenë riatdhesuar në Paris. Më në fund, më 20 shtator 1999, At Iv Danzhu, përgjegjës për arkivat e Strehës-Amë të Bashkisë së Misionarëve Lazaristë në Paris, sinjalizoi rastësisht zbulimin e dosjes “Shqipëria”, vepra më e rëndësishme e Zhan Faveiriali”.
Për historinë e Shqipërisë dhe gjuhën shqipe Zhan Faveiriali u referohet historianëve, dijetarëve e personaliteteve të të gjitha epokave që kanë shkruar apo shprehur për kombin shqiptar: Homerit, Tuqididit, Herodotit, Tukididit, Aristofanit, Demostenit, Polibit, Ciceronit, Tit Livit, Strabonit, Lukianit, Dozon, Plinit, Plutarkut etj, etj, deri te autorë të shekullit XIX.
* * *
ZHAN KLOD FAVEIRIAL: “Dijetarët kanë pretenduar se një e treta e GJUHËS SHQIPE është me rrënjë Latine, një e treta Greke, dhe një e treta ilire. Por, në vend që të nxjerrim fjalë të huazuara prej shqiptarëve nga gjuhët Latine dhe Greke, a mos do të ishte më mirë t’i shihnim ato të huazuara prej latinëve dhe grekëvë nga gjuha Pellazgjike, e cila kalon, në mënyrë të pakundërshtueshme, si gjuha e parë e ardhur në Itali dhe në Greqi, dhe të cilën shqiptarët e përcjellin natyrshëm si e vetmia gjuhë e ruajtur deri në ditët tona?
Le të pranojmë se Shqipja është e varfër, domethënë, ajo nuk është e kultivuar. Por, po t’i heqim gjuhëve më të kultivuara fjalët shkencore të huazuara nga të tjerët, si do të katandiseshin ato?
Çështja kthehet pra kështu: – Shqiptarët, a i kanë ata, po apo jo, fjalët për të cilat deri këtu kanë pasur nevojë, – dhe gjuha e tyre a përshtatet, po apo jo, në formimin e fjalëve të nevojshme për lëvrimin e shkencave në Shqipëri?
I nderuari z.Dozon, ish konsull i Francës në Janinë, dëshmia e të cilit ka një peshë të rëndësishme, dhe i cili, për përmbledhjen e këngëve, gramatikën dhe fjalorin e tij, padyshim ka meritë të madhe për Shqipërinë, pohon se: “në raportin fonetik gjuha shqipe ka një begati dhe shumëllojshmëri që e kalon mjaft gjuhën e Aristofanit”.
Si mundet që kleri Grek të mos jetë i fajshëm, kur ka penguar, dhe ende pengon në ditët e sotme, lëvrimin e kësaj gjuhe kaq të bukur!
Grekët mburren se letërsia e tyre ka filluar me Homerin. Po Homeri vetë, nga cila shkollë greke ka dalë? Nga cilat shkolla është formuar ai? Përpara shkollave greke, pra, ka pasur shkolla pellazgjike, dhe një literaturë të madhe dhe të përkryer, e cila ka qenë themeli i Letërsisë Greke, ashtu si ndërtimet ciklopike kanë shërbyer si themel për ngrehinat e përkohëshme të ngritura prej Grekëve të lashtë.
Cilado qoftë vlera e letërsisë greke, brezat pasardhës do t’i qortojnë padyshim të gjithë Shqiptarët që e lëvrojnë atë duke shpërfillur letërsinë e vet, dhe të gjithë Shqiptarët e pasur që themelojnë shkolla për Grekët, në vend që t’i ngrenë ato për bashkëatdhetarët e tyre.
Në përurimin e Zhapionit (21 korrik 1885), Zhapa i Ri, foli për “ndjenja me të vërtetë humanitare” të themeluesit, xhaxhait të tij. Por, sa ka pasur ai ndjenja patriotike veç ndjenjave humanitare? Qysh atëhere, çfarë ka bërë Zhapa i Labovës (Gjirokastrës)? Ai, thjeshtë, ka dhënë më tepër një shembull të shëmtuar. Padyshim që Grekët e kanë duartrokitur. Por, Shqiptarëve të vërtetë a nuk u është dashur të rënkojnë prej kësaj?
Mjerisht, Zhapa nuk është i vetmi. I mirënjohuri Kristaq Zografi ka bërë dhe shumë të tjera. Diçka e çuditshme kur ata, e të tjerë si ata, besojnë se nderohen, ndërkohë që mbulohen me një turp nga më të përçmuarit, pasi Shqipëria është vendi më i prapambetur i Europës nga pikëpamja arsimore, dhe ndoshta, e vetmja në botën e popujve jo barbarë, e cila nuk ka letërsinë e saj kombëtare. (f.37-38)
Disa filologë pretendojnë se Pellazgët flisnin Greqisht. Por, gjuha Shqipe që ekziston ende dhe që, pak a shumë e pastër, është në mënyrë të pakundërshtueshme një e folme Pellazgjishte, – ajo vetë dëshmon se sa Pellazgjishtja ndryshon prej Greqishtes. Veç kësaj, Herodoti, i cili shtron po këtë pyetje, në një periudhë kur shumë bërthama të Pellazgëve ende ekzistonin, pohon se ata flisnin një gjuhë barbare, dhe shton se vetë Athinasit, duke u bërë Helenë, ndryshojnë gjuhën. (Herodoti, libri 1, k.57 e 58)” (f.42-43).
(Marrë prej librit: Zhan Klod Faveirial “Historia (më e vjetër) e Shqipërisë”, “Plejad” –Tiranë 2004, f.37-38; 42-43).
Tiranë, 3 maj 2024
add a comment