Histori

Dilaver Goxhaj: Roli që luajtën forcat partizane të Enver Hoxhës për fatin e Kosovës shqiptare

(Përgjigje pyetjes së Pr. Dr. Elmas Lecit)

I nderuar Pr.Dr.Elmas Leci, pyetjes tuaj se, “Çfrarë roli luajtën në Kosovë forcat partizane të Enver Hoxhës?”, i pergjigjet shkurt e sakt Komandanti i Divizionit te Peste i Ushtrise Nacionalçlirimtare partizane të Enver Hoxhes, (meqenese keshtu e doni ju emërtimin e asaj ushtrie çlirimtare dhe jo te UNCSH), Gjenerali Rrahman Parllaku, I cili komandoi një nga ato divizione shqiptare për clirimin e Kosoves. Ja se cfare pergjigje jep Gjenerali në librin e tij “Kosova e lire, ëndrra e jetës sime”, Tiranë, 2011, f 26-27:
” Me çlirimin e Kosoves divizioni jonë i plotesoi me nder të katër detyrat e ngarkuara nga Komanda e Pergjithshme: (1) Ndihmuam në clirimin sa me shpejt të Kosoves; (2) nxitem pjesëmarrjen sa me masive të shqiptarëve në luftë, me qëllim që edhe ata të bëheshin pjestarë të Aleancës Antifashiste të Popujve që udhëhiqej nga Anglia, Bashkimi Sovjetik e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që edhe ata të kishin të drejtën për vetëvendosje, pasi deri atëherë kosovarët me Divizionin SS “Skenderbeg” dhe Regjimentin “Kosova” kishin luftuar në anën e gjermanëve dhe me qeverinë Deva-Mitrovica. Kosova ende nuk e kishte përcaktuar pozicionin e saj antifashist dhe kjo ishte në interes të serbëve, për t’i quajtur kosovarët bashkëpuntorë të nazifashizmit dhe për të vënë në jetë planin e Çubrolloviçit për spastrimin etnik të Kosovës, por, pjesmarrja e kosovarëve në luftë ua dogji këto plane.
(3) Ndihmuam në ngritjen e Këshillave Nacionalçlirimtare që do të ishin në shumicë shqiptare dhe, së fundi, (4) Goditëm forcat e Grup-Armatës ERE, i dëmtuam e i penguam të mos tërhiqeshin në mënyrë të organizuar në Frontin e Perëndimit, ku synonin të shkonin, si edhe shkatërruam rrugët e tërheqjes së tyre në mënyrë që të humbnin armatimin dhe teknikën e rëndë ushtarake.
Plotësimi i këtyre 4 (katër) detyrave ishte edhe një (5) kontribut tjetër që jepte populli shqiptar në luftën antifashiste.”
Ndërsa në f. 50-52, Gjeneral Parllaku i jep këtë përgjigje historianit Kristo Frashëri në një konferencë të mbajtur në Tiranë më 1993, me temë: “Lufta e divizioneve tona në Jugosllavi”, po citoj: “profesor Frashëri në mes të tjerave tha se forcat e divizioneve tona ndihmuan serbët në luftimet e Drenicës…Kërkova fjalën dhe e nisa me pyetjen drejtuar referuesit: “Profesor, kjo gota që e kam përpara, a mund të ndodhet në këtë moment edhe në tavolinën tuaj? Ai bëri të çuditurin e më tha: “Çështë kjo pyetje?!. Ju përgjigja: Po ju pyes, pasi ligjet e fizikës nuk pranojnë që një trup të ndodhet në të njëjtën kohë në dy vende të ndryshme. Kur zhvilloheshin ngjarjet në Drenicë, forcat e divizioneve tona luftonin në Vishegrad e në Bosnjë, e nuk mund të ndodheshin edhe në Drenicë, duke ndihmuar serbët. Miku im, profesori i nderuar Kristo Frashëri pranoi se ishte një lapsus nga ana e tij për mungesë informacioni.” (f.50).
Në fq.51-52 të po këtij libri, pasi Gjenerali Rrahhman Parllaku përsëit ato çka cituam në f.26-27, vijon: “Divizioni SS “Skenderbeg” e Regjimentin “Kosova” kishin luftuar ne anën e gjermanëve dhe me qeverinë Deva-Mitrovica. Një gjendje e tillë u interesonte serbëve kur ishin në prag të fitores dhe donin që për këtë shkak t’i akuzonin kosovarët si bashkëpuntorë të gjermanëve, me qëllim që të kishin dorë të lirë nga aleatët për të zbatuar planin e Akademikut Vasa Çubrilloviç, dorëzuar Titos, për të bërë spastrimin etnik të Kosovës. Edhe Aleatët me vendimet e tyre kishin lejuar të bëheshin spastrime etnike të gjermanëve, italianëve e aleatëve të tyre. Kështu p.sh. u përzunë miliona gjermanë nga Prusia Lindore, Krakovia, e Sudetët; po ashtu u veprua me italianët, me hungarezët e rumunët. Në këtë kategori Sava Çubrilloviç deshi të fuste edhe Kosovën.
Plani i Çubrilloviçit mbeti në sirtarët e Titos, ai u dogj nga pjesëmarrja në luftë e 50.000 Kosovarëve që luftonin në Armatën e ish Federatës Jugosllave, që e shpëtuan Kosovën nga Blloku Fashist dhe e bashkuan atë me Aleancën Antifashite të popujve. (Dhe në këtë masivizim të kosovarëve në luftën antifashiste një rol të jashtëzakonshëm luajtën divizionet tona në Jugosllavi. D.G). Si rrjedhojë, nuk mund të përziheshin familjet shqiptare nga trojet e tyre, kur 50.000 kosovarë ishin duke luftuar kundër nazistëve.
Vetëm në divizionin që komandoja unë erdhën vullnetarisht mbi 1600 kosovarë, prej tyre vetëm në dy brigade , tek e III-ta dhe tek e V-ta, kanë rënë dëshmorë 102 luftëtarë kosovarë, duke luftuar në Sanxhak e Bosnjë. . . . .Me gjithë sakrificat që bënë kosovarët në luftën antifashiste, nuk e fituan pavarësinë e lirinë e tyre, por arritën një fitore të madhe, qëndruan në trojet e tyre etnike. Ata nuk e lanë të shkretë vendin dhe Kosova nuk u bë tokë e serbëve siç ndodhi për fat të keq, me Çamërinë. . . Por u ruajt thelbësorja, Kosova nuk u shkombëtarizua.”
Në përforcim të këtyre të vërtetave mbi “rolin që luajtën në Kosovë forcat partizane të Enver Hoxhës”, na vjen në ndihmë edhe historiani kosovar, Dr. Ali Hadri, me librin e tij ”Lëvizja Nacionalçlirimtare në Kosovë”, Rilindja –Prishtinë – 1971, ku, midis të tjerave, shkruan: “Organizata më masive e Lëvizjes u formua plotësisht në pikëpamje organizative në nëntor 1944. Në këtë periudhë forcohet edhe më shumë bashkëpunimi me Lëvizjen Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, jo vetëm në planin politik, por edhe në atë ushtarak. Pjesëmarrja e njësivev të UNÇ të Shqipërisë në çlirimin e Kosovës dhe të disa viseve të tjera të Jugosllavisë e forcoi edhe më shumë miqësinë luftarake në mes të dy lëvizjeve çlirimtare fqinje.” (fq. 643-644).
Po të kemi parasysh vitin kur Dr.Ali Hadri ka botuar këtë libër, ka qenë kulmi i acarimeve politike midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, prandaj dhe ka shkruar me kaq shumë rezerva dhe nuk është zgjatur, pasi dihet se luftimet e njësive UNCSH filluan luftimet në Kosovë ende pa mbaruar çlirimi i plotë i Shqipërisë. Si rrjedhojë e asaj gjendjeje tepër të tensionuar Shqipëri-Jugosllavi kur Dr Ali Hadri boton historinë e LNC në Kosov, prandaj ai nuk zgjatet e të thotë se formacionet e mëdha të UNCSH i filluan veprimet luftarake në Kosovë e viset e tjera shqiptare qysh në verën e vitit 1944. P.sh forcat e Brigadës së Parë e të Katërt të UNÇSH dhe të Brigadës Maqedonase hynë në dibër më 2 gusht 1944 (AQU. Fondi Div.I, kutia 2, dos. 59, f.5) Po ashtu forcat e Br.5 i shkaktuan humbje të mëdha armikut në rajonin e Dibrës gjatë luftimeve 18 – 23 gusht 1944. (AQU, Fondi Div.I, v.1944, kut.1, dos.16).
Forcat e UNCSH, sikundër dihet, hynë në Kosovë me kërkesë të misioniit ushtarak jugosllav, sikundër shkruan Akademiku M.Apostolski “Osloboditelnata vojno na makedoski naroda 1941-1945’, Skopje, 1971, (pasqyrruar në Revistën tonë “Për mbrojtjen e atdheut”, nr.9, 1979, f.33). Sikundër thekson ky Akademik, këtë kërkesë e bëri Shtabi Suprem i UNÇJ, pasi pjesa dërmuese e reparteve jugosllave ishin angazhuar në luftimet për çlirimin e Beogradit.
Atë çka deklaron Gjeneral Rrahman Parllaku, se një nga detyrat e forcave të UNÇSH ishte “pengimi i konsolidimit të njësive armike dhe shpartallimi i forcave të tyre”, e thekson edhe hitoriani I. Antonovski në librin “Formiranje i razavoj Kosovo-Metohiskih”, botuar te revista “Kosova”, nr.4, Prishtinë 1975.
Edhe përsa i përket pjesmarrjes masive të kosovarëve në luftën antifashiste në periudhën kur shkojnë formacionet tona në Kosovë na e vërteton edhe Buletini i “Buçitjes”, organ i Br. V S, prej dt.5-20 tetor 1944 (AQU, Fondi Br.V, 1944,,kut.1, dos.7, fl.131), ku shkruhet: “edhe ato pak katunde që ishin gënjyer nga reaksionarët u kthyen menjëherë me partizanët.”
Besojmë se me këto përgjigje të dokumentuara, i jepet përgjigje pyetjes së Pr. Dr. Elmaz Lecit: “Çfrarë roli luajtën në Kosove forcat partizane të Enver Hoxhës?”, dhe i pritet rruga manipulimeve keqdashës për rolin e shkuarjes së divizionit V e të VI të UNÇ SHqiptare në Kosovë e viset e tjera shqiptare në Jugosllavi.
Nuk ka dyshim se rrethanat në të cilat vepruan formacionet e UNÇSH në Kosovë e në viset e tjera ishin jashtëzakonisht të rënda, të ndërlikuara, por edhe vendimtare për të ardhmen e popullit shqiptar. Kjo situatë shtronte detyrë përpara forcave politike që udhëhiqnin kalimin në ato vise të formacioneve tona në Kosovë të përpilonin një program të saktë e të qartë, në të cilin do të gjenin zgjidhje për problemet që shtronte koha, si dhe interesat themelore të shqiptarëve në ato vise. Nëse do të qe hartuar një program i tillë, ai do t’u shërbente formacioneve të UNÇSH gjatë atyre luftimeve, sidomos në pranverën e vitit 1945, gjatë periudhës së rikthimit të tyre në Kosovë. Aq më tepër kur dihet se në atë periudhë u konkretizuan planet e fshehta të udhëheqjes së PKJ për ripushtimin e ketyre territoreve, për të cilat udhëheqja e PKSH nuk kishte dijeni.
Tiranë, më 12 prill 2022