Portreti/intervista

Dilaver Goxhaj: Për simbolin e qëndresës shqiptare Bacë Adem Demaçin

Me rastin e 85 vjetorit te lindjes se personalitetit te shquar shqiptar, Adem Demacit, si dhe të tre vjetorin të largimit te tij nga jeta, po hedh, në kujtim të tij, nje pjese nga libri: “Drama e UCK dhe e Adem Demaçit”, Tiranë, 2014.

ADEM DEMACI, kjo figurë emblematike e desidencës dhe e politikës kosovare prej viteve ‘60 të shekullit të kaluar e në vijim, në javën e dytë të muajit Gusht 1998 është takuar me dy nga drejtuesit e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Sylën e Xhavit Halitin, në Tiranë, ku, -siç thotë ai-, “arrijnë ujdinë që ata të bëjnë luftën e ky politikën.” Si rjedhojë, më 13 Gusht 1998, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, përmes komunikatës nr.7 të tij, e shpall publikisht Adem Demaçin Përfaqësues të Përgjithshëm Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Prishtinë.
Me këtë veprim, ata që ishin në krye të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës legjitimuan para opinionit publik shqiptar dhe masës së luftëtarëve të UÇK-së, ekzistencën dhe përbërjen aktuale të Drejtorisë Politike të saj, (Hashim Thaçi, Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Azem Syla, në të cilën kooptohet edhe Adem Demaçi), si dhe të Shtabit të Përgjithshëm, (i cili përbëhej atë kohë nga këta të pestë plus Rexhep Selimi, Sokol Bashota, Lahi Ibrahimi. Askush nuk dinte se çfarë tentativash ishin bërë deri atëherë, prej antarëve të Drejtorisë Politike, që kishin mundur të
delnin në këto funksione të larta drejtuese të UÇK-së, duke shmangur nga drejtimi i Luftës për Çlirimin e Kosovës dhe i UÇK-së dy lëvizjet politike, (Lëvizja Popullore për Kosovën, LPK; Lëvizja Kombëtare Çlirimtare për Kosovën, LKÇK), të angazhuara shumë më herët. Vendimi i Drejtorisë Politike (Dr.P) për t’i propozuar Adem Demaçit
detyrën e Përfaqësuesit Politik të UÇK-së ka qenë një nga veprimet dhe vendimet e saj më të studjuara dhe më të zgjuara. Në periudhën kur thirret Adem Demaçi në ndihmë, UÇK-ja, përveç që kish pësuar disfatë të ndjeshme në aspektin e veprimtarisë së saj ushtarake në terren, ajo ishte edhe e izoluar politikisht nga i gjithë spektri politik mbarë shqiptar, ashtu edhe nga diplomacia ndërkombëtare. Deri në ato momente nuk kemi asnjë takim publik politik midis Drejtorisë Politike të UÇK-së dhe politikanëve shqiptarë apo me diplomatët ndërkombëtarë. Dhe që UÇK-ja të delte nga ai izolim, Drejtoria Politike thirri në ndihmë Adem Demaçin, “Bacën, legjendën e gjallë të popullit shqiptar… Figura e tij e rëndomtë në mënyrë gati të padiskutueshme kaloi në legjendë; u tret në shpirtin e gjallë të popullit dhe u mishërua në ëndërrën e tij shekullore; Demaçi dhe populli u bënë një. Nuk ishte më tutje vetëm një bir i denjë i popullit, por gati vetë populli”, sikundër e përcakton Ukshin Hoti.
Këtë e kish më se të qartë edhe Drejtoria Politike e UÇK-së, dhe, për të dalë nga situata ku ajo e kish futur UÇK-në, e kuptoi se “për politikën tani e tutje ishte i rrezikshëm vetëdijësimi politik i popullit shqiptar. Dhe këtë Demaçi e artikuloi me inteligjencën e tij të mprehtë; me shpjegimet e thjeshta, por definitive dhe të prera; me referencat e tij-shpatë që coptonin, por që nuk therrnin.”, shkruan Ukshin Hoti
Emërimi i Demaçit në atë pozicion politik e përligjte tendencën historike për bashkim kombëtar shqiptar në një situatë të mëvonshme më të përshtatshme, pavarësisht se ai deklaroi se hiqte dorë nga Ballkania e tij.
Demaçi, duke e pranuar ta kryente legalisht detyrën e përfaqësuesit politik të UÇK-së, në qëndër të kryeqytetit të vendit ku kryhet ajo luftë, duke lëvizur e vepruar haptas përmes forcave ushtarako – policore të pushtuesit, përbën një rast unikal në historinë e luftrave çlirimtare botërore, e cila ishte edhe një sfidë e drejtpërdrejtë që ai i bënte Serbisë. Pranimi i kësaj detyre nga Demaçi, ishte një guxim i marrë, pasi përbënte për të një rezikshmëri të jashtëzakonshme.
Deklarimi publikisht nga Demaçi, si kryesues i asaj detyre politiko-ushtarake, e vuri Serbinë në dilemën për t’u përcaktuar në njërën prej tre alternativave: ta linte të lirë Demaçin; ta arrestonte; apo ta injoronte (të heshtte). Dhe ajo zgjodhi të tretën, heshtjen, sepse po ta pranonte, do të detyrohej të ulej menjëherë në bisedime me të; po ta arrestonte do të shtoheshin radhët e UÇK-së me luftëtarë, mbështetës dhe simpatizantë. Por edhe heshtja pati pasoja të paparashikueshme prej Serbisë, sikundër ishte përpjekja për krijimin e Asamblesë Kombëtare, e cila do të eleminonte Kuvendin e Kosovës i dalë nga zgjedhjet e diskutueshme të Marsit 1998, nën
monitorimin e vetë Serbisë, gjë që nuk i interesento asaj.
Megjithatë, mungesa e reagimit serb ndaj atij emërimi të Demaçit si Përfaqësues Politik legal i UÇK-së do të thoshte leje e nënkuptuar (implicite) për veprimtari legale të tij në tërë territorin e Kosovës si Komisar Politik i UÇK-së. Kjo ishte edhe arsyeja pse Demaçi nuk pati pengesa prej Serbisë për krijimin e Asamblesë Kombëtare, i cili, me shumë zgjuarsi ftoi të merrnin pjesë në atë Asamble edhe pakicat kombëtare në Kosovë, për të mos i dhënë shkak Serbisë që ta pengonte funksionimin e asaj asambleje. Politikisht, Serbia prej asaj dite që nuk reagoi ndaj asaj detyre legale të Demaçit, dashje pa dashje nuk mund ta mohonte ekzistencën e një ushtrie çlirimtare në Kosovë dhe, njëkohësishtë, indirekt pranonte se UÇK-ja nuk ishte organizatë terroriste. Dhe faktet e treguan një gjë të tillë më pas. Si rjedhojë, pretendimet e mëvonshme serbe se UÇK-ja ishte terroriste, e shoqëruar gjithmonë me mjete të dhunës për ngulfatjen e saj, u provuan si absurde.
Me një fjalë, emërimi i Demaçit në krye të politikës së asaj lufte
çlirimtare ishte një hap shumë i madh nga ana e Drejtorisë Politike,
që vështirë se mund të tejkalohej nga ana e Serbisë. Për këtë shkak,
leja e nënkuptuar serbe, do të thoshte edhe luftë për legalizimin e
mëtejshëm të punës së Demaçit në këtë drejtim përmes të qenit
Komisar Politik legal i UÇK-së. Merita në këtë drejtim i takon
Drejtorisë Politike, e cila gjeti njeriun më të spikatur, në momentin më të spikatur dhe të vetmin personalitet të mundshëm në Kosovë që mund të përfaqësonte denjësisht gjininë e vet shqiptare.
Sikundër shihet, Drejtoria Politike i kish bërë saktë këto llogari. Duke vënë në krye të politikës së luftës këtë legjëndë të gjallë të
shndërruar në popull, jo vetëm që ajo do ta thyente izolimin politik
dhe diplomatik të UÇK-së, por do të shumonte edhe rradhët e
formacioneve të saj. Njëkohësishtë, me atë veprim të zgjuar,
Drejtoria Politike i bëri Serbisë edhe një karshillëk të befasishëm e të paparashikuar prej saj, pasi, veç të tjerave e përgënjeshtronte
propagandën e Serbisë dhe mbështetësve të saj, e cila e akuzonte
UÇK-në si një organizatë terroriste, pavarësishtë se vihej në rrezik
jeta e Demaçit, e këtij politikani modern, të cilin “Komuniteti politik
evropian me gjest fisnik, i pat ndarë çmimin Saharov”, dhe kjo,
ngaqë Demaçi, duke qenë i lirë në veprimtarinë e tij politike, “ai nuk e luftoi në veçanti asnjë armik, por që të gjithë së bashku. E luftoi dhe e mundi çdokë dhe secilin që deshi ta pengonte emancipimin e popullit shqiptar në Kosovë. Për këtë shkak figura dhe personaliteti i tij u mishërua me progresin”; si dhe me marrshimin përpara të forcave dhe të luftës së UÇK-së, ngaqë “Demaçi u shndërrua në popull. Për këtë shkak, madhështia e tij nuk qëndron në të njohurit e tij nga populli, por edhe në të njohurit e popullit në veten e tij”; por edhe në të njohurit e UÇK-së nga i gjithë populli në Kosovë, nga kombi shqiptar dhe nga ndërkombëtarët.
Mirëpo Drejtoria Politike nuk deshi ose nuk diti ta shfrytëzonte sa më gjatë këtë progres politik që i dha Adem Demaçi UÇK-së në arenën kombëtare e ndërkombëtare, pasi me t’u kthyer nga raundi i parë i bisedimeve në Rambuje, jo vetëm që anëtarët e saj nuk pranuan as të përshëndeteshin me të, por e përzunë edhe nga detyra e Komisarit Politik që i patën besuar para gjashtë muajve!
Adem Demaçi e pranoi ofertën e SHP të UÇK-së për të qenë
Përfaqësuesi i Përgjithshëm Politik i saj në Kosovë, duke hequr dorë
nga drejtimi i Partisë Parlamentare dhe vizioni i tij vetjak për
konfederatën Ballkania. Sikundër ka treguar koha, zoti Demaçi,
vendimin për të pranuar ofertën e bërë nga dy drejtues të lartë
politikë të UÇK-së, nuk e mori aspak për interes vetjak, por është
nisur nga ideja e çlirimit të Kosovës, si hap i parë drejt bashkimit të
saj me shtetin amë, ide për të cilën ai pat luftuar pareshtur gjat gjithë jetës së tij, në luftë me shtetin Jugosllav e më pas me Serbinë.
Hapi i parë që bëri Adem Demaçi, porsa pranoi detyrën politike të
afruar nga Shtabi i Përgjithshëm, i sugjeroi këtij organizmi të lartë
drejtues që ta ndryshonin strategjinë ushtarake të UÇK-së, “nga lufta për territore, ku pësoi disfatë, por jo edhe humbje përfundimtare, dhe të kalohej në metodën e luftës guerile”. Gjë që rriti besimin e radhëve të UÇK-së si dhe në popull se kishin të bënin jo vetëm me nje politikan të sprovuar, por edhe me një takticien ushtarak të zotin.
Ajo direktive e tij tregonte kushtrim, kërkesë, dhimbje dhe shpresë. Ai e dha këtë direktivë strategjike ushtarake ngaqë ia jepte atë të drejtë pozicioni politik. Si rjedhojë, nënkuptohej se prej atij momenti, vetëm ai kish të drejtë të përcaktonte politikën e luftës për çlirim, si Përfaqësuesi i Përgjithshëm Politik i UÇK-së, duke e bindur popullin se lufta ishte nisur për t’u fituar dhe jo për të bërë pazare me përpjekjet e luftëtarëve të dalë prej gjirit të tij. “Qeveria që formulon politikën e luftës dhe që duhet t’ia përshtasë atë kushteve që ndryshojnë shpesh gjatë konfliktit, –udhëzon teoricieni ushtarak Lidëll Hart – mund të ndërhyjë me të drejtë në strategjinë e një fushate….Kur qeveria gjykon se kundërshtari ka epërsi ushtarake në tërësi, ose në një teatër të vaçantë operacionesh, ajo mund të vendosë të përdorë një strategji me qëllim të kufizuar.”
Sikundër do ta shohim në vijim, nëse Demaçi do ta kishte de fakto
atë fuqi urdhëruese ndaj Drejtorisë Politike dhe Shtabit të
Përgjithshëm të UÇK-së, për t’i detyruar formacionet e saj luftarake të zbatonin në terren strategjinë e luftës guerile (partizane), atëherë
mund të thuhet me siguri se ai ishte udhëheqësi kryesor politik i asaj ushtrie çlirimtare; dhe, e themi me bindje se, nëse UÇK-ja do të vinte në jetë strategjinë ushtarake që propozonte Demaçi, do të ishin serbët ata që do të kërkonin haptas rrugë të tjera jashtë Kosovës, për të fituar në tryeza ndërkombëtare atë që do të humbisnin praktikisht çdo ditë në terrenin e luftës. Por, bazuar në ngjarjet që do të analizojmë, del se Demaçit nuk iu bindën ata që duhej të bindeshin për të vënë në jetë atë strategji ushtarake që ai kërkoi të aplikohej!

Postimet e fundit !