Vështrim/Analizë

Dilaver Goxhaj: NJË LIBËR I BEGATSHËM PËR TË NDRIÇUAR EDHE MË MIRË HISTORINË E ARMËS SË XHENJOS

Historia e Armës Shqiptare të Xhenjos që është botuar në vitin 2015 nga një grup autorësh (Ramiz Feçori, Miti Galloshi dhe Zabit Çuku) është një histori përmbledhëse prej 530 faqe për masat dhe mjetet xhenjere prej ushtrive të lashtësisë e ato të ushtrisë shqiptare prej pavarësisë deri në fund të shekullit XX, duke përfunduar me njësitë dhe repartet xhenjere të Ushtrisë Shqiptare gjatë periudhës 1945-1990. Thënë ndryshe një përbledhje historie, pa kaluar në trajtesa të dokumentuara, si dhe në strukturat komanduese të formacioneve xhenjere të Ushtrisë Shqiptare.
Mirëpo, duke qenë se historia është një subjekt mrekullish të pashtershme, dhe veçanërisht veçoritë e Armës së Xhenjos, është parë e domosdoshme që të plotësohet historia e kësaj arme me dëshmi e dokumentacione të rëndësishme si dhe me portrete, që ajo histori të ngjajë një filozofie që të mëson me anë të dy syve të saj, të shembujve dhe porosive, të cilat janë gjeografia dhe kronologjia e saj. Pikërisht këto dy memorje i ka plotësuar studjuesi ushtarak, nënkolonel Zabit Çuku, i cili del këtë radhë para lexuesit ushtarak dhe historisë së Ushtrisë Shqiptare me librin e titulluar “100 vjet Armë e Xhenjos”. Librii ka dalë në qarkullim në fillim të këtij viti.
Vepra e botuar prej këtij studjuesi të kësaj arme përbën një monografi me rëndësi të jashtëzakonshme për ndriçimin e veprave të kryera nga kjo armë e ushtrisë sonë si gajtë LANC-it , gjatë periudhës së rindërtimit të Shqipërisë në periudhën e quajtur socialiste si dhe strukturat e saj organizative deri në vitin 2020. Dhe, sikundër thotë edhe vetë autori, ky libër studjon të gjitha aktivitet e veprimtarisë së Armës Shqiptare të Xhenjos prej “lashtësisë ilire dhe vijon nëpër kohë e situate të ndryshme ndër vite”: histori, gjeografi, urdhëra, dokumentacion, arsim e kualifikim ushtarak professional e të përgjithshëm brenda e jashtë vendit, industri ushrakake, struktura të trupave xhenjere, organizim e kompletim me pajisje, stërvitje, municionet xhenjere në vite, forifikim në shumë vite deri edhe gjëndjen numerike të mjeteve e municioneve xhenjere të shkatërruara e grabitur në ngjarjet e dhimbshme të vitit 1997, operacionin në Gërdec e çminimet e brezit kufitar nga minimet e hedhura nga ushtria serbe brenda territorit të Republikës së Shqipërisë nga Ushtria Serbe gjatë Luftës Çlirimtare në Kosovë etj, të cilat na i prezanton me shumë saktësi dokumentare dhe me hollësira të papritura e të panjohura më herët.
Karakteri i një kronikani ushtarak zë një vend qëndror në gjithë veprën e nënkolonelit Zabit Çuku, i cili me këtë vepër demonstron atë çka ka thënë dikur shkrimtari dhe poeti, Pr. Moikom Zeqo: “Xhenjerët mbajnë gjallë një pishtar moral duke ndihmuar komunitetin, duke i dhënë frymëmarrje Atdheut, prandaj nderimi për ta duhet të jetë i pafund”.
Gjithë ky ritëm shpirtërohet edhe me rezultatet e eksperimentimeve të sigurisë së njerëzve në objektet fortifikuese; në pasqyrimin e ndërtimit të qyteteve nëntokësorë ndërtuar nga xhenjerët tanë gjatë periudhës moniste; në monografitë e dëshmorëve të Armës së Xhenjos; portretet e 125 kuadrove të larta xhenjere si dhe botimet profesionale dhe artistike të tyre në vite, etj.
Vepra e nënkolonelit Zabit Çuku, nga të gjitha pikëpamjet: ushtarake, politike, ekonomike e shoqërore, është një thesar i begatshëm për të ndriçuar një nga armët më të rëndësishme të Ushtrisë së Shqipërisë, me të cilën z. Zabit Çuku i ka brë një shërbim të madh historisë së Ushtrisë së Republikës së Shqipërisë.
Kjo vepër formon edhe një thesar të madh letrar për kombin shqiptar, por edhe për popujt e tjerë një dokument historik, ushtarak dhe ekonomik etj., duke e plotësuar më tej historinë 5.000 vjeçare të fortifikimeve në Shqipëri.
Për përgatitjen e këtij studimi dinjitoz, autori Zabit Çuku është mbështetur në mbi njëqin burime arkivore dhe botime.