7 PRILLI 1939
Në orën 04.00 të 7 prillit 1939 trupat italiane ishin rrugës për të zbarkuar në Shqipëri. Në këtë orë Mbreti Zog iu drejtua vetë me telegram Musolinit, ku i lutej që të rifillonin bisedimet për nënshkrimin e një marrëveshjeje ushtarake për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe për të përligjur zbarkimin. (Sipas F.Jakomoni “La politica dell’Italia in Albania”, 1965, f.99)
Por, përgjigjia e Romës ishte e prerë. Ministri i Mbrojtjes Jakomoni mori udhëzime t’i thoshte qeverisë shqiptare se po të kish ndonjë gjë për të thënë t’i drejtohej gjeneral Guxonit, komandantit të trupave italiane të zbarkimit, të cilat ishin: një divizion këmbsorie, 4 regimente bersalierësh, tri batalione të mekanizuara, 5 batalione të tjera këmbsorie, të cilat bashkë me artilerinë dhe repartet e tjera të shërbimeve përbënin një divizion, një division aviacioni me 3 regjimente bombarduesish (mbi 400 aeroplanë) dhe e gjithë skuadra e parë detare. Këto forca përbënin skalionin e parë, mbi 100.000 trupa.
Në orën 05.25 filloi zbarkimi në Durrës. Ushtria shqiptare nuk mori asnjë urdhër për kundërveprim. Qe shthurur. Populli shqiptar në Durrës, Shëngjin, Sarandë, Vlorë dhe te Ura e Bahçallëkut (mbi Drin) i vuri gjoksin me trimëri armikut. Më e fortë ishte qëndresa në Durrës. Atë e organizuan patriotët dhe ushtarët trima ku shquhej kapteri i marinës, trimi Mujo Ulqinaku.
Ja se si e përshkruan atë rezistencë poeti NONDA BULKA me poemën:
MUJO ULQINAKU
Ç’janë ata që nxijnë detin?
E dëgjon, nëno, tërmetin?
– Jan’ hordhitë e dushmanit.
Për t’i vënë zjarr vatanit
O biro!
– Ç’janë ata këmishë-zes,
Që po vinë aq serbes,
Me ca pupla si këndes.
O nëna ime?
Ata janë mizëria,
Që po vijnë me zinxhira,
Të na lidhin këmb’ e kokë,
E ta kthejnë varr’ e gropë,
Çdo luadh, çdo fush’ e pyll,
Do nxirosinë çdo yll!
Pa do mbushin me kufoma,
Me kufoma, ah, të njoma
Çdo kodrin’ e çdo hendek
Mal më mal e breg më breg.
– Zjarr nga deti, zjarr nga qielli!
Nëno, u sterrua dielli!
• * *
– Durrës ty, o Durrës plak,
Hasmi po të shkel në prak,
Populli u mbyt në gjak,
Ç’po lëfton një Ulqinak.
Lëfton djali, lëfton plaku
Gjer në gju na vate gjaku,
Bjeri Mujo Ulqinaku
Për liri!
Lufton opulli i arbëreshit,
Si dkur me pallë sheshit
Për Shqipëri!
Thërret Guzzoni: Mamma mia,
Ç’burra paska Shqipëria!
Telegramet ven’ e vinë
Nga Londoni në Athinë,
Nga Belgradi n’Amerikë,
Nga Azia në Afrikë;
Nga Parisi gjer në Moskë:
Çpo luftojnë geg’ e toskë
Për një truall, për një prak,
Lahen rrugëtë me gjak!
Kush lufton ashtu më këmbë?
Kush ha hekurin me dhëmbë?
Janë trimat shqipëtarë,
Që po heqin zorrët zvarrë!
Të tradhtuar nga një mbret,
Q’u degdis për në kurbet!
Është Mujua, një kapter,
Që lufton e vdes me nder!
Dhe ja plumb’ i mallëkuar,
Tej-për-tej në kraharuar!
Ç’na u mbyt trimi në gjak,
Për një truall, për një prak.
Nëna me të madhe qan,
Kur sheh shtrir’ atë luan:
– Gjirin ta kam bër’ hallall,
Xhan o shpirt, me yll në ballë!
Ti m’u vrave për liri,
Ndaj të qan një Shqipëri,
Bir o bir si lumthi ti!
add a comment