Shqipëria/Aktualitet

Digjet Muzeu i Muzikës në Gjakovë, i vetmi i llojit të tij në hapësirën shqipfolëse

TIRANË, 31 gusht/ATSH/ Mbrëmjen e djeshme u përfshi nga flakët Muzeu i Muzikës në Gjakovë. Edhe mbërritja e shpejtë e zjarrfikësve nuk bëri të mundur shpëtimin e strukturës. Duke qenë se një pjesë e madhe e muzeut ishte prej druri, flakët u përhapën me shpejtësi dhe vështirësuan operacionin e zjarrfikësve.

Muzeu i Gjakovës ishte një institucion me vlera, që dokumentonte kulturën muzikore shqiptare. I vetmi institucion në llojin e tij, në  Kosovë dhe trevat e tjera shqipfolëse.

Ndërtesa ishte kthyer në një muze funksional që prej vitit 2016.

“E trishtuar nga lajmi për djegien e objektit të Taphanës, dikur Muzeu i Muzikës në Gjakovë. Objekti përveç se ishte objekt nën mbrojtje, kishte vlerë dhe rëndësi të veçantë për ridestinimin që ia dhamë në korrik të vitit 2016”, shkroi deputetja kosovare Mimoza Kusari, e cila ka qenë kryetare e Komunës Gjakovë në vitet kur objekti u kthye në muze.

Ndërkohë që organet përkatëse po hetojnë nëse ka qenë një zjarrvënie e qëllimshme apo jo, aktivistë të shoqërisë cilive i kanë bërë thirrje MKRS të bëjë ç’është e mundur për ta rindërtuar muzeun e Gjakovës.