Vështrim/Analizë

Dervish Çadraku: Të mburremi apo të turpërohemi me njoftimin se në vitin 2023 do të ngritet shtatorja e Komandantit Legjendar në Prishtinë

Me shkas: Pasi lexova lajmin (sikur mburren) për ngritjen e shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari në vitin 2023 në Prishtinë
A jemi mjaftueshëm falënderues ?
Historia na mëson që nuk ka pothuajse popull në botë që gjatë zhvillimit të tyre nuk kanë kaluar së paku nëpër tri faza të zhvillimit:
1. Fazën e robërisë, 2. Të rezistencës dhe luftës për liri, 3. Të pasluftës, ndërtimi dhe të zhvillimit të shtetit.
Edhe Kosova si vend me histori të rëndë të okupimit nuk dallon shumë nga vendet e tjera në këtë drejtim, deri në vitin 1999, pra deri në fazën e tretë që fillon më 12 qershor të vitit 1999, datë e hyrjes së Forcave të NATO-s në Kosovë që nga ne njihet edhe si Dita e Çlirimit.
Pas kësaj date institucionet e Kosovës me disa veprime të tyre kanë krijuar dilemën: a është ky shtet normal apo vërtetë është sui generis?
Disa nga “margaritarët” që Kosovën e bëjnë të tillë:
– 12 Qershori, nga qytetarët e Kosovës njihet si Dita e Çlirimit, por në Kushtetutën e Kosovës kjo datë nuk figuron si e tillë. Në kalendarin e festave njihen 11 festa shtetërore por 12 Qershori nuk figuron si ditë e çlirimit. Pra si pas Kushtetutës ne nuk kemi bërë luftë çlirimtare.
– 12 Qershori pra njihet si Dita e Paqës. Në fjalor fjala paqe do të thot: ” …marrëdhënie të mira pa grindje e pa armiqësi; …gjendje e qetë pa luftëra e pa ndeshje …”. Por datat e çlirimit të shumë qytetëve dhe vendbanimëve të Kosovës pas kësaj date nuk na e dëshmojnë këtë “qetësi”. Në çdo vend të botës si ditë e çlirimit njihet dita e përzënies së ushtarit të fundit të okupatorit nga vendi.
– Zgjedhjet e para parlamentare në Kosovë të mbajtura pas luftës, paraqesin një rast unikat në botë: Djemtë dhe vajzat që kishin rrezistuar në regjimin gjakatar të Titos dhe Millosheviqit shumë nga ata duke vuajtur nëpër kazamatet serbe. Ata për çlirimin e Kosovës e kishin formuar edhe UÇK-në në krye me Komandantin Legjendar Adem Jashari. Edhe pse kjo ushtri e cila në bashkëveprim me faktorin ndërkombëtar e çliroi Kosovën nga regjimi njëqindvjeçar fashist serb, në zgjedhjet e para të pasluftës, fryma e çlirimtarëve nuk i fitoi këto zgjedhje. A nuk ishte kjo një mosmirënjohje ndaj atyre që ranë në llogore, që lanë gjymtyrët, atyre që bartin ende plumba në trup etj.duke u nënkuptuar kështu se liria e fituar nuk ishte kontribut i tyre por i Amerikës apo kujtdoqoftë tjetër por si duket i tyre jo.
– 23 vite pas luftës në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë nuk e kemi të ngritur në një vend nderi një obelisk me emblemën e UÇK, të këtyre tri shkronjave të shenjta.
– Në Prishtinë ende nuk e kemi as shtatoren e Komanantit Legjendar Adem Jashari me të cilin identifikohet Ushtria Çlirmtare e Kosovës, dhe liria, i cili u flijua me 58 anëtarë të familjes.
– Nuk e kemi as shtatorën e “Mandelës së Evropës”, të “ Arkitektit të Pavarësisë”, Adem Demaçi i cili për shkak të angazhimit të tij për lirinë e Kosovës, i ka kaluar 29 vite të jetës së tij nëpër kazamatet e errëta të ish-Jugosllavisë.
– Nuk e kemi as shtatoren e intelektualit guximtar dhe atdhetarit të madh Ukshin Hoti, i cili nga të parët profesorë të Universitetit, mbrojti demostratat gjithëpopullore të vitit 1981 dhe në vitin 1991 kërkoi publikisht të formohet Ushtria e Kosovës, i burgosur disa herë për këto ideale dhe ende nuk dihet për fatin e tij. U rreshtua drejt kur plotë “intelektualë me tituj të lartë” ose e futën kokën në rërë si struci ose u bënë me armikun.
Dervish Çadraku 24.09.2022