Lëvizja\UÇK

Dervish Çadraku: Roli dhe rëndësia e LPK-së në luftën për liri të popullit të pushtuar shqiptar nga Jugoserbia

Kumtesë e lexuar me rastin e shënimit të 40 vjetorit të krijimit LPK-së, në Gostivar

Roli dhe rëndësia e LPK-së në luftën për liri të shqiptarëve në ish-Jugosllavi

Shqiptarët edhe nga lufta e dytë botërore si shumë herë në historinë e tyre tragjike, dolën të zhgënjyer dhe pothuajse të pa përfillur. Në bashkëveprim si pjesë e kampit antifashist, duke u përballur në vijat e frontit kundër forcave nazifashiste shumëfish më të mëdha në numër dhe në armatim, arritën që ta çlirojnë Shqipërinë Londineze ndonëse me mbi 28.000 dëshmorë dhe me një shkatërrim total të infrasturkturës së këtij shteti edhe ashtu të varfër. Përkundër entuziazmit dhe kontributit që dhanë, zemrat e shqiptarëve u ndan në dysh sepse 3/4 e kombit dhe e trojëve të tyre prapë mbeten jashtë shtetit të tyre real si rezultat i kalkulimeve të fuqive të mëdha dhe fqinjëve grabitqarë , duke i lënë nën një robëri mizore çfarë ishte shteti i Jugosllavisë me një pushtet kriminal më në krye diktatorin Tito. Për ta bërë edhe më të rëndë ekzistencën e tyre, ata i copëtuan dhe i ndanë në mes tyre: Republika e Serbisë, e Maqedonisë, dhe e Malit të Zi. Megjithatë gjeni i tyre luftarak dhe nevoja ekzistenciale për liri dhe dinjitet kombëtar, nuk do ta lërë të këputet hallka e zinxhirit të rezistencës, për të rënë në honin e pa fund të robërisë dhe për t’u shkrirë në kopenë e ardhacakëve vandalë të Karpateve.
Lufta e Shaban Polluzhës me brigadën e tij shpërfaqë fillimin e luftës së re legale dhe klandestine të shqiptarëve nën jugosllavi. Ndonëse kjo kryengritje u shua me gjak pas së cilës ushtrohet një terror i pa parë, shumë djem dhe vajza atdhetare, me guxim, do ta vazhdojnë luftën ndaj pakënaqësisë së rezultateve të LNÇ-së dhe trajtimit të tyre si popull nga shteti kriminal serbo-jugosllav. Represioni serb dhe gjendja e rëndë ekonomike, e çonte popullin shqiptar drejt organizimeve të domosdoshme alternative.
Për këtë qëllim ata formojnë dhjetëra grupe klandestine, me qindra veprimtarë që vepronin në Kosovë, në Maqedoninë shqiptare dhe kudo që kishte shqiptarë në këtë shtet të cilët do të marrin me guxim barrën e luftës për liri dhe bashkim me shtetin amë.
Këto grupe përkundër rezultateve modeste, në radhë të parë, ia kishin arritur të iu vrasin frikën shqiptarëve që pushteti kriminal serbo-jugosllav kishte arritur ta instalojë në një masë, përmes aksioneve të improvizuara nga OZN-a e UDB-ja, kinse për “eliminimin e bandave “, “aksionit të armëve”, “mbledhjes së tepricave” etj. Si rezultat i punës vetëmohuese të këtyre grupeve më 27 nëntor 1968 do të shpërthejnë demonstratat gjithëpopullore të cilat shpalosën qëllimin dhe vendosmërinë e shqiptarëve për një republikë të shqiptarëve në Jugosllavi. Përkundër shuarjes me dhunë të këtyre demonstratave ato i zgjeruan të drejtat dhe e ngritën nivelin e faktorizimit të shqiptarëve në Jugosllavi, ndonëse jo mjaftueshëm, por që u sanksionuan me Kushtetutën e vitit 1974.
Edhe demonstratat e vitit 1981 të cilat me zhvillimin e tyre do të marrin karakterin e një kryengritjeje gjithëpopullore, shpërfaqën domosdoshmërinë e kundërshtisë për të ardhur deri të qëllimi. Ato ndikuan në rritjen e grupeve klandestine dhe në dinamikën e veprimeve të tyre atdhetare. Mirëpo sado të forta të ishin këto grupe, shihej qartë se me programe dhe veprime të parcializuara nuk do arrihet qëllimi final i shqiptarëve. Prandaj, u pa si shumë e domosdoshme që të punohet me ngulm në gjetjen e një zgjidhjeje për veprime më efikase. Sepse përçarja si” Thembër e Akilit” po e përcillte këtë popull nga thellësitë e shekujve, duke e bërë më të lehtë pajtimin e shqiptarëve me armikun si ta shkatërrojnë atdheun, se me vëllain si ta ndërtojnë e prosperojnë atë, Të vetëdishem për këtë, me 17 janar të vitit 1982 në Untergrupenbah të Gjermanisë dhe të motivuar nga simbolika e thuprave të Skënderbeut ishin bërë bashkë Jusuf Gërvalla Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla. Atë natë, aty u lidhë Besa e Madhe duke i bërë bashkë organizatat të cilat kishin punuar me përkushtim për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe që në programet e tyre kishin ideale dhe synime të përbashkëta për çlirimin. Dhe ky bashkim pastaj do të reflektojë me katër shkronja, LPRK apo Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (më vonë LPK) organizatë kjo e cila e mori përsipër organizimin e rezistencës dhe të luftës me qëllim të realizimit të këtyre objektivave. UDB-ja duke e parë rrezikun e këtij bashkimi, i vret Ata, por tanimë ishte arritur qëllimi i kahmotshem: LPRK-ja mori krahë dhe u bë organizatë që jep kurajë dhe frymëzim, jep këshilla dhe detyra për veprim në luftën e shenjtë për liri dhe bashkim. Realizimi në teren i bashkimit të këtyre grupeve edhe pse i kishte vështirësitë e veta për të vepruar praktikisht nën regjimin e rreptë policor, ata iu përveshën punës në një ilegalitet të thellë dhe me plot rreziqe për jetën. Ndër veprimet e para që do të merren nga kjo organizatë është thirrja: “Trakt Kundër Tradhtisë” duke i shpërndarë qindra kopje, dorë më dorë tek të rinjtë, studentët dhe të punëtorët të te cilët pati shumë efekt. Shpërndarja e këtyre trakteve, e gazetës “Zëri i Kosovës” si organ i saj, kohëpaskohe ”Buletini” i “Zërit të Kosovës”, ”Rruga e Lirisë”, etj. e kishin për qellim informimin e masave për situatën, orientimin dhe qëllimin e luftës, ruajtjen dhe ngritjen e moralit luftarak dhe atdhetar. Ky efekt u pa sidomos me shpërndarjen e traktit pas rënies heroike si pas shembullit të Vojo Kushit, të Rexhep Malës, Nuhi Berishës, e Bajram Bahtirit që edhe përkundër dhimbjes dhe goditjes që iu dha Lëvizjes ajo e rriti pezmin dhe urrejtjen ndaj armikut.
LPRK paralel me propagandën si formë të luftës do të merret intenzivisht edhe me organizimin e protestave nëpër qytetet të ndryshme të Kosovës. Anëtarët të kësaj organizate do të organizojnë demonstrata në Prishtinë e në disa qytete të Kosovës në shenjë të përvjetorit të parë dhe të dytë të 11 Marsit të vitit 1981. Po ashtu në vitin 1984 shkaku i arrestimeve të shumë veprimtarëve të kësaj organizate, do të organizohen demonstrata në disa qytete. Njëra nga më të rëdësishmet ishte ajo e mbajtur para Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.
Nuk mund të mohohet roli i anëtarëve të LPRK-së në fazën e zhvillimeve të pa kënaqësive gjithëpopullore të viteve 1988/90 me rastin e heqjes së autonomisë dhe mohimit e të drejtave të shqiptarëve në minimum, duke e instaluar regjimin ushtarako-policor në përpjekje për të kthyer rrotën e historisë prapa. Në grevën e shkurtit të vitit 1989, të 1300 minatorëve të Trepçës, në grevën e 15.000 studentëve në sallën “1 Tetori” dhe në protestat gjithëpopullore të 30 dhe 31 marsit që u organizuan me rastin e vizitës së grupit të deputetëve të parlamentit evropian, veprimtarët e LPRK-e kishin rolin kyç. As Vrasja nga soldateska serbe e dy figurave emblematike e ilegales në Kosovë, më 2 nëntor 1989 Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu ajo e Nesimi Elshanit, Agron Fetahut, Hilmi Krasniqit, dhe Halim Hotit më 27 janar 1990 në protestën e Brestofcit të Rahovecit e shumë rënie tjera, nuk e ndalen vrullin rinor për të protestuar edhe më fuqishëm kundër pushtuesve serbo-jugosllavë. Edhe aksionit të pajtimit të gjaqeve do t’i paraprijë Komunikata e LPRK-së e 29 janarit të vitit 1990 ku u angazhuan anëtarë të kësaj organizate duke i pajtuan mbi 2000 gjaqe në tërë Kosovën. Gjatë kësaj kohe do të organizohet po nga LPRK-ja një peticion ku do të mblidhen mbi 200.000 nënshkrime mbi bazën e të cilit pas një presioni të madh me protesta, Kuvendi i Kosovës me 2 korrik shpalli Deklaratën Kushtetuese, për pavarësinë e Kosovës. Thënë figurativisht krahu tjetër i shqiponjës, diaspora e jonë, e shpërndarë nëpër vende të ndryshme të botës, sidomos ato në Evropë por edhe në Amerikë e Australi, në periudhën nga viti 1982-1999 ka vepruar paralel dhe në koordinim me rrezistencën brenda në Kosovë. Me angazhimin e LPRK-s janë organizuar qindra protesta sensibilizuese dhe informuese ku kanë marrë pjesë mijëra veta. Vetëm në Gjenevë, në protestën dyjavore të vitit 1990 morën pjesë mbi 70.000 shqiptarë. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, në Evropën Lindore dhe Juglindore, përveç përmbysjes së sistemeve dhe regjimeve, kishin ndodhur edhe ndryshime gjeopolitike në këto vende. “Zhvillimet demokratike” në Jugosllavi sidomos instalimi i sistemit shumëpartiak, heqja e nenit 133 i kodit penal të Jugosllavisë që nënkupton “lirinë e fjalës” e kishin bërë të veten edhe në Kosovë. Po krijoheshin parti të ndryshme si LDK etj. të cilat me programet e tyre politike vepronin pa probleme të theksuara. Sidomos Lidhja Demokratike me veprimet e saja do të krijojë të masat iluzionin se Kosova mund të çlirohet pa luftë, me dialog dhe duke e simuluar viktimën, gjë qe në një masë do të krijohet huti për metodat e luftës për liri. Në këto rrethana, të disa anëtarë, krijuan mendime dhe ide për pikëpamjen ideologjike të LPRK-së dhe dilemën e regjistrimit legal të organizatës apo të veprimit klandestin të saj. Pakënaqësia me dinamikën e punës dhe të orientimit programor, do të ketë për pasojë daljen e disa veprimtarëve dhe do të formojnë subjekte të veçanta, si LKÇK , Frontin e Rezistencës etj. Të gjitha këto do ta dëmtojnë në një masë LPRK-në, prandaj në shkurt të vitit 1991 u organizua Konferenca e Dytë e Jashtzakonshme e cila u mor suksesshem me këtë qështje. Këtë gjendje e rëndoi edhe më shumë dekonspirimi dhe burgosja nga UDB-ja e një numri të pjesëmarrësve të Mbledhjes së Tretët të Përgjithshme të mbajtur më 3-4 tetor 1991 në Ujmir. Më e rëndësishmja në këtë fazë, ishte që u arrit të ruhet kompaktësia e LPK-së për të vazhduar rrugëtimin në realizimin e aspiratave për çfarë ishte krijuar. Kësaj i ka ndihmuar edhe shterpësia politike e LDK-së dhe e disa partive të ngjajshme e cila e zhvlerësoi të ashtuquajturën rezistencë paqësore të tyre dhe paralel me zhgënjimin e popullit, prapë do të dalë në sipërfaqe fuqishëm, si e domosdoshme, forma klasike e rezistencës që do ti jep të drejt LPRK-së Luftën si domosdoshmëri për të fituar lirinë, LPRK-ja e kishte mësim nga gjyshërit por edhe nga përvoja e popujve të ndryshëm nëpër botë. Bazuar në këtë qëllim, organizata, përveç vetëdisimit dhe ngritjes politike të anëtarëve të sajë, kishte punuar edhe në formimin e këshillave popullorë, këshillave të rrethit, etj. Tani lufta e armatosur për çlirim ishte bërë imperativë e kohës dhe po kalonte në një fazë të re. Kjo u potencua edhe në Mbledhjen Konsultative të Kollares (23-24 prill 1993) dhe si vendim i plotfuqishëm u mor në Mbledhjen e IV të Përgjithshme të mbajtur në Prishtinë më 28-29 korrik 1993. Ndonëse për këtë qëllim qysh në vitin 1991 ishin krijuar dy sektorë, krahu politik dhe ai ushtarak, që kishte për qëllim përgatitjen për luftë të armatosur që nënkuptonte ushtrimet ushtarake, furnizim me armatim etj. . Më vonë po nga ky krah do të dalë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Madje që në vitin 1985 në OMLK ishte menduar për luftën sepse kishin caktuar Sekretar për Çështje Ushtarake (F.Lladrofci) etj. Në funksion të këtyre qëllimeve, më 3 dhjetor të vitit 1993, edhe Këshilli i Përgjithshëm i Degës se LPK-se jashtë vendit mori vendim për krijimin e “Sektorit të veçantë“. Ky sektor ishte më se i domosdoshëm sepse gjendja në Kosovë po shkonte drejt përballjes së madhe. Aksione të armatosura sporadike kishin filluar që nga fundviti 1991, në Drenicë me grupin e Adem Jasharit, në Llap me grupin e Zahir Pajazitit e në Dukagjin me grupin e Ardian Krasniqit. Në po këtë mbledhje u vendos edhe për krijimin e fondit “Vendlindja Thërret” sepse paralel me intensitetin e luftës po rriten edhe nevojat për armatim dhe logjistikë. Përfundimisht në Mbledhjen e IV të Përgjithshme të LPK, në Prishtinë u vendos për të filluar përgatitjet për luftë, në kuptimin e plotë fjalës. Aksionet luftarake po shtoheshin bashkë më numri i luftëtarëve të lirisë. Më 17 nëntor të vitit 1994 me Komunikatën nr.11 Shtabi Qëndror i Ushtrisë Çlirimtare e merr përgjegjësinë e veprimeve luftarake kundër forcave serbe në Kosovë dhe me operacionet e saja në teren, ajo do të bëhet forcë reale që nuk mund të injorohet. Më 27 nëntor të vitit 1997 djemtë e LPK-së me rastin e varrimit të mësuesit Halit Geci në Llaushë, botërisht do të deklarojnë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës qëndron në ballë të luftës dhe e gatshme deri në vdekje për lirinë e Kosovës dhe si rezultat i kësaj më 12 qershor të vitit 1999 ëndrra e shqiptarëve të Kosovës u bë realitet sepse UÇK-ja në bashkëveprim me NATO-n e shporrën me turp ushtrinë dhe policinë serbe nga këto troje, duke ia sjellur kësaj toke lirinë e munguar me shekuj.Shumë ushtarë të LPK-UÇK-s, do ti bashkangjiten dy ushtrive simotra, UÇPMB-s dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të Maqedonisë shqiptare, për të iu ndihmuar vëllezërve të tyre që po luftonin në llogoret e luftës atje, në një mënyrë edhe për të u kthyer borgjin e dhjetra e qindra luftëtarëve nga këto anë, që për krah tyre kishin luftuar e kishin derdhur gjakun për lirin e Kosovës.
Përfundim
Lëvizja Popullore e Kosovës ishte produkt i mendimi politik më të avancuar kombëtar dhe i shkallës së zhvillimit të rrezistencës klandestine që vepronte në atë periudhë, në mesin e shqiptarëve në Jugosllavi dhe diasporë. Ajo do të përfaqësojë ndërgjegjën dhe vetëdijen kombëtare të atyre që mendonin se vetem bashkimi i forcave të fragmentuara në një grusht të vetem do ta godas armikun përfundimisht dhe së rrugë tjetër nuk ka për të ardhur të liria.
Suksesi i LPK si organizatë klandestine qëndron te programi i pastër kombëtar, të devotshmeria dhe përkushtimi i antarësisë në kryrjen e detyrave edhe me çmimin e jetës, të fleksibiliteti dhe përshtatja për interesin kombëtar në situata të caktuara të zhvillimëve politike dhe të ndrrimit të sistemëve, të gatishmeria e bashkëpunimit dhe bashkveprimit më këdo që ka vullnet të punojë për interesin e kombit, të lidhjet e forta me shtetin amë përmes konsultave dhe bashkëveprimeve brenda vendit dhe në atë ndërkombëtar.
LPK ishte organizata e vetme që kishte shtrirje horizontale kaq të gjerë dhe një hiearki vertikale solide dhe të diciplinuar. Pothuajse nuk kishte pëllëmbë të tokave të pushtuara, që nga Prishtina, Presheva deri në Ulqin e Shkup të mos kishte anëtarë apo Këshill të LPK-së etj. sepse edhe udhëheqja ishte e përbashkët.
Në suksesin e LPK-së në luftën për liri, rol të rëndësishem kanë patur edhe shqiptarët jashë atdheut si kontribuesit më të mëdhej në pikëparje të nevojave materiale dhe monetare, në botimin e gazetave, broshurave e trakteve etj. të cilat ishin jetike për aktivitetet atdhetare të LPK-së, dhe kur i thirri zëri i atdheut ata mbushën radhët me dhjetra e qindra luftëtarë të lirisë, erdhën dhe u futen në flakën e luftës, për t’i dalë zot atdheut.
Rrespekti ndaj LPK-së qëndron të puna e saj e palodhshme dhe me plot rreziqe, të aksionet dhe organizimet e protestave të pa numërta brenda dhe anëkënd globit, të betimi para flamurit dhe të mbajtja e premtimit për luftë deri në fitore, të gjaku i derdhur i dhjetra e qindra anëtarëve të saj, nga themelimi deri në fitorën e luftës së lavdishme të UÇK-së në krye me Komandantin Legjendar Adem Jashari, të fitorja e UÇ Kombëtare dhe e UÇPMB-së, për aq sa mund të arrihej atëherë, në kombinimet gjeopolitike të Fuqive, në vorbullën e quajtur Ballkan.
04.10.2022

Postimet e fundit !