TIRANË, 12 nëntor/ATSH – I. Vata/- Deputeti i PS-së, Petro Koçi deklaroi sot se protesta e opozitës sundohet nga interesat personale të Sali Berishës.
Në një reagim në rrjetet sociale, Koçi shprehet se fundi i protestës na bëri të ditur se organizatorët kanë frikë nga shteti ligjor.
“Protesta e sotme dhe turmëzimi demostroi se opozita sundohet nga interesat personale të Sali Berishes dhe se shanset që kjo opozitë të transformohet e modernizohet janë thuajse zero. Fundi i protestës na bëri të ditur se tashmë organizatoret e kanë frikë shtetin ligjor dhe penalitetet ndaj atyre që shkelin ligjin dhe rendin publik”, tha ai.
Koçi e konsideron lëvizjen e opozitës paralel me lëvizjet politike të Serbisë.
Ai thekson se kjo opozitë nuk prodhon shpresë por nxit urrjetje politike ndaj kundërshtarëve.
“Ndërkohë kjo lëvizje e opozitës zhvillohet paralel me lëvizjen politike të serbëve të Kosovës. Fjalori politik i opozitës që përmblidhet nga kriminaliteti historik i PD dhe korrupsioni historik i LSI është me i varfër se ai i vitit ’90. Kjo opozitë nuk ofron shpresë. E shumta që tenton është vetëm nxitja e urrejtjes politike ndaj kundërshtarëve”, shprehet ai.
“Lidershipi i opozitës është i kompromentuar me përcaktime zyrtare si non grata për shkak të korrupsionit përmbytes. Nga ana tjetër mazhoranca jonë duhet të vazhdojë reformat, të shkundë administratën dhe të verë në shenjestër korrupsionin e kësaj administrate. Sistemi i drejtësisë nuk ka pse pret më shumë për të hetuar e ndëshkuar financimet ruse dhe sjelljet tradhëtare të Berishës ndaj UÇK-së që kulmojnë me bashkimin e votave të PD me Kozacevin në Këshillin e Europës”, tha ai.