PRISHTINË, 28 shtator/ATSH/-Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundërshtojnë përpjekjet që të barazohet vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, me sulmuesit “që ishin të përfshirë në vrasjen” e tij.
Kështu tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mathew Miller, në pyetjen lidhur me atë se si SHBA-ja i cilëson personat që sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
“Ne kemi qenë shumë të qartë: SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet e koordinuara dhe të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe ne shprehim ngushëllime për familjen e rreshterit të Policisë së Kosovës i cili u vra gjatë detyrës. Ne kundërshtojmë përpjekjet për të barazuar vdekjen tragjike të rreshterit të Policisë së Kosovës [Afrim] Bunjaku me vdekjen e individëve që ishin të përfshirë në vrasjen e një polici. Përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë përmes një procesi hetimor transparent. Ky hetim është duke u zhvilluar”, tha Miller, transmeton REL.
Më 24 shtator, Policia e Kosovës u sulmua në Banjskë të Zveçanit nga një grup terroristësh, ku si pasojë e sulmit mbeti i vrarë rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa policë të tjerë.
Ndërsa, tre sulmues mbetën të vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit, ndërkaq gashtë të tjerë janë arrestuar për këtë sulm terrorist.