Shqipëria/Aktualitet

Daniel Server: Askush nuk ka të drejtë t’i bllokojë rrugët, të sulmojë policinë apo të rrezikojë sigurinë publike

PRISHTINË, 26 dhjetor /ATSH/ Eksperti amerikan i sigurisë, Daniel Server, duke folur për barrikadat në Kosovën Veriore, ka thënë se askush nuk dyshon në të drejtën e serbëve për të protestuar por, ai thekson se askush nuk ka të drejtë të bllokojë rrugët, të sulmojë policinë dhe të rrezikojë sigurinë publike.

Serwer ka reaguar pas deklaratave të kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, lidhur me barrikadat dhe tensionet në veri të Kosovës.

“Askush nuk ua mohon të drejtën serbëve në Kosovë për të protestuar në mënyrë paqësore, por nuk kanë të drejtë të bllokojë rrugët, të sulmojnë policinë dhe të rrezikojnë sigurinë publike. Nuk ka të drejtë as kryeministri i Serbisë të përdorë njerëzit në listën e pagave të shtetit tuaj për të destabilizuar një shtet fqinj”, ka shkruar ai në Twitter.

Ndërsa, kryeministrja e Serbisë kishte reaguar ndaj deklaratës së diplomatit gjerman Wolfgang Ischinger, i cili kishte thënë se është i shqetësuar me tensionet dhe se Bashkimi Evropian duhet të marrë rol vendimtar dhe urgjent, ndërkohë që ka pyetur në postim në Twitter nëse Serbisë i është bërë me dije se nxitja e dhunës ndaj një shteti fqinj si Kosova do të bëjë të pamundur vazhdimin e procesit drejt anëtarësimit në BE.

Barrikadat në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak u ngritën më 10 dhjetor nga grupe kriminale serbe, si shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Ai dyshohet se organizoi sulm terrorist në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pret që misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, t’i largojë barrikadat në veri. Ndërkohë që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës i ka kapacitetet e duhura të veprojë në këtë drejtim.

Thirrje për largimin e barrikadave kanë bërë edhe ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe ajo në Beograd, duke thënë se arrestimi i Pantiqit po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve.

Grupet kriminale serbe të maskuar kanë sulmuar Policinë e Kosovës, gazetarët dhe misionin e BE-së, EULEX, kurse një polic i Kosovës është lënduar dhe ka marrë edhe trajtim mjekësor. Ndërkaq, të dielën e 25 dhjetorit, bandat kriminale serbe kanë shtënë në afërsi të një patrulle të KFOR-it në Zubin Potok.