Botë

BRUKSEL: NATO: Rusia vazhdon me grumbullimin e forcave ushtarake në afërsi të kufirit me Ukrainën

BRUKSEL, 16 dhjetor /ATSH-AA/ – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka theksuar se Rusia vazhdon me intensifikimin e forcave ushtarake në afërsi të kufirit me Ukrainën.

Stoltenberg zhvilloi sot një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

“Nuk shohim asnjë shenjë që Rusia të ketë ndalur ose ngadalësuar grumbullimin ushtarak në afërsi të kufirit me Ukrainën. Përkundrazi ajo është duke vazhduar”, tha Stoltenberg, duke theksuar se nuk ka asnjë arsye për këtë grumbullim dhe se ky veprim kërcënon sigurinë e Evropës.

Stoltenberg e konsideroi grumbullimin ushtarak si provokativ dhe destabilizues.

“I bëjmë thirrje Rusisë të kthehet në diplomaci, të ulë tensionin dhe të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Agresioni i mëtejshëm kundër Ukrainës do të ketë pasoja serioze dhe një kosto të lartë”, tha Stoltenberg. //a.i/