Opinion

Blerim Muriqi: ZGJEDHJET QË I BIE TË JENË PËR KRYETAR REPUBLIKE

Në ditën e të dashuruarve Kosova do të votoj për Kuvendin e ri me fokus “Kuorumin”për Kryetar, pa të cilin zgjedhjet do bëheshin nulë. Pra, themi për Kryetar në ballinë të të tërës? Atje do të lidhet nyja gondiane e një cikli zgjedhjesh të tipit italian, derisa të mos ndërhyjnë ndërkombëtarët apo ndoshta vota të disiplinohet në kërkim të një pragmatizmi politik, që dinë ta kenë vetëm shoqëritë e përparuara në pjekjen e demokracisë. Fjalori i përdorur nga politikanët tanë nuk dallon fare nga militantët e tyre, të cilët po i përdorin krejt pashpirtshëm. Idhullimi edhe kësaj radhe është pjesa e madhe e tortës së zhurmës. Kjo dhunë e fjalëve, e cila po e terrorizon shoqërinë tonë në kaq fragmentarizim dhe skajshëm po e dërgon në urrejtje të formësuar, nuk është gjë tjetër vetëm se mungesë kualitetesh nëpër partitë nxitëse.  

Në klimë të tillë nuk ka nevojë për programe  

Edhe sikur e gjithë dija politike e botës të shkrihej në programet elektorale të partive tona, ajo nuk do të mjaftonte për ta tërhequr qytetarin tonë nga këneta e fjalorit për idhulin a grupimit ku e nxisin këto partitë tona militantin e cilit do format. Kulmi i të keqes sikur ka lindur bashkë me ne dhe ne po notojmë në një terren shumë të rrëshqitshëm, ku partitë nuk besohen për programin, por ndiqen për helmin. Në të tilla raste, shoqëritë e dalura nga shtrati i arsyes e quajnë përmbysjen shpresë! Por, a do të ndodhë ajo dhe a do ta sjellë atë, mbetet për t’u parë. Përtej asaj se a do të ndodhë përmbysja a jo ne si shoqëri është mirë të kuptojmë se ka ardhur koha që, partitë tona, pas fjalës së përdorur, etiketimit apo bërjes me gisht ta kenë në dorë faktin akuzues që ta ndërtojnë argumentin e arsyes dhe të heqin dorë nga nxitja. Shoqëritë që ndjekin rrugën e partive nxitëse të urrejtjes nuk shkojnë larg, andaj edhe ne nuk  po dalim dot nga rrethi ku jemi futur.  

Kalimi i gabuar nga terreni i konkurrencës në terrenin e armiqësive e ka bërë shoqërinë tonë fragjile dhe anemike. Të tilla situata ku bien popujt e shtetet gjetja e rrugës vie vetëm përmes pragmatizmit që mund ta imponoj përkushtimi idealist. Këtë mund ta shohim sot tek Shqipëria jonë, e cila po e gjen rrugën përmes standardit të vënë në drejtësi. Na takon ta ndjekim shembullin në rastin e parë që do kemi një qeverisje të përgjegjshme. Pas këtyre zgjedhjeve apo tjerave ne do duhet me patjetër një ditë ta nisim këtë rrugë. Ndryshe nuk ecim dot. Por, a bëhet kjo në kushte të armiqësive të nxitura brenda politike? E vështirë t’i jepet një përgjigje deri sa nuk do kemi një si Edi Rama edhe ne në tapetin e kryezyrës së shtetit, në kryeministri. 

Paszgjedhjet e kushtëzuara sikur na kanë ndodhur gjithherë kanë rezultuar mbajtja kapur e pushtetit dhe shtetit. Ky prag po vëhet edhe kësaj radhe që në para ardhje. Relacioni i numrave që do prodhojnë zgjedhjet nuk do mjaftoj të bëhen institucionet e larta pa një konsensus. Atje në krye të punës janë vënë disa pengesa të pakalueshme. Thyerja e LDK-së dhe vendosja e Vjosës në taborrin e armikut të përtërirë LVV-së, nuk do ta lë LDK-në të shkoj në përqafimin e “gjarpërit”. Në rast të tillë gabimi, dhe jo Vjosa, do ia gërryente masën elektorale deri në asht.  

PDK-ja në kërkim të komoditetit konsolidues ka gjetur terrenin opozitar si pushtimin e ri prej ku do ta lodhë LVV-në herët a vonë. PDK-ja e ka kuptuar se proceset nuk janë stinore dhe për këtë ajo do donte që zgjedhjet në vazhdim të vinë të tilla, nga stina në stinë. Ajo sot ka një luftë ndryshe nga sa po e pretendojnë partitë tjera. Ruajtja e partisë për shefat ka prishur trasenë ku do të rrugëtonte me dashje ajo. Lëshuarja kuluareve e lajmit se z.Thaqi mund të lirohet në Prill është trysni e mjaftueshme për disiplinën e veshit të shpuar. Kjo ka bërë që objektivi i saj  të jetë vetëm tendenca konfirmuese si zëri i vetëm politik që determinon proceset dhe kjo ka gjithë mundësinë të bëhet  mes dështimit të të tjerëve.  

Asgjësimi i partive të vogla dhe kthimi i primatit të identitetit që vie nga e shkuara po e bënë PDK-në vrasësen e NISMËS sot, por a do t’ia del ta bëjë këtë edhe me AAK-në në të ardhmen mbetet të shohim. Mbetja si e vetmja e njërës nga anët e medaljes në Kosovën politike është qëllimi më vehte, i cili sot po e thirrë PDK-në, sot përtej numrave e përtej institucioneve, ndaj ajo nuk po ngutet drejt pushtetit dhe ky fakt mund ta vështirësoj etablimin e LVV-së në institucionbërëse reale, për faktin se Ramush Haradinaj do thoshim, sot si qëllim është bërë tërësia qëllimore e AAK-ës së djeshme zgjedhore. A do mjaftoj krenaria e synuar e kreut të AAK-së, për ta mbajtur egocentrizmin e liderit për ushqim turme njëjtë sikur mbështetësit e tij edhe te anëtarët e parisë, të cilët janë aty për objektiva politikë apo edhe personal. Rugovës kjo i ka mjaftuar, por Ramushi duhet ta lexoj PSE-në e këtij mjaftimi nëse nuk e dëshiron fillimin e rrjedhjes së elektoratit mbështetës përtej rreshtimit partiak! Kur Rugova e përdorte egon e tij për të drejtuar presidencën, partia e tij kishte gjithë pushtetin e numrave në institucionet e vendit. Ato mjaftonin ta kënaqnin tërë kupolën partiake dhe mbështetëse përtej partiake,si në nivelin qendror po ashtu në atë lokal, derisa militantët kolateral ia delte t’i ushqente me “vrasjet politike”, me të cilat i barrikadonte në istikame lufte dhe i armatoste me urrejtje.  

Z.Haradinaj mund të jetë lodhur nga jeta e angazhuar, për çka duket se është vënë në kërkim të paqes që sjell posti i kryetarit të shtetit, apo ndoshta lavdisë për ta përmbyllur me gjithçka që një popull mund t’i jep aureolës së një njeriu. Kurora e kryeluftëtarit në çlirimin e vendit, posti i kryeministrit dhe ai i kryetarit të shtetit janë trinia e një aureole të shenjtë. Të cilën mund ta gëzoj një njeri në rrugëtimin e vendit të tij drejt qëllimeve të larta. Në këtë kërkim Ramush Haradinaj ka vënë pragun e pakalueshëm nëse arra do i bie të gjendet në mes të çekanit dhe hudhrës së tij. 

LVV me qetësinë që ia jep fitorja e paraditur sot është në rrugëtimin e saj drejt numrit magjik tetëdhjetë për Kryetarin, në përpjekjen që rezultati i mirë, të cilin do ta merr në zgjedhje, të mos i bëhet nulë. Këtë numër nyje, të të gjitha pushteteve sot, nuk e garanton jo vetëm vota elektorale, por as e ndihmon sherrnaja e fjalëve që po lëshohen kuturu.  

Nëse do provonim t’i kuptojmë synimet e partive përmes fjalorit që ato po përdorin, i bie se edhe kësaj radhe parazgjedhjet do të eklipsohen sikur gjithmonë me fjalorin e trashur në prodhim të armikut për mungesë vizioni për të shkuar përpara. Duke prodhuar armiq të rinj e duke i mbajtur në shënjestër të vjetrit, numri magjik tetëdhjetë për Kryetarin nuk arrihet, që i bie se do kemi zgjedhje të shpejta pas zgjedhjeve!