Opinion

Blerim Muriqi: Tri pushtetet e Kurtit II, mposhtja e oponecës dhe vrasja e slloganeve

Beteja politike e cila ka filluar sot pas ardhjes së Qeverisë Kurti II, dallon nga betejat e rëndomta pozitë-opozitë. Ajo ka një terren më të ngushtë fizik, por të gjerë për nga gjithë zhvillimet që na kanë përcjellur që nga çlirimi. Slloganet aq sa janë kujtesa jonë janë dhe zotim albinist. Ato do të bëhen edhe kurtha e pushtetit të ri po aq sa edhe maternitet ku do të lindin përplasjet e përlindjes së oponencës së re reale, me çka Kosova përfundimisht do ta kaloj rubikonin e pjekurisë institucionale dhe do t’i përlind fillet e shoqërisë shtetërore të bazuar në rregullat e shkruara.  

Rregullat edhe pse janë të shkruara, që më parë dhe nuk janë keq, sepse me pak përjashtime kemi ligje të mira, ato ishin një grumbull shkronjash grumbulluar për të qenë atje në sirtarët e shtetit kur u nevojitej të thirreshin abuzuesit e tij në to. (Mjafton të kujtohet se si u zverdhë nga shëndeti deri në vdekje Murat Jashari përmes Sylë Hoxhëve të kapjes së institucioneve, gylenistëve, privatizimeve, etj. gjëra pafund si këto). 

Kosova do të donte që në kaq shumë vite pas çlirimit, në legjislaturën tonë të tetë, të kishim normalitet përplasjeje në kuvend me argumentin që e ndërton parimi organizativ si e ndryshme mes partish politike për çështje specifike, por ky normalitet sikur duket na është mohuar deri në formalizimin e bërjes së re opozitare. 

Pyetja reale sot është: cila do të jetë figura e opozitës së nesërme e cila po lind në gërmadhat e partive që po thërrmohen?  

E brendshme apo e jashtme, cilado që të jetë ngrehina e re opozitare ajo do jetë ndryshe, do sillet ndryshe dhe do luftoj me mjete tjera. Kjo përmbushje standardi që po i vjen dhunshëm Kosovës nga populizmi albinist, që “përmbysi kutitë e votimit”, është e vetmja përmbysje revolucionare që e kakrakterizoi energjinë referendare të zgjedhjeve. 

Përmbysja e numrave, e cila nuk ia doli të bëhej përmbysje politike, po mëton të etablohet në hapin politik të normalitetit PAN-ist e PLAN-ist, meqë atë po e sheh si rivënie kontaktesh në raportet e luhatura me ndërkombëtarët. Kjo vetpërmbajtje albiniste, duke u fshehur pas temave me peshë kinse ekslipsive, ka filluar të na shitet mashtrim me kinse seriozitetin e luftës ndaj pandemisë dhe shërimin ekonomik, të cilin edhe kanë filluar ta luhasin si politika të punësimit më shumë se sa do ta realizojnë si punësimit të premtuar me fushatë elektorale.  

Tashmë kanë filluar të dëgjohen zërat mbështetës të servilëve anësorë që kanë pritur ta njohin fituesin para se t’i thurin bashkë me elozhetë edhe shfajësimet e tipit mirëkuptues se gjërat nuk bëhen brenda natës, javëve dhe muajve e viteve. Ka zëra tashmë që janë ngutur të arsyetojnë se ato që u bënë keq në 20 vite nuk bëhen mirë as në 20 tjera. Sa mirë për ata që patën vetëm rrugën e ardhjes dhe jo edhe të përgjegjësive, sepse atë ua ndërtuan ata që e hëngrën fatkeqësinë me fatin e jetëve të tyre!  

17 vite ka qëkur në hapësirën tonë si një flamur valon sllogani Vetëvendosje nën Parullën “Jo Negociata, Vetëvendosje”. Atëherë thuhej në frymën LPK-iste Bashkimi  duhej të bëhej sot. Kjo gjithmonë “sot” për bashkimin ka jetuar gjithë këto vite dhe ka prodhuar shumë veprim politik e aktivitet organizativ. Vetëvendosja u rrit dhe po rritej edhe kësaj radhe me madhësinë e ëndrrës së shqiptarëve për t’u bashkuar e për t’u bërë zotët e vetes. Sfidat e Kosovës erdhën ndër vite duke u veçuar në emra të përveçëm si enklavat serbe, statusi i Kosovës dhe shpallja e pavarësisë mbi dokumentin me parimet e Athisarit, statusi i serbëve në realitetin shtetbërës të Kosovës me kuotat e garantuara përfaqësuese, Debëlldeja, ripushtimi nga produktet serbe të tregut të Kosovës, fillimi i bisedimeve teknike dhe shndërrimi i tyre në politike e deri te bërja e Serbisë palë për çështje të brendshme të Kosovës, Marrëveshjet e shumta e të dëmshme me Serbinë për Kosovën deri te kryemarrëveshja e keqe ajo për Zajednicën dhe Demarkacionin me Malin e Zi ku u dha autonomi politike dhe territore. Të gjitha këto prodhuan luftë politike, përballje politike e fizike, veprime edhe të skajshme por të arsyeshme për të mbrojtur vendin nga politik bërës pa përgjegjësi kombëtare e shtetërore. Sikur prodhuan veprim, për pararojat e veta veprimet prodhuan Sllogane. Secila kohë e ngjarje ka slloganet e veta sa të qarta po aq edhe të mëdha të mbështjella me idealin e brezave. Së fundi kur Kosovës po i hargjoheshin karamelet për pushtetarët e vjetër dhe zhvatja e hajnia nga zyrtarët e bënë shtetin paçavurë të bjerrur dhe egzodi masiv i rinisë tashmë ka lënë shkretë mese të tëra rurale e urbane, populli shpërtheu me akuzën “hajnat”. Tani më nuk është me rëndësi a flet i pasuri, i vobekti, i dituri apo matrapazi e injoranti, i shituri i djeshëm apo i shituri i sotëm, me rëndësi është a e përdorë akuzën “hajnat” dhe mjafton të jetë i duhuri dhe i pranueshmi. Me një fjalë i rreshtuari.  

Sikur thotë populli shtëpia e përfshirë nga flakët nuk pyet me ç’ujë të turbullt apo të pastër po ia shuan zjarrin, edhe Kosova kësaj radhe nuk kishte përse të pyeste kush po bërtet hajnat. Të gjitha ranë, edhe etja për slloganet, edhe dashuria për të kaluarën e afërt dhe bartësit e saj. Sot ka vetëm një sllogan “Hajnat” dhe një pritshmëri “Punësimet”. Kjo e dyta do zvenitet shpejt dhe e para do mbetet shpresa e mbijetesës politike të Albinit dhe qeverisë së tij. A do i mjaftoj koha që të mos ngjallen pritshmëritë nga slloganet e përdorura nëpër kohë-zvillimet që i lindën, do jemi këtu dhe do shohim. Ato do t’i përdoren Albinit vetëm në trendin e rënies kurdo që ajo të vie.  

Ajo që dimë sot është se Albini erdhi në qeverinë e tij të dytë pa program qeverisës dhe me oponencë të paqenë. Pra, ai as nuk pati nevojë të kishte më shumë në programin e tij se sa akuzën “Hajnat” me të cilën ka filluar të lirohet nga përgjegjësitë që ia ngarkoi vetes që me parullën “Jo Negociata, Vetëvendosje”.  

Premtimet e tij do të jenë edhe rrënimi i tij në muzgun e pushtetit të tij, edhe pse ai në këtë fitim mandati nuk premtoi asgjë dhe nuk e tha asnjë të vetmen fjalë se si do të pushtetoj dhe as dha ofertë qeverisëse e premtime.  

Janë 100 ditët e para që e mbrojnë nga kritika, edhe pse ai di të befasoj dhe them se nuk do  t’i mungoj kjo aftësi për të na bërë të vjellim para se të ikin ditët e njohjes. 

Dy gjëra tashmë kanë ndodhur. Ai nuk e njeh mirë kabinetin e tij dhe të paktën njëri nga ta mund t’i del me probleme të mbamendjes historike të kohës së fundit dhe tjetra që ka të bëjë me sa herë ai deshi t’i luftonte tjerët u referua te Jasharët qoftë për kryetarin e ardhshëm apo të kaluarën. Dy gjeneralët e familjes Jashari, kësaj radhe nuk i mjaftuan për ministër mbrojtjeje sikur nuk iu nevojit Murat Jashari për kryetar shteti, sepse tashmë ai mendon se ia ka hedhur ujit anën. Kjo moskokëçarje e tij tregon sa komod është ai sot si pushtetar dhe kur gjithçka ka koncentruar në akuzën “HAJNAT” për çka tashmë e ka harruar edhe fjalën “DYZ”. 

Albin Kurti tani është i tëri në tapetin e qeverisjes dhe i takon të mos na zhgënjej pvarësisht jemi mbështetës apo kundërshtarë të tij politik. Ai tashmë po i realizon të gjitha pushtetet në dorën e tij dhe sfida ka filluar. Ai i ka mundur kundërshtarët bashkë me slloganet që i rrinin mbi kokë si shpata e Demokleut. Në rrugën e ardhjes në pushtet ai gjeti “Dyzenin e Nasradinit” hajnat dhe nuk ka pse e çanë kokën më, por, a mjafton kjo për të mos e vrarë Albinin që na e solli ai vet? Mbetet të shohim.