Politikë

Blerim Muriqi: TË GJITHË JEMI VETËZËNË NË KURTH ME VOTËN TONË

Po bëjmë dy dekada në pluralizëm kinse real, edhe pse larg të qenit në atë funksional. Ne kemi parti, kemi rreshtime (edhe pse jo profilesh), ne prodhojmë pushtete të dalura nga vota edhe pse nuk jemi pyetur akoma nga cila votë dhe nga ç’cilësi e saj! Vota jonë në tërësinë e saj është formale, është e ngurtë, ajo nuk është tregues i interesave të votuesit edhe pse përbënë numër e fate zgjedhjesh. Më shumë se kjo mosqenie votë e interesit real dhe përfaqësuese e rreshtimit bindje të votuesit, ajo sot përfaqëson anëtarin e grumbulluar, mendësinë e turmës, palmën që sado e gjatë të jetë nuk e zhbënë dot shkretëtirën ku jemi katandisur.  

Shoqëria jonë po tregon lodhje e dëshpërim, një gjendje të ndjerë e një zhgënjim në alarm. Këtu e në Mërgatë këtë po e shfaq me rreshtimin krejt populist të shekullit XIX (grumbullimi LVV), po aq sa me përmbajtjen kryeneçe përtej argumentit të një konservatorizmi kinse të përkatësisë (PDK, LDK, AAK, NISMA), të cilit jo pak po i vjen era frikë nga ajo çfarë mund të nxjerrin petët e lakrorit kur të shpalosen nga qeverisja e re, e cila edhe pse duket në sfond se po vie, por mund të mos vie edhe kësaj radhe, e ndoshta të mos e kap asnjëherë trenin me petkun e sotëm nëse merr në thu në secilën shkarpë që po ia vejnë nën rrota. Kjo mosardhje e hipotezuar ka të bëjë me ardhjen e  plotë si e vetme, derisa bashkëardhja e LVV-së me tjerat, më shumë do ndotëte rrugëardhjes se sa do të pastronte me etablimin në pushtet. Bashkardhja e tillë as përbënë shpresë për ndryshim e as e ulë masën e zhgënjimit që vota po përpiqet ta dëshmoj.   

Ajo që ia vlen të vihet në vëmendje në këtë kohë zgjedhjesh, është se nuk po tregojmë dot se kemi mësuar nga e keqja e deformimeve nëpër institucionet e shtetit me duart e partive nga qeverisjet. Kjo e keqe që na pllakosi në këto dy dekada ia ka arritur ta mobilizoj zhgënjimin dhe ta përkthej atë deri diku në mospranim, për çka dita – ditës vota qytetare po kalon në taborr të ri, në atë të LVV-së. Ky kalim vote kaq i ngurtë po sa e si ishte edhe qëndrimi i saj i gjatë në taborrin që po humb mbështetjen, do të prodhoj formalizëm dhe pasojë të njëjtë edhe pse në pamje shfaqet më pretendues.  

A nuk ishte shumë premtuese shfaqja e LDK-së në skenë në vitet 1989, a nuk ishte pretenduese shfaqja në emër të luftës e çlirimit, e PDK-së, në pasluftën tonë, a nuk është në të njëjtën trase e formë ardhjeje LVV sot?!!! (Këto pyetje na vihen para kur gjykojmë anën e pushtetimit të brendshëm, funksionimit të shoqërisë si tërësi mardhëniesh dhe nuk kanë të bëjnë me procesin e çlirimit të vendit, kur protagonistët morën e bartën role tjera dhe u takon atyre fushave ta thonë fjalën e vet). Bindja jonë, nga ardhjet premtuese në ardhje pa shtruar dilemën e cilësisë së tyre, na kanë bërë të përfundojmë kështu shtet pjesërisht të kapur e vend të zhvatur dhe mundësi të shpërndara vetëm për kapësit zhvatës.  

Pra të gjithë jemi të zënë në kurth! 

Të veprosh me bashkim në inercionin e turmës, të cilin e prodhon përdorimi i zhgënjimit qytetar nga partia e radhës, është vrasja e mundësisë për t’u krijuar bindja. Ne kemi nevojë për votë të bazuar në bindje, e cila i jep cilësi votës me pasojë qeverisje të përgjegjshme. Një votë, e cila nuk ka cilësi, sikur e kemi dhënë deri më tani (e po rrezikojmë ta japim të tillë edhe kësaj radhe), prodhon mendësi autoritare e pushtetim të deformuar, çfarë e kemi vuajtur në kurriz këtyre dy dekadave. Eshaloni i votës që po lëvizë është në të drejtën e tij, por është e rëndësishme që bashkë me lëvizjen e votës të vie edhe ndryshimi cilësor i saj. Bindja nga zhgënjimi nuk është se e ka të sigurtë ngritjen në vetëdije. Për të dalur nga ky kurth ku kemi rënë të gjithë do duhej të paktën të përmbushnim disa standarde, ku njëri prej tyre do të ishte vota me bindje e bazuar në interesat vetanake të votuesit dhe interesat e përbashkëta të votës së bashkuar. 

Sot po na ofrohen dy alternativa përballë njëra – tjetrës, por që të dyja po mundohen të na imponohen si të fundit e dorës së shpëtimit për të ndalur kinse galopimin tonë apokaliptik apo për të mos rënë në humnerën ku po na rrokulliskëka mashtrim-ndryshimi. Ky fatalitet i stisur, edhe pse i ndërtuar për hesap pushtetimi, nuk është më pak se dëshmia e kurthit ku jemi. Historia na mëson se nuk mësojmë dot gjë nga historia nëse na mungon vetëdija për të gjykuar dhe prodhuar veprimin e duhur.  

Rreshtimi  me hipokrizinë që thirret në lavdinë e luftës çlirimtare apo atë të viktimizimit të vrasjeve politike sa herë kemi zgjedhje, dhe me mohimin e gjithçkafes për të pranuar po atë gjithçka që sa herë i delet kapjes së pushtetit lokal a qendror, është po aq faj sa edhe zhgënjimi që na ka pllakosur. Ky rreshtim, që ne e kemi bërë në gjithë këto vite përmes votës së grumbulluar në mendësinë e turmës, ka bërë që ne të përfundojmë të tradhtuar nga vota jonë, dhe këtë realitet vetëgoditjeje është mirë ta ngulitim në kokën tonë. Gjithçka që pësojmë sot si mos zhvillim nga qeverisjet e këqija dhe zhvatja e vendit sikur në të kaluarën, është pasojë e këtij ndëshkimi dhe e këtij kurthi ku jemi kapur nga vet vota jonë. 

Tani kanë filluar të na e shesin Don Kishotin e Mançës në luftë me mullinjtë e erës. Pardje Mitrovica e Veriut dhe ajo e Jugut, dje Skënderaji i parzmores së Don Kishotit, nën mburoja policore dhe mullinjtë e mykur në mendjet e helmuara, nesër ndoshta një Sanço Panço mbi gomarin e tij të ndonjë komune tjetër dhe kështu deri në shkëlqimin e Shokut të ri Zylo dhe cjapit Muro të normës së tejkaluar në përçitjen e dhive të leckosura, të cilat askujt më shumë nuk i ngjajnë se sa vet ne qytetarëve të zënë në kurthin e votës sonë. 

Mendësia, e cila po shfaqet në verpimet e fundit nuk është më pak se përsëritje demode e një mendësie të të fortëve të krimit që shfaqen jo pak herë në mjediset shqiptare, që të tillat marrin karaktere politike në kohë zgjedhjesh. Krimi i tillë me fytyrë politike nuk jeton dot si i vetëm dhe i një forme shfaqjeje. Ai (që jo pak di të jetë edhe i montuar), nga sa shfaqet e cytet, i bënë përgjegjës të gjithë e këdo pjesëmarrës, por jo pak edhe ne tjerëve meqë, nuk ia tregojmë vendin të tillëve me qytetari shpërfaqëse, përmes kundërshtimit me protesta!  

Pra, ky përkeqësim i ditëve të fundit ka nevojë për kundërvënie qytetarie. Në mungesë të shoqërisë civile, e cila rezulton nga opinionbërja, që ajo shfaq të jetë e kapur nga partitë (nëse ajo edhe si ardhje nuk ka burim të fshehur shtytjeje partish), gjithnjë e më shumë do kuptojmë se ka nevojë për vënien e një standardi të të bërit politikë dhe të përballjes mes oponentëve në jetën plurale. Ndoshta, vënia e standardit të sjelljes dhe pranimit të tjetrit si vlerë e vënë nga zëri i qytetarisë, edhe mund ta prodhonte oponencën e re, e cila do bashkonte gjithë mospajtimin që ekziston brenda partive të sotme gabimtare deri edhe me shfaqje mosdurimi. Kjo derë e hapur reflektimi qytetar, jo vetëm se do ta bënte skenën tonë më të mirë, por edhe do na nxirrte të gjithë neve nga kurthi ku edhe po mbesim ngujuar edhe për ngurtësinë dhe dyert e mbyllura me të cilat po vjen ndryshimi.    

Edhe në politikëbërje, sikur në gjithë fushat e jetës, njerëzit e mençur mësojnë sa herë u jepet rasti nga gabimet e tjerëve, ne nuk po mësojm as edhe nga gabimet tona. Ndryshe nuk do të dëshmonin se ne vërtetë jemi sikur rast edhe dëshmi “sui generis”! 

A nuk është “sui generis” vetëzënia në kurth me votën tonë?  

Postimet e fundit !