Opinion

Blerim Muriqi: Kupa që mbushet

Pushteti Albin u rropat 15 vite në përpjekje. Dhe një ditë të zezë, kur zhgënjimi i masave kishte kapur pezmin shpërthyes nga keqqeverisjet dhe zhvatjet e pararendësve  erdhi dhe u zbraz në kutitë e votimit. Albini u bë pushteti dhe mbreti, ani pse me një hije ku ta mrizonte lojën që u ngut ta nxjerrte nga skena duke e dyllosur në presidencë.

Gjëra të zakonshme domosdo se do rendnin edhe nën mindilin e valles albiniste. Dhe kapja filloi me bordet e një zot e di se ku do përfundoj. Policia tashmë është blinduar, për përdorim brenda shqiptar, se për qytetarët tjerë, si psh atyre që e realizojnë për çdo ditë nga goxha Serbi brenda Kosovës sonë, jo e jo.

Opozita as oponencë as mbështetje për qeverinë! E habitshme kjo!

Mosprania e opozitës në skenën politike lidhet me hallet e mëdha që ajo ka brenda vetes. Procesi i rikapjes së rreshtimit të brendshëm partiak dje me duar e sot me masha jo vetëm se po e vonon atë në reagimin për temat, por po e zbehë edhe vet ekzistencën e saj.

Kështu që i ka mbetur veprimtarit të madh Dardan Molliqajt që ta bëjë oponencën për temat (Mjerisht me akronimin PSD, që na e kujton edhe Kaqusha Jasharin). Po të mos ishte bartja e kësaj hipoteke të kësaj figure të vëllazërim – bashkimit Jugosllav, sot kur dhunohej Dardani nga policia tashmë e kapur dhe e ekspozuar aq harbutërisht, ndaj reagimit të tij dhe një grupimi të vogël mbështetësISH kundër gjykatës speciale, mbrëmja do errej me disa pikëpyetje të shtruara në reflektimin qytetar, pse jo edhe të shoqërisë në përgjithësi.

Por, kupa që po mbushet sikur ka një vrimë që edhe zbrazë pezmin. Pse me Kaqushën breeee? –do të shprehej i dituri dhe po këtë pyetje po ia bëjnë vetes, ata të pafjeturit e etur për ndryshime të mbara e të mira, që shkenca e ka quajtur racionalja.

Pushteti rendi sot me shpejtësi të thoshte diçka që ta relativizonte figurën e keqe që bëri me dhunën  bizare të policisë së kapur, që ajo për fajin e vet do përgjigjet në të ardhmen për veprimin e sotëm jo profesional, por të qëllimshëm. Dhe pushteti nxori margaritarin e reciprocitetit me Serbinë për tabelat. Një çështje tashmë e shtruar në Bruksel.

Kjo rendje mashtruese e pushtetit nuk ia ka dalur ta vëj në lojë indinjatën e racionales sonë, e cila po të mos ishte pengesa Kaqushë, do fillonte rreshtimin e bashkëveprimit dhe punës në teren me masat, sikur ka ditur të bëjë në favor të proceseve të mira që me Pranverën shqiptare ’81, proceset e viteve të nëntëdhjeta, me ngritjen e vetëdijës për luftën, të luftuarit e rreziqeve që po i sillte në shtëpi politika e dështimit, ngritjen e pragut papranueshmërisë shoqërore për zhvatësit në emër të luftës e të paqes, bjerrjen e shkëlqimit fasadë të kapove të së keqes e deri te ndërtimi i zhgënjimit të madh që solli përmbysjen, të cilën shumë shpejt kemi filluar ta vuajm në vend se ta gëzonim si ndryshim.

Dhe ja ku jemi, me kupën që po mbushet dhe me vrimën që po e zbrazë mbushjen!

A do të dij Dardani me shokë ta mbyllë atë vrimë zbrazëse të kupës që po e mbushë me të shpejt pushteti mbetet për t’u parë?

Ajo që duhet të dimë është se vendi ka nevojë për reagim qytetar. Të organizuar politikisht a jo, kjo ka tani për tani pak rëndësi në këtë vakum që ka krijuar letargjia ku kanë rënë PDK, LDK dhe AAK.

Iniciativat qytetare do të ishin njëra nga shprehjet më autentike të reagimit për kohët që po kalojmë! A do të dimë si shoqëri ta ngrejmë reagimin qytetar e politik tashmë të rënë shumë me krijimin e frymës përmes vetëdijes angazhuese? Them se po. Populli ynë ka ditur gjithmonë të ngritet! Atë do ta bëjë sa herë t’ia kërkoj koha!