Opinion

Blerim Muriqi: Ftesa e munguar në samitin e demokracive

(Dehja për pushtetin delir i tepruar që çon në pandreqshmëri, meqë përdoret makiavelizmi “mjetet për qëllimin”!)

A kanë degraduar mardhëniet Kosovë-SHBA, apo janë vetëm pasojë kohore derisa nuk ndryshon establishmentit pushtetor në Kosovë?

Ja që nuk vlejkan njëjtë postulatet: “njëherë mik gjithmonë mik” dhe “një herë armik gjithmonë armik”!

Këtë mësim të vështirë nuk mund ta shes KM Kurti jashtë sikur e shet kollaj te “turmat” në Kosovë. Ai ndryshoi gjithçka nga identiteti politik në këto 15 vite dhe e shiti braktisjen e parimeve sa e si deshti brenda Kosovës! Por, sikur duket, llogaritë i ka bërë jo mirë kur kemi të bëjmë me skenën ndërkombëtare.  Besoj se këtyre ditëve KM Kurti e ka parë në zhgjëndërr ish ambasadoren Jakobson dhe i është kthyer në jehonë kokëdhembjeje telefonata e para një viti e sa me presidentin Makron!

Për këto dhe tjerat pasoja që do vijnë sot pyetemi:

Si ta lexojmë mospritjen e KM Kurti në SHBA ose mos dhënien e vizës (sikur po interpretohet koluareve), dhe çfarë të presim nga politikat e qeverisë sonë në vazhdim të mandatit? Si ta lexojmë ftesën e munguar në samitin e demokracive, alias po ta përkthejmë shqiptarçe i bie samiti, amerika fton miqtë?

Kanë mbetur edhe tepër tri viteve mandat qeverisës për koalicionin LVV-GUXO. Në kaq pak, akoma pa u mbushur viti, qeveria Kurti ka korrur goxha rezultate në luftën kundër vetes së saj për sa i takon ushtrimit të pushtetit dhe politikave të brendshme. Ajo ia ka dalur mirë vetëm me bordet për sa u takon shkarkim-emërimeve. Me to e filloi luftën kundër vetes qeverisëse brenda vendore, derisa atë të jashtme e ka përlindur e vulosur që kur, që me ambasadoren Jakobson! Ajo, LVV dhe në shembullin e saj më shumë se LVV lista GUXO, pastruan oborrin familjar nga papunësia me akomodimin e deri hallave e tezeve nëpër borde dhe kudo ku mundën t’i fusnin duart. Fushata po vazhdon. Sekush aktor i koalicionit ka kapur një thikë dhe po pret nga torta e pushtetit hisen e tij.

Pushteti edhe pse e ka tortën e madhe, nuk e ka mjaftueshëm për masat. Kjo pamjaftueshmëri ka cytur çarjet goxha të pashme në elektorat. Zgjedhjet lokale u bënë tregues i frikshëm.

Koalicioni qeverisës ia ka dalur të vetmes fitore të madhe, rikthimin e tandemit PDK-LDK në kapacitete të plota, edhe pse ashtu si stërkeqje strukturore ku patën përfunduar. Këtë deformimet do ta paguajmë të gjithë së bashku. Neve na duheshin në skenë këto parti si të reformuara me mësimin se keqqeverisja të bënë të.papranueshëm.

Çfarë do paguajmë tjetër nga amatorizmi qeverisës i koalicionit LVV-GUXO?

Nëse diplomacia jonë nuk ia doli asnjëherë të bëhej ashtu sikur ia kërkonte nevoja shtetit tonë të ri , ajo nën drejtimin e zonjës Gërvalla u bë një leckë aq e dërrmuar sa ka mbetur edhe pa harrna që të mbuloj sadopak sekëlldinë e mos ekzistencës.

Hendikepi i LVV-së si ardhje pushtetore ishin marrëdhëniet me SHBA-të, që për Kosovën janë jetike. Ata nuk ia dolën të besoheshin partner në nivelin e mardhënieve Kosovë-SHBA.

Amerikanët po ia mbajnë ison të shkuarës dhe gjeopolitkës, por po të shohim në brendinë e marrëdhënieve, shohim se ka një hiq komunikim.

Ne, qytetarët, nuk kemi dashur ta shohim këtë dimension në degradim kaq përmbajtësor, edhe pse gjithçka fliste tashmë me shenja, që nga ardhja e parë në qeverisje e Kurtit që rezultoi me një foto diku në shkallët e LVV-së me ambasadorin Kosnet.

Zhurmave pro e kundra ka ardhur koha t’u vihet kapaku dhe të shohim gjithë çështjen pa syza dioptrie të taborrit politik. Janë dy gjëra shumë serioze që na thonë se Kosova po pëson për shkak të drejtimit politik. Mos dhënia e vizës apo mos pritja e askujt faktori në Amerikë të KM Kurti dhe mos ftesa në takimin e demokracive janë dy shenjat që edhe të vetme bëhen shumë tepër para të tretës, e cila mund të jetë goditëse.

Gjërat nuk janë krejt të thjeshta sikur përpiqen t’i shesin injorantët.

Si duhet t’i lexojmë këto lënie anash të Amerikës për pushtetin e Kosovës me theks KM Kurti? Lënje në taborrin e jo miqve apo diçka më shumë se kaq?

Pse po lihet Kurti kaq mohueshëm e në kaq heshtje? Për “bolshevizmin” e tij si ardhje dhe si ushtrim i pushtetit, teatri banal i bërjes së të pavarurit në atë që shfaqë, apo ka diçka përtej kësaj në nënplafin ku nuk sheh optika jonë prej qytetari, por që shërbimet amerikane kanë kapur.

Linja ruse e ballkanit Serbi-Bosnje nuk u ftua. Po Kosova pse u la në linjën e pasigurisë amerikane?

Para se gjërat të agravojnë pakthyeshmëri, KM Kurti do duhej të nxirrte mësimet.

Por pyetja shumë milionëshe është: a mundet kryeministri Kurti t’i bëjë gjërat mirë, apo ai duhet të lëshoj rrugë mga drejtimi i LVV-së që ajo ta ndrroj faqen e mardhënieve me miqtë?

Në raste të tilla liderët e vendeve të vogla e në hall u kthehen tërësisht politikave të brendshme dhe mundohen ta ndërtojnë perandorinë e tyre të jetëgjatësisë pushtetore. Tek ne mungon terreni për ta shpallur izolimin e tipit Lukashenko dhe për pasojë do kemi humbje të peshës specifike në elektorat të LVV-së.

Dehja me pushtetin është delir i tepruar,, andaj sot KM Kurti nuk mund të shkoj përtej lidhjes së këpucave të ndonjë fëmije në rrugën e sorollatjes së tij brenda vendit.