Lëvizja\UÇK

Blerim Muriqi: Fjala lamtumirëse në varrimin e Demë Fetahajt

I Dashur Demë, vij sot në ditëndarjen tonë fizike me bekimin e shokëve, për fjalën e fundit, nekrologun për juve. Ti mbase do thuash se përkundër ndarjes fizike ne mbetemi bashkë në kujtimet e njëri-tjetrit, për të mos iu ndarë asnjëherë betimit tonë të madh, çlirimit të trojeve dhe bërjes së Shqipërisë.

Po Demë, ai betimi i madh i brezave që kur na u bë streha e vetme shpirtërore e angazhuse është dhe mbetet çatia e shtrati i vetëm ku ne jetojmë në të gjallë e nga e përtejmja jetë si kujtim e mësim për brezin që do ta bëjë Shqipërisë.

Ishim të ri Demë, krejt të njomë, kur iu bashkuam betimit të madh, ku u bashkë-njohëm ne që nuk njiheshim më parë, kur u njohët më mirë e u lidhët mes jush edhe me dashurinë për atdheun edhe ju pesë Fetahajt e krenarisë sonë të shoqërisë Ti Demë Vebiu, Xhemajli, Nuharremi e Miftari. Kulla juaj u bë edhe streha jonë, sikur gjithandej trojeve të pushtuara oxahqet që nxorën veprimtarë, dëshmorë e heronj.

Respekt e nderim pafund për dorën e shokut që na ofruat, për përkushtimin e kontributin që nuk e kursyet, për veprat dhe flijimin për atdheun, me çka na keni bërë krenarë edhe ne shokëve tuaj.

 

Gjithmonë si shoqëri u kemi ikur lavdeve dhe asnjëherë nuk jemi bërë pjesë e krekosjeve, por sot Dema ynë i mirë ma lejo këtë dobësi, do përmend disa pikante të së djeshmës, pikërisht në këtë varrimin tënd, për të përçuar mesazhin e nevojshëm te brezi që nuk duhet të ndalet në bërjen e Shqipërisë.

 

Derisa vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar po mbyllnin siparin me 100 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit ne si gjeneratë po e linim adoleshencën dhe po futeshim në maturitetin e moshës. Nuk e kishim menduar se kjo fazë po na fuste drejt e në pjekjen e hershme, por të bollshme për të kuptuar se popullit tonë të pushtuar i kishte ardhur ora e zgjimit dhe brezit tonë do t’i binte për hise ta barte njërën nga detyrat më me peshë në rrugëtimin e një populli drejt lirisë: bërjen e veprimtarëve dhe shëndrrimin e tyre mëpastajshëm në luftëtarë të lirisë. Në rrethanë të tillë u njohëm Demë, kush nga shokët me ty e Vebiun e kush tjerë më të rinj me Xhemajlin.

 

Ashtu,  sikur u njohëm me vrullin e çiltërinë rinore, ashtu po çelte pranvera shqiptare e 1981-tes, e cila na përfshiu për të na nderuar në jetë të jetëve me detyrën e shtruar karshi atdheut. Demostratat e asaj pranvere hodhën shumë dritë e qartësi te populli ynë, te rinia jonë studentore e shkollare, te klasa jonë punëtore e te populli mbarë.

 

Te të vetëdijësuarit u hoq veloja e hekurt. Individët veprimtarë po gjenin shoku shokun, grupet po gjenin njëri tjetrin. Kosova me vise po gdhihej dita ditës me parulla të kudoshme dhe po errej me aksione të bollshme e premtuese.

Burgosjet e atij viti mëtuan ta shtypnin kryengritjen popullore, ta frigonin atë me dënimet drakonike, përkundër vrasjeve dhe terrorit që ishte ushtruar mbi demostruesit. Viti rendës 1982, ishte viti i madh i sprovës. Atëherë dhe atje, për atë detyrë të shenjtë, betimi i madh nxori lavdinë e ju shokëve më të vjetër të grupit Isës, Rexhepit, Ademit Zemelit, Musës Vebiut dhe tejet Demë me shumë shokë tashmë gjithandej shtrirjes sonë. Ju krenaria e ne të rinjëve shkollarë të grupit ia dolët ta shënonit përvjetorin e demostratave  pikërisht në qendrën e studentëve në Prishtinë. Ai përvjetor i shënuar bëri që Kosova me Vise të jetojë me besimin se Lëvizja është gjallë, për çka pati demostrata në disa qytete, në disa tjera përpjekje për to, por e përbashkët e të gjitha hapsirave në Kosovë me vise u bë ngjizja e grupeve të rinj, qarkullimi shumë i madh i materialeve qoftë si literaturë qoftë si mjete lufte, shkrimi i parullave, filluan aksionet e sabotimit në sektorë industrial, etj.

 

Kur Jugosllavia pushtuese kishte zgjedhur që krahas shtypjes e terrorit ta bënte luftën hibride për përfitimin e rinisë me opiumin e muzikës përmes koncerteve të tipit Zdravko Çoliq Lepa Brena etj dhe  në favor të kësaj nisme kishte investuar gjithë aparatin shtetërorë, është edhe grupi ynë që u vu në ballë të goditjes së kësaj përpjekjeje me prishjen e këtyre koncerteve anë e kënd Kosovës, sikur na mësonte fryma e Lëvizjes dhe përvoja e popujve të çliruar.

 

Pasburgu si fazë shumë ndikuese te secili anëtarë i burgosur i popujve të shtypur la gjurmë edhe te të burgosurit tanë, ishin të shumtë ata që ndiheshin mirë nën përgëdheljen e titullit të të qenit ish i burgosur politik, të tillët ndaluan aty që t’ia hanin pjalmin kësaj vlere të cilën populli ynë e nderonte pafundësisht. Kjo nuk u bë as praktikë as modë  te ju Demë dhe shokët. Vitet e rrëmbyshme të hyrjes së të nëntëdhjetave ju gjetën bashkë me shokët në ballë të angazhimeve, qofshin ato në përballje me armikun demostrime, barrikada e organizime për të rezistuar qofshin iniciative të natyrës sociale e humane sikur është rasti me “Pajtimin e gjaqeve”,por që gjithçka bëhesh në funksion të homogjenizimit për përballjen e madhe me pushtuesin, Luftën çlirimtare. Dhe nëpër përpjekje të mëdha lufta për liri erdhi, sa do që pushtuesi po mundohej ta sabotonte atë përmes elitës politike legale që kishte etabluar në Prishtinë me të cilën po bashkëqeverisnin pushtimin tonë.

 

Luftës çlirimtare Ju i dhatë përkushtimin, kontributin e flijimin. Ndaj, sot kujtesa historike shëndritë nën rezatimin e Xhemajlit hero me shokë të shumtë anë e kënd trojeve të Shqipërisë sonë.

Demë i dashur, ti i jetove të gjitha stinët e përpjekjes për liri, nga betimi angazhues si verpimtar deri te bërja e çlrirmtarit. Brezit i mbetet ta bëjë Shqipërinë për fëmijët që po i rrisim në liri!

Përkundër asaj që ju patët një jetë të vështirë me një shëndet të rrënuar, ju asnjëherë nuk e humbët busullën e betimit të madh, asgjë nuk ju lodhi, as sëmundja, që gjithmonë ta bënit detyrën, verpimtarin e vazhduesin e kauzës për çështjen. Kjo do të ju mbajë gjithmonë të freskët në kujtimin tonë, gjithmonë kërkues në betimin tonë e gjithmonë për t’u trashiguar nga fëmijët e mirë që na ke lënë për të qenë edhe shokët e tyre dhe shembull për brezin e ri të Familjes shembullore Fetahaj!

 

Lamtumirë Dema i Shqipërisë!

Postimet e fundit !