Përtej shpresave dhe pritshmërive të berishistëve doktori nuk mundi ta rrëzonte Lulëzim Bashën. Foltorja e tij prodhoi entuziazëm dhe shpresë tek një pjesë e mirë e demokratëve por nuk arriti të ri-merrte Partinë Demokratike dhe aq më pak të ri-kthente Berishën në kryetar të PD-së. Lëvizja Berisha mund ti marrë PD-së një pjesë të mirë të anëtarësisë, ndoshta edhe shumicën, por PD-ja sado e rrudhur tashmë mbetet në duart e Bashës.

Futja e foltores në hullinë juridike dhe pelegrinazhi i trishtë i Berishës në selinë qendrore të PD-së ku shpërthen dyert e sallave janë tregues të dështimit të lëvizjes së tij. Juridikisht Berisha e ka të vështirë të fitojë betejën me Bashën në gjykatë. Mënyra se si ai e organizoi kuvendin e 11 dhjetorit ishte thellësisht politike, ndaj nuk kishte asnjë logjikë juridike.

Mjafton fakti i thjeshtë që formulari për mbledhjen e firmave për kuvendin nuk është certifikuar nga asnjë institucion i Partisë Demokratike, thjesht është printuar nga kompjuteri i doktorit, për të kuptuar absurditetin juridik të Kuvendit të 11 dhjetorit. Përveç peticioneve, që nuk kanë asnjë fuqi juridike, çdo mbledhje firmash me efekt juridik, qoftë për mbledhje kuvendi apo organizim referendumi, duhet të certifikohet para dhe pas procesit të marrjes së firmave nga institucionet përkatëse.
Për të bërë një paralelizëm të thjeshtë, unë si qytetar apo organizatë nuk mund të nxjerr një formular nga kompjuteri im dhe të dal në rrugë e të mbledh firma për të kërkuar referendum kombëtar. Së pari, më duhet të paraqitem në KQZ, institucioni përkatës në këtë rast, ku miratohet formulari me kërkesën përkatëse për mbledhjen e firmave. Përndryshe procesi nuk ka legjitimitet juridik. Dhe këtë e dinë mirë juristët e doktorit, si Arben Ristani, që ka meritën e të qenit kryetar i KQZ-së që miratoi formularin e mbledhjes së firmave për referendum të nismës qytetare Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) në vitin 2012.

 

Vetëm kaq do mjaftonte për ta rrëzuar juridikisht Kuvendin e 11 dhjetorit. Pa përmendur paradoksin llogjik se doktorri pretendon t’ia marrë PD-në pengut të Ramës në gjykatën që sipas tij është e Ramës. Pra nëse lëvizja Berisha nuk ka asnjë shans ta marrë PD-në jurdikisht aq më pak ekziston kjo mundësi politikisht në gjykatë.

Natyrisht që kritikët e Bashës me të drejtë mund të pretendojnë që as Kuvendi i 18 dhjetorit nuk ishte legjitim, sepse aty nuk u arrit kuorumi. Dhe ndoshta kanë të drejtë. Dhe ndoshta gjykata mund të rrëzojë jo vetëm Kuvendin e 11 dhjetorit por edhe atë të 18 dhjetorit nëse mungonte kuorumi.

Ama rrëzimi i Kuvendit të 18 dhjetorit nga gjykata, për mungesë kuorumi (nëse ndodh), nuk e rrëzon Bashën si kryetar, thjesht e detyron atë të organizojë një tjetër kuvend. Ndërkohë rrëzimi nga gjykata i Kuvendit të 11 dhjetorit, dhe i referendumit qesharak të 18 dhjetorit, certifikon humbjen e betejës së Berishës për të marrë PD-në nën kontroll.

Gjullurdia propagandistike e Berishës i ka hutuar aq shumë mbështetësit e tij saqë ata ende nuk kanë kuptuar se juridikisht kuvendet e 11 dhe 18 dhjetorit nuk janë aspak simetrike. I pari është një event ku ndoshta tepron logjika politike (pjesëmarrja) por mungon tërësisht logjika juridike (procedura) ndërsa i dyti është një event ku tepron logjika juridike (procedura) por ku ndoshta mungon logjika politike (pjesëmarrja). Gjykata operon me logjikën juridike dhe jo atë politike. Ajo është arbitër i procedurës dhe jo i betejës politike dhe propagandistike të numrave.

Ndaj në këtë pikë lufta e brendshme në PD ka mbaruar. Tashmë fillon lufta e jashtme mes PD-së dhe PB-së. Kjo e fundit është një lëvizje politike që është e destinuar të legalizohet si parti më vete ose të të tretet bashkë me liderin e saj. Përpjekja e Berishës për ta mbajtur lëvizjen e tij si strukturë paralele dhe informale përbri PD-së është e destinuar të dështojë.

Përveç berishistëve real, që e dashurojnë vërtetë doktorin, një pjesë e mirë e mbështetësve të tij e ndjekin sepse besonin që nëpërmjet tij do hiqnin qafe Bashën më 18 dhjetor. Teksa bëhet e qartë se Berisha nuk mund ta largojë Bashën nga drejtimi i PD-së, por thjesht mund të rrudhë këtë të fundit, miti i Berishës që fiton do fillojë të zbehet. Nëse ai nuk mund dot pengun e dobët Basha si do mund pengmarrësin e tmerrshëm Rama?

Në këtë moment aftësia e tij për të krijuar “revolucion” apo lëvizje popullore do zbehet gjithnjë e më shumë. Në fakt kjo aftësi nuk ka ekzistuar kurrë. Është një mit që Berisha e ka krijuar tek PD-ja dhe mbështetësit e tij. Nëse ai nuk ishte i aftë të prodhonte lëvizje popullore për të rrëzuar Fatos Nanon në vitin 2004 me lëvizjen “Nano ik”, përse do prodhojë lëvizje popullore në vitin 2022 për të rrëzuar Edi Ramën?

Ndaj ideja se Berisha do ta rrëzojë Ramën me protesta do bëhet gjithnjë e më qesharake. Protestat e tij kundër Ramës tashmë do shërbejnë thjesht për të tërhequr vëmendjen nga dështimi për të marrë nën kontroll PD-në. Si gjithmonë ai do ta fsheh dështimin e tij nën gjullurdinë e protestave, sepse sikurse ka vërejtur me të drejtë kolegu Arlind Qorri, ai është zoti i gjullurdisë.

Në këto kushte lëvizja Berisha mund të mbahet gjallë në termin afatmesëm dhe afatgjatë vetëm duke i ofruar mbështetësve të saj pushtet. Dhe kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet legalizimit dhe pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale dhe parlamentare. Në çdo rast, qoftë si lëvizje informale qoftë si parti e legalizuar PB-ja do shërbejë si patericë sa e Ramës edhe e Bashës.

Dhe kjo është ironia monumentale e Partisë Berisha (PB). Ajo nuk rresht së akuzuari Bashën dhe Ramën kur në fakt është patericë e të dyve. Nëse Berisha dje e mbante Bashën në krye të PD-së duke e mbështetur, sot e betonizoi duke e sulmuar. Kuvendi i 18 dhjetor 2021 është në fakt e vetmja fitore reale politike e Lulëzim Bashës.

Në vend që të largohej nga PD-ja si humbës i zgjedhjeve të 25 prillit ai sot legjitimohet si kryetari që e çliroi PD-në nga berishizmi dhe nga anti-amerikanizmi. Ndërkohë reduktimi i PD-së nga përplasja me Berishën dhe vazhdimësia e tij në skenën tonë politik është jo vetëm justifikim për humbjet elektorale të Bashës nesër por edhe një dhuratë e madhe për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste.