Skica nga Bazeli
Nga fundi i nëntorit isha për një vizitë të shkurtër në Zvicër. Qëndrova për 4 net në banesën e djalit tim, Enit, në katin e 15-të të njërës nga kullat më mbresëlënëse e më madhështore, mu në qendrën kryesore afariste, ose më mirë, mu në zemrën ekonomike të Bazelit, afër Messe-Platz-it (shq. Sheshi i panaireve), në Klara-Turm (shq. Kulla e Klarës). Duke shëtitur nëpër qytetin e vjetër të Bazelit, e zura veten gafil duke soditur dhe perceptuar vlerat arkeologjike, arkitektonike dhe artistike të qytetit me një tjetër sy e me një tjetër interesim. Në vitet 90, në kohërat kur e gjithë vëmendja jonë ishte e përqendruar drejt fatit të hidhur të Kosovës që kurrsesi nuk po gjente rrugën drejt çlirimit nga prangat fashiste të nacionalizmit serb, pothuajse as që na binin në sy vlerat artistike që ofronin rrugët dhe sheshet e Bazelit, pallatet dhe kishat qindravjeçare.
Mirëpo, duke qenë se edhe kjo periudhë dydekadëshe që nga çlirimi gjithkujt i dha mundësinë për të ndrequr e graduar rrezen e shikimit të gjërave rreth e rrotull, vura re se shumë nga gjërat e këtij qyteti tani po i shikoja me tjetër sy. Psh. në faqen perëndimore të kishës më të shquar të Bazelit, asaj të Münsterit, pikasa për herë të parë skulpturën e Shën Gjergjit duke vrarë kuçedrën. Ajo që më ra në sy ishin përmasat e vogla të kuçedrës, apo dragoit (nuk e di se si në mitologjinë shqiptare kjo e fundit çmohet si personazh pozitiv, ndërsa ajo e para si negativ), aq sa do të thoshje sikur Shën Gjergji po merrej me ndonjë mace. U përpoqa t’ia shpjegoj Enit këtë paradoks, duke i thënë se kuçedra s’ishte veçse një metaforë e besimeve pagane para-abrahamike, të cilat i kishte mposhtur ideologjia e re fetare. Dhe gjersa në fillimet e tyre figurat e përbindëshave mitologjikë, si gorgonat, ciklopët e kimerat, titanët e cerberët, scilat e haridbat e të gjitha anëve të botës, përfytyroheshin si personazhe gjigande me fuqi të jashtëzakonshme shkatërruese, pas kalimit të viteve, dekadave e shekujve ato nuk ngjallnin më frikë dhe sidomos nga artistët, piktorët e skulptorët, nisën t’u reduktoheshin përmasat deri në atë farë feje sa të mos njiheshin më, mu sikurse kjo ”macja” e goditur nga heshta e Shën Gjergjit! Dhe për më tepër, ato qenie dikur frikëndjellëse, u zbutën e u karikaturuan aq shumë, sa nisën të rrezatonin tashmë mesazhe të kundërta me ato që i kishin pasur fillimisht. Psh. dragoi, në vend se të nxirrte zjarr, u detyrua të ulej i zvogëluar pa masë dhe i shkrirë në bronz nëpër krojet e qytetit të nxirrte ujë nga goja, dmth. për t’u shuar etjen dhe jo për t’i bërë shkrumb kalimtarët, ndërsa vetë koka jo rrallë iu zëvendësua, nga ajo e gjarprit, në atë të gjelit. Ndërkaq poeti ynë i jashtëzakonshëm, Moikom Zeqo, Meduzës mitike që e kthente në gur këdo që i hidhte shikimin, i vuri syze dielli që të mos i ngrijë të tjerët. Sa shume kemi nevojë për syze të tilla!…
Kështu zakonisht ndodh edhe me idhujt e profetët tjerë. Sa më i përparuar qytetërimi, aq më të butë bëhen profetët me kalimin e kohës, duke fituar tipare të reja njerëzore. Ta zëmë, si ato të Budës apo Zarathustrës. Psh. Kush e kujton sot se ç’tipare mizore zotëronte Kalvini i dikurshëm origjinal i Gjenevës para 5 shekujsh? Të urojmë që kjo gjë të ndodhë një ditë edhe me profetin Muhamed! Ndoshta do të vijë koha që edhe miteve nacionaliste të Ballkanit t’u bien dhëmbët dhe të hidhen për toke të gjitha shpatat e thikat e mujsharëve feudalë mesjetarë që kanë mbijetuar deri në shekullin tonë.
– Për këtë punë Zvicra ofron një shembull edhe më interesant, – më tha Eni. Ajo është zbutur aq shumë sa ka hedhur për tokë edhe heshtën, edhe mburojën. Eja të të tregoj “zonjën Helvetia” buzë Rajnës.
Dhe më çoi në fund të Urës së mesit (Mittlere Brücke), në qoshen perëndimore të saj, ku simboli i Zvicrës, zonja luftëtare – mbrojtja dhe krenaria e Zvicrës, – një motërzim i vërtetë i Nënës Shqipëri te Varrezat e dëshmorëve në Tiranë, që ndryshe nga të gjitha përfytyrimet artistike dhe folklorike tradicionale për të, ishte ulur mbi një shtyllë të urës me shpinë nga kalimtarët, duke vështruar e lodhur dhe e zhytur në mendime rrjedhën e lumit tatëpjetë. Bëhej fjalë për veprën e skulptores Bettina Eichin, një përfytyrim i ri alegorik dhe çmitizues për Helvetian. Prapa shpine ajo kishte hedhur për toke heshtën dhe mburojën, si ca gjëra pa vlerë. Ndërkaq koferi i saj i madh, gjithashtu prapa shpine, po tregonte se ajo ishte gati për një udhëtim. Për ku? Dhe për çfarë qëllimi? Për të njohur botën, për t’u realizuar si individ femëror i pavarur e antipatriarkal apo për të shembur të gjitha barrierat drejt një bote të re të vlerave globale? Kushedi! Me rëndësi ishte që ajo ishte ngopur me shtizën dhe me mburojën!
add a comment